E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Presidentit të Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bamir Topi dhe Presidentit të Republikës së Kroacisë SH.T.Z. Stjepan Mesiç.

21 prill 2008

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bamir Topi.

Përshëndetje, zoti President! Pas takimit kokë me kokë e takimit të delegacioneve tona jemi përpara medias dhe më lejoni të rishpreh edhe një herë kënaqësinë time të veçantë që ju kemi sot mysafir në Shqipëri. Më lejoni të vlerësoj në mënyrë tepër të sinqertë angazhimin tuaj shumëvjeçar në intensfikimin e marrëdhënieve bilaterale midis Shqipërisë dhe Kroacisë, rolin tuaj të rëndëishëm për zhvillimet rajonale dhe pozicionin tuaj të qartë lidhur me çështjen e Kosovës. Ne e kemi vlerësuar në mënyrë të vëmendshme angazhimin tuaj, ju jeni një mik i Shqipërisë dhe i gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, gjë për të cilën ne ju jemi shumë mirënjohës.

Njohja e pavarësisë së Kosovës me datën 19 mars, pra një muaj pas shpalljes së pavarësisë, tregoi qartë se ju jeni jo vetëm në një linjë me shtetet më të rëndësishme demokratike të botës, por demonstroni që ju jeni për një të ardhme të demokratizuar të vendeve ballkanike, ku Shqipëria, Kroacia, Kosova, Mali Zi, Bosnjë – Hercegovina, pse jo edhe Serbia, të ardhmen e tyre ta kenë në familjen euroatlantike. Unë ju uroj edhe publikisht për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, ftesë të cilën e morëm në të njëjtën ditë. Kemi ndarë edhe hidhërimin që kësaj ftese nuk iu bashkua edhe vendi i tretë i Kartës së Adriatikut, Maqedonia, por besoj jo për çështje substanciale, por për çështje të karakterit formal që kanë të bëjnë me emrin. Prandaj në takimin që ne patëm, shprehëm dëshirën që edhe Maqedonia të zgjidhë çështjen e emrit dhe ftesa që është lënë e hapur, të formalizohet me futjen edhe të vendit tjetër të A3-it në familjen e madhe euroatlantike.

Vlerësuam që marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Kroacisë janë marrëdhënie mjaft të mira, por nuk vlerësuam në nivelin e duhur marrëdhëniet në nivelin ekonomik. Shprehëm dëshirën që këto marrëdhënie të intesifikohen, duke pasur si pikë referimi dhe takimin e Presidentëve të Ballkanit që e kemi zhvilluar në Dubrovnik në 22 nëntor të vitit të kaluar ku u nënvizua që rajoni ballkanik ka nevojë për rritjen e investimeve dhe për çështje që kanë interes reciprok.

Kam vlerësuar në mënyrë të qartë rolin e Presidentit Mesiç për liberalizimin e regjimit të vizave, duke filluar nga viti 2000. I kërkova zotit President që të influencojë që nga regjimi i liberalizuar ne të kalojmë në një regjim tjetër të vizave. Është një terminologji regjimi i vizave, çfarë do të thotë pa viza, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të lëvizin në dy vende që janë tradicionalisht miq, por që sot janë më pranë se kurrë në familjen euroatlantike.

Me Presidentin Mesiç jemi takuar disa herë. Preokupacioni i tij, i cili u shpreh edhe në takimin e fundit në Zagreb, ishte dhe është se ne duhet të vendosim lidhje direkte ajrore që të lidhin Zagrebin me Tiranën, Zagrebin me Prishtinën dhe natyrisht Tirana me Prishtinën e kanë dhe do ta intesifikojnë këtë marrëdhënie, si dhe të rigjallërojmë disa linja të cilat kanë qenë tradicionale. Adriatiku është një det i përbashkët, ku lëvizin njerëz, lëvizin dhe anije. Vendosja e linjës direkte Durrës – Rjek, apo Rjek – Durrës është shumë e rëndësishme.

