E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në Konferencën Gjyqësore Kombëtare.

7 dhjetor 2007

I nderuar Kryetar i Gjykatës së Lartë,
Të nderuar gjyqtarë,
Të nderuar miq, pjesëmarrës,

Është një kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes Konferencën Kombëtare të Gjyqtarëve. Në një moment shumë të rëndësishëm të ecurisë së rerformave në funksion të këtij sistemi mjaft të rëndësishëm që për hir të së vërtetës shkakton mjaft debat. Ju jeni mbledhur në një moment kur do t’ju duhet që të zgjidhni dhe dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga gjiri juaj. Ky është një moment kushtetues, është një detyrim ligjor, është një proces i cili natyrisht do të bëhet. Unë uroj që të bëhet në një terren demokratik, uroj që të bëhet me referencë të asaj që kërkohet sot, nuk po i referohem asaj çfarë thotë politika, sepse pa dashur ta spostoj pikën e referencës tek politika, mund t’ju them që politika shpeshherë konsumon politikë, futet në konsumizëm dhe e ke të vështirë që një ditë më pas të marrë shumë substancë nga politika. Nuk kam bërë ndonjë thirrje origjinale, kur me shqetësimin e Kryetarit të Shtetit jam i drejtuar komunitetit të juristëve, por kam bërë një gjë që është mëse e natyrshme, nëse kërkohet të rrisin parametrat dhe standardet në drejtësi. Kemi dy elementë që na bëjnë që të merremi me këtë komunitet: së pari kërkojmë një pushtet që të jetë i pavarur nga politika, minimalisht, relativisht i pavarur nga politika, sepse eksperincat botërore janë të tilla që edhe në vendet më demokratike prapë ka influencë edhe marrëdhënie reciproke dhe e dyta ata që do të japin realisht mendime të vyera janë profesionistët. Kjo është arsyeja që unë i jam drejtuar komunitetit të gjyqtarëve, të cilët për hir të së vërtetës edhe sot që po flasim nuk janë treguar aktivë. Nuk janë treguar aktiv sepse e kanë patur të vështirë të futen në debat, e kanë pasur të vështirë që të dalin nga kjo situatë ku realisht ka probleme, e kanë pasur të vështirë të futen në debat për shkak të disa konjukturave që janë vendosur, apo e kanë patur të vështirë për shkak të asaj që realisht kërkohet që të bëhet në drejtësi.

Unë sot e kam lirinë e plotë si Kryetar i Shtetit që të bëj një gjykim natyrisht objektiv, të pavarur dhe larg çdo lloj paragjykimi që dikush ende i mban dhe nuk është çliruar. E them këtë sepse sot me cilësinë e Kryetarit të Shtetit unë në radhë të parë kam pasur një pakt me vetveten, për t’u çliruar totalisht që në ditën e parë si President i Republikës nga “background”-i politik, ç’ka do të thotë që qysh nga ai moment, referenca janë Kushtetuta, ligji dhe interesat e njerëzve. Nisur nga kjo edhe nisur nga çfarë tregojnë edhe sondazhet e fundit, kam mëse të drejtë t’i referohem pikërisht asaj që vjen nga sondazhet, që vjen pikërisht nga mjedisi qytetar. Mjedisi qytetar për fat të mirë nuk gabon, por mjedisi qytetar për fat të keq e ka vendosur gjyqësorin në nivelin e dytë të korrupsionit edhe tek çështja e trajtimit të korrupsionit ka vlerësime komplekse. Në rast se shëndetësia del në vend të parë, del për shkak të indeksit të korrupsionit, por me një tjetër lloj korrupsioni, një korrupsion pasiv i cili është shumë i dëmshëm, i cili ka ardhur si pasojë e një klime psikologjike të caktuar në këtë drejtim, por ky korrupsion në drejtësi, merr një peshë shumë më të fortë, sepse është korrupsion aktiv, është korrupsion që vjen nga pozicionet dominante pikërisht aty ky njerëzit shpresojnë prej vitesh që të marrin drejtësinë që atyre në mjaft raste i mungon.