Unë zoti President dëshiroj t’ju them që Shqipëria është në momente shumë të rëndësishme të zhvillimit politik dhe ekonomik. Sot në rend të ditës shtrohen çështje të modernizimit të infrastrukturës, së pari ajo që unë shpreha në takim ka të bëjë me energjinë. Me rrugën që konsiderohet tashmë e elaboruar nga pikëpamja politike dhe teknike, rruga adriatiko-joniane, dhe besoj që të gjitha këto në mënyrë shumë komplekse japin një vizion mjaft të qartë të perspektivës. Unë besoj që marrëdhëniet mes institucioneve specifike, kam rastin këtu të paralajmëroj takimin që ne do të bëjmë me dhomat e biznesit, do të kenë hapësirën e nevojshme dhe terrenin e përshtatshëm që këto marrëdhënie të biznesit mes dy vendeve tona të zhvillohen pa asnjë lloj pengese ligjore dhe mbi të gjitha pa asnjë lloj pengese psikologjike.

Më lejoni edhe një herë zoti President, t’ju falenderoj për mirëkuptimin në të gjitha çështjet që ne diskutuam. I takon institucioneve të shteteve tona që ta shtrijnë dhe ta intesifikojnë këtë lloj bashkëpunimi mjaft pozitiv që ekziston në nivelet më të larta të politikës. Ju uroj qëndrim të këndshëm në Shqipëri. Nesër ne do të kemi rastin të vizitojmë qytetin e Shkodrës, një qytet që është i dashur edhe për ju, një qytet me tradita të hershme edhe me mikpritje gjithashtu.

Ju faleminderit!

Presidenti i Republikës së Kroacisë, SH.T.Z. Stjepan Mesiç.

Mirdita! Sot ka një koncentrim të madh të shqiptarëve në Shqipëri, sepse edhe në delegacionin tim kam disa shqiptar me vete.

Pikërisht sapo përfunduam një bisedë të hapur dhe miqësore me Presidentin Topi dhe me bashkëpunëtorët e tij. Në marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk ka çështje të hapura, apo dhe probleme që mund t’i ngarkonin. Kjo gjë do të thotë se përsa i përket pjesës dypalëshe, mund të bisedojmë se në cilën mënyrë marrëdhëniet tashmë ekzistuese ti përparojmë më tej.

Unë jam i kënaqur me atë që është realizuar deri tani, bashkëpunimi ynë ekonomik shënon rritje të vazhdueshme, bashkëpunimi politik është i mirë dhe vlerësimi im është se jemi në rrugë të mbarë. Por, mendoj se ka përsëri mjaft mundësi për përparimin e asaj që është realizuar deri më sot dhe na takon ne, dhe për këtë kam parasysh si palën kroate ashtu edhe palën shqiptare, që t’i shfrytëzojnë këto mundësi. Vullneti politik në të dyja palët ekziston dhe unë vërtet nuk shoh asnjë pengesë në rrugën e zgjerimit dhe të forcimit të marrëdhënieve miqësore mes Kroacisë dhe Shqipërisë.

Para pak kohësh morëm ftesat për paktin e Atlantikut dhe me këtë u krijua edhe një fushë për bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona. Edhe unë këtu pres që këto marrëdhënie të ecin përpara dhe me rezultate konkrete në kuadrin e Aleancës Atlantike.

Shqyrtuam edhe situatën në rajon, e cila meriton gjithë vëmendjen tonë. Ramë dakord se për bashëpunimin rajonal dhe për përfshirjen e të gjithë vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, nuk ka alternativë tjetër sigurimi në përputhje me arritjet individuale dhe shpejtësinë e realizimit të tyre. Bashkimi Evropian është një mbrojtës në rrugën e rënies në izolim, i cili sjell humbje dhe për pasojë radikalizëm të rrezikshëm.

Jam i mendimit se Kosova e pavarur është një realitet i ri në rajon dhe me këtë realitet duhet të jetojmë. Në përputhje më këtë pikëpamje, Republika e Kroacisë e ka njohur Republikën e Kosovës. Duhet patjetër të lëmë mënjëanë paragjykimet dhe mediokritetet, duhet të pushojmë së qëni robër të së kaluarës dhe miteve historike e gjysëm historike dhe t’i drejtohemi së ardhmes. E përsëris dhe një herë e ardhmja jonë qëndron në bashkëpunimin e gjithanshëm në Evropën e Bashkuar.

Kur flas për rajonin dhe të ardhmen e tij, unë gjithashtu kam parasysh edhe Republikën e Serbisë. Në Bashkimin Evropian do të ketë përherë vend për një Serbi demokratike dhe të përkushtuar demokratikisht, dhe përsa i përket Republikës së Kroacisë, bashkëpunimi i gjithanshëm me Serbinë është pjesë e pandashme e politikës sonë dhe asaj rajonale dhe evropiane.

Kroacia dhe Shqipëria mund të realizojnë një bashkëpunim më të pasur dhe më thelbësor se sa ai i deritanishmi edhe në fushën e marrëdhënieve shumëpalëshe. Këtu para së gjithash kam parasysh bashkëpunimin në kuadrin e Kombeve të Bashkuara, të cilat Kroacia i konsideron instrument të pazëvendësueshëm të ruajtjes dhe vendosjes së paqes dhe stabilitetit në botë.

Problemet globale si terrorizmi dhe ndryshimet klimaterike nuk na kanë goditur ne direkt, por pikërisht për faktin se janë globalë, këto janë edhe problemet tona. Edhe në përpjekjet për zgjidhjen e tyre ne duhet dhe mund të bashkëpunojmë. Më vjen mirë të vizitoj përsëri Republikën e Shqipërisë dhe që takimet tona në nivel të lartë janë bërë tashmë të zakonshme. Dhe kjo flet për cilësinë e marrëdhënieve të vendosura, të cilat në të ardhmen mund të jenë akoma më të mira.

Ju faleminderit!

* * *

Televizioni Publik Shqiptar: Një pyetje për Presidentin kroat. Presidenti Topi sapo na njohu me një kërkesë që ju ka drejtuar ju për liberalizimin e plotë të regjimit të vizave mes dy vendeve. A do e merrni në konsideratë këtë kërkesë?

Presidenti Mesiç: Ne kemi biseduar për regjimin e vizave. Deri në vitin 2000 kemi pasur një regjim të rreptë vizash, i cili faktikisht e ka destimuluar qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Ky regjim vizash ka destimuluar edhe shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Dhe vetëm njerëzit të cilët e njohin mirë njëri – tjetrin kanë mundësi që të punojnë mirë me njëri – tjetrin. Tani do të marrim të gjitha masat që edhe më tej regjimi i vizave të liberalizohet në kornizat maksimale të mundura.

Televizioni Klan: Përfitoj nga rasti që është edhe Presidenti Mesiç. Duke pasur parasysh që ka zhvillime të nxehta në Shqipëri, zoti President si e shikoni fatin e paketës së reformave kushtetuese sot në Kuvend. Dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka rënë në mënyrë të ndjeshme mbështetja që ky grup i rezervonte një prej propozimeve të mbështetura hershëm prej jush, pra zgjedhjes së Presidentit nga populli. Ndërkohë, edhe Partia Socialiste duket kundër këtij propozimi. Si e shikoni fatin e paketës sot? Do të doja të dija edhe eksperiencën e vendit mik, të Kroacisë në këtë drejtim se ka një debat të thellë ku është përfshirë politika shqiptare: nëse Presidenti duhet të zgjidhet nga populli, apo me shumicë votash. Ju jeni zgjedhur nga populli. Faleminderit!

Presidenti Topi: Më lejoni të filloj të përgjigjem, ndonëse po të ishte për modelin, ju mund të përgjigjeshit në mënyrë shumë eksplicite për debatin që ekziston sot. Së pari që është shumë e rëndësishme dhe parimore, Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar, por vendimmarrje konsideron vendimmarrjen politike. Sigurisht Presidenti është garanti institucional dhe i dokumentit themeltar të shtetit që është Kushtetuta. I vetmi, dhe i vetmi prononcim i Presidentit ka qenë pikërisht me kujdesin që duhet të kenë partitë politike që në lidhje me prekjen e Kushtetutës ky proces duhet t’i nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi me konstitucionalistë, dhe kjo ndërhyrje konsiderohet shumë principiale. Mund t’ju them që çështja e prekjes së Kushtetutës, nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. E kthejmë në vëmendjen tuaj, që të mos fokusoheni vetëm tek kjo pikë, se ka një çështje që është zemra besoj e këtij procesi, që është reforma zgjedhore. Është edhe një çështje tjetër, ajo e mocionit ndaj Kryeministrit. Pra, nisur nga kjo unë nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të shprehem në mënyrë absolute se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në Kuvend. Unë i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në funksion të reformave mund të dalë e nevojshme që Kushtetuta të preket. Dhe askush nuk besoj që ka qenë kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave. Por mënyra, shpejtësia, maturia që ka të bëjë me procesin natyrisht që duhet të vlerësohen, sepse Kushtetuta nuk është një ligj i thjeshtë. Gjithësesi, unë inkurajoj një nga proceset reformuese që të jetw në funksion të shqiptarëve dhe institucioneve të tyre dhe jam i prirur të besoj që ndërhyrjet të mos jenë për çështje të interesave të vogla. Lidhur me modelin natyrisht që nuk mund të flas. Kam folur dikur, kur nuk isha në këtë pozicion. Sigurisht që e kam rikonfirmuar atë, sepse në natyrën time mundohem të jem konstant, jo i varur nga pozicionet, por duke pasur Presidentin Mesiç këtu, kam parë dhe kam vlerësuar që një personalitet merr vlerësim të ripërsëritur nga shoqëria, nga populli, dhe pa qenë pjesë e koniukturave të partive politike dhe për këtë unë e admiroj sjelljen politike të zotit Mesiç edhe në funksion të situatave rajonale, ku ai ka qenë një zë i moderuar dhe mjaft konstruktiv.

Presidenti Mesiç: Përsa i përket eksperiencave tona, ne kemi pasur një eksperiencë zgjedhjesh të Presidentit të shtetit në kohën e Jugosllavisë së madhe. Ky ishte një sistem zgjedhjesh shumë i sofistikuar, kështu që ne përpara zgjedhjeve e dinim se kush do të fitonte, atë që ka pasur shanset më të mëdha. Me ndryshimet demokratike, kemi futur një sistem të ri gjysëmpresidencial ku Presidenti kishte disa atribute, disa të drejta më të mëdha se sa Parlamenti. Jo për shkak se një gjë të tillë e ndikonte vetë Kushtetuta, por sepse kjo shikohej në anën ekstensive si një normë kushtetuese. Prandaj në vitin 2000 ne ndryshuam Kushtetutën dhe deri në fund ne futëm në Kushtetutë frymën e demokracisë parlamentare me zgjedhjen e Presidentit në zgjedhjet e përgjithshme. Kështu që Presidenti drejton ushtrinë në kohë paqeje dhe në kohë lufte, përfaqëson shtetin jashtë kufijve të tij dhe brenda kufijve, ai bashkëkrijon politikën e jashtme, emëron ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë, ai bashkëpunon për krijimin e shërbimeve të brendshme informative, ai propozon gjithashtu kandidatët për Gjykatën e Lartë, dhe ka një normë që thotë se Presidenti kujdeset për mirëzhvillimin dhe mbarëvajtjen e punës të institucioneve të tjera të shtetit në përgjithësi. Dhe sipas Kushtetutës sonë Presidenti nuk mund të jetë anëtar i asnjë partie. Prandaj modeli, i cili do të zgjidhet, varet nga çdo vend në veçanti. Ka shtete me një demokraci shumë të zhvilluar, por që në krye të shtetit qëndron monarku. Ka po kështu demokraci shumë të zhvilluara ku Presidentin e zgjedh Parlamenti, por gjithashtu ka Presidentë që në zgjedhje të përgjithshme i zgjedhin vetë qytetarët. Prandaj, Presidenti është i rëndësishëm që të jetë një pikë e fortë e sistemit. Kur të ketë një krizë qeveritare, ose ndonjë krizë të çfarëdolloji tjetër, këto probleme, këto kriza të zgjidhen vetëm nëpërmjet institucioneve, sepse është e dëmshme që këto probleme të zgjidhen jashtë këtyre institucioneve. Ne kemi pasur disa raste të kësaj natyre ku roli i Presidentit në zgjidhjen e këtyre çështjeve ka qenë tepër i rëndësishëm. Do t’ju jap vetëm një shembull kur një grup gjeneralësh që kishte detyrën të mbronte Kroacinë, u munduan që nëpërmjet një pamfleti të inkludoheshin në jetën politike të vendit. Kjo do të thoshte që ata njerëz që duhet të mbronin Kroacinë, duhet edhe ta drejtonin atë. Unë brenda tre minutave të gjithë gjeneralët i nxora në pension, sepse ai njeri që mban përgjegjësi për Kroacinë, është vetëm ai njeri të cilit populli i jep besimin për një gjë të këtillë dhe gjeneralëve i dhash mesazhin se ju mund të merreni sa të doni me politikë, por jo përsa kohë që jeni në politikë, sepse politika është një punë shumë serioze dhe me të nuk mund të merren gjeneralët.

Televizioni kroat: Në Zagreb jeni takuar me biznesmenë kroatë dhe keni biseduar për problemet ekonomike të Kroacisë. Meqënëse ju në këtë vizitë ju shoqëron një grup i madh biznesmenësh kroatë ju lutemi të na thoni se në cilat rajone të Shqipërisë dhe në cilat degë të ekonomisë shqiptare mund të investojnë me siguri biznesmenët kroatë?

Presidenti Mesiç: Në zyrën time në Zagreb unë mblodha një grup të madh biznesmenësh, të cilët kanë praktikë në ekonomi, që përpara medias kroate të dalin me propozimet e tyre si të kapërcehen pengesat që pengojnë zhvillimin në ekonominë kroate. Ka pasur disa diskutime të shkëlqyera, ka pasur gjithashtu propozime të shkëlqyera, të cilat mund të shërbejnë për asociimet ekonomike të qeverisë kroate dhe medias kroate dhe në këto propozime ne po ecim më tej. Pas kësaj ne do të organizojmë përsëri një takim tjetër, por në një profil tjetër, do të mblidhen teoricienë ekonomikë për të analizuar atë që njerëzit merren në praktikë dhe që do të propozojnë zgjidhje në praktikë sa i përket ekonomisë tonë. Sa i përket Shqipërisë, mes nesh nuk kemi asnjë problem të hapur, bashkëpunojmë në mënyrë të përsosur si në marrëdhënie bilaterale dhe në ato multilaterale, por fatkeqësisht nuk kemi bashkëpunimin që duhet të jetë në ekonomi. Por nuk kemi gjithashtu shumë bashkëpunim edhe në sport, edhe në art, por në një masë të konsiderueshme, kjo është rezultat i asaj që tha sot Presidenti i Dhomës së Tregtisë, Nadan Vidosheviç, ne duhet të organizojmë lidhje më të mira mes nesh dhe kjo arrihet nëpërmjet krijimit të linjave më të mira detare dhe ajrore. Dhe me pak përpjekje ne mund ta realizojmë dhe të arrijmë sukses. Përsa i përket edhe lidhjeve tokësore, me rrugë automobilistike, kjo është çështje deri në Igumenicë, kjo është rruga adriatiko-joniane. Aty ku kalon rruga e makinë, aty zgjidhen problemet e zhvillimit, por gjithashtu zgjidhen edhe problemet e bashkëpunimit të ndërmjetëm dhe, e treta, zgjidhet edhe problemi i bashkimit me Evropën. Në 2010 do të vijmë me autostradë deri në kufirin me Malin e Zi. Ngjarja më e rëndësishme është që Evropa e ka kuptuar rëndësinë e një rruge të tillë dhe që me kredi të lira do të ndihmojë Shqipërinë dhe Malin e Zi për ndërtimin e pjesës së tyre të rrugës adriatiko-joniane, sepse nëpërmjet kësaj rruge do të hapet mundësia e lidhjes me pjesën më të zhvilluar të Evropës. Për këtë kemi biseduar dhe shpresoj se do të kemi mjaft ndikim në partnerët evropianë, që të kuptojnë se investimet në vendet në zhvillim, investimet në shtetet në tranzicion do të thotë që është investim edhe për vendet që janë tashmë të zhvilluara, sepse nëse një vend është i varfër atij i duhet vetëm ushqimi, por në qoftë se vendi aktivizon potencialet e veta ekonomike, njerëzore, atëherë ky vend bëhet i pasur dhe atëherë bëhet fjalë për konsumimin e prodhimeve të sofistikuara. Këtu atëherë hapet shansi për perëndimin e zhvilluar, ndërsa për ne është shansi që të bashkohemi me pjesën e zhvilluar të Evropës. Për të gjitha këto ne do të bisedojmë në forumin e biznesmenëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›