Pra, nisur nga kjo, Konferenca Kombëtare e Gjyqësorit është një forum shumë i rëndësishëm jo thjesht për të zgjedhur dhe për të ushtruar atributet kushtetuese për zgjedhjen e anëtarëve në KLD, por ky është mesazhi që vjen drejtëpërdrejt, pikërisht mbi atë bazë mbi të cilën unë e nisa fjalën time, që duhet të dimë që në këtë situatë, ku sigurisht pas kaq vitesh ka progres, sepse duhet të dimë të lexojmë të dyja anët, ka progres padyshim. Ky shtet pas vitit 92, pra, Parlamenti dhe të gjithë institucionet kushtetuese, janë marrë me reformimin e sistemit, janë marrë me reformimin e ligjeve. Padyshim gjatë këtyre viteve ne kemi patur një ekspertizë të çmuar nga personalitete mjaft të vlerësueshme në këtë linjë. Unë kam rastin t’i falenderoj, një pjesë të tyre i kam këtu përpara, me të cilët edhe jam takuar, të falenderoj pjesën më të shëndoshë të këtij sistemi që kanë qenë bashkëpunues, por nga ana tjetër është e mira që në momentin që nuk do të na duhet të vendosim një diagnozë definitive për sëmundjet që prekin sistemin e drejtësisë, ne duhet të kemi kurajon t’i përballojmë. Unë jam i bindur që debati real përballohet në komunitetin e juristëve. Të gjithë sot flasim për drejtësi. Duke u munduar të jem shumë i kujdesshëm në elaborimin e këtij termi, mund t’ju them që për drejtësi flasin edhe ata që në mjaft raste e kanë patur rastin të japin drejtësi dhe nuk kanë dhënë drejtësi. Pra të gjithë po abuzojnë me termin e dhënies së drejtësisë, ndërkohë kur çdo njeri, në çdo pozicion, qoftë ky në kreun e shtetit, qoftë ky në Parlament, qoftë ky në ekzekutiv, qoftë në administratën shtetërore apo qoftë në institucionet e sistemit të drejtësisë, duhet të bëjë bilancin me veten. Sot janë hapur shumë debate dhe kjo falë terrenit demokratik që ekziston në Shqipëri. Ne themi që ka probleme, por natyrisht që ka edhe progres. Progresi duhet parë më shumë në nivelin strukturor, ndërsa handikapi duhet pare tek problemi i sjelljes së individit në funksion të asaj çfarë kërkohet sot. Sot janë hapur debate të rëndësishme në drejtësi, janë hapur debate të rëndësishme për problemet e pronave, ku dhe brenda ka dhënie të drejtësisë, sot janë hapur probleme deri tek çështja e akademikëve në Shqipëri. Realisht në çdo temë që diskutohet, diskutohet sensi i dhënies së drejtësisë. E them këtë sepse është një debat i hapur, është një debat publik, është një debat që fatmirësisht sot ne e bëjmë në praninë e mediave, është një debat që qytetari mund ta marrë “on-line”. Kështu që fjalë ne kemi konsumuar shumë, është momenti që duhet të precipitojmë me zgjidhje konkrete. Ne kemi patur një shans shumë të madh si vend, jemi një vend i vogël, i cili ka kaluar trauma shumë të mëdha në të kaluarën, por një vend i vogël që gjatë këtyre viteve ka bërë përpjekje po ka pasur një asistencë të jashtëzakonshme nga miqtë. Një vend i vogël nuk mund të çajë i vetëm, nuk mund të çajë dhe nuk mund të bëhet pjesë e sfidave madhore ku ne jemi sot, ne jemi në prag të integrimit, çka do të thotë që kemi pasur asistencë, kemi patur kujdes, por kemi patur edhe kritika. Dhe në këtë sens ne duhet të vlerësojmë edhe kritikat e fundit të miqve ndërkombëtarë. Po të dëgjoni qytetarët dhe me siguri shumë prej jush e dëgjojnë emisionin e mëngjesit, do të shikoni se pavarësisht nga flasin, pavarësisht nga niveli, jo të gjithë kanë një nivel, kuptohet, por të gjithë sintonizohen në një gjë, që po abuzohet shumë me fjalë dhe me termin reformë. Kjo do të thotë që nga niveli i fjalëve realisht duhet kaluar në veprime konkrete.

Juve keni pasur debat natyrisht, sepse ky është një forum shumë i rëndësishëm për të trajtuar edhe problemet e shkeljeve që bëhen midis jush, të cilat trajtohen nga KLD, por duhet të jenë pjesë e një debati të brendshëm. Nuk është bërë sa duhet. Sot e ke të vështirë që të gjesh në media dhe media sot është e larmishme, është voluminoze, e ke të vështirë që të gjesh një kënd ku dalin diskutimet profesionale brenda sistemit të drejtësisë. Unë nuk mund të futem për të thënë se sa të prirur janë lexuesit për t’u marrë me këtë temë, ndoshta janë më të prirur për t’u marrë me tema të konsumizmit mediatik. Është e pamundur që influenca e botës së gjyqtarëve të mos të gjejë akses në media për të debatuar, të mos gjejë akses në media për të dhënë mesazhe, sepse në fund fare, kur nuk ka një pjesëmarrje direkte për të shprehur se çfarë ndodh, atëherë duhet të pranojmë pjesën tjetër që të gjitha akuzat që vijnë për sistemin e drejtësisë, do të pranohen ashtu siç i thonë qytetarët.

Nga kjo pikëpamje ne do të shkojmë të gjithë në një zë për vazhdimin e reformave, kur them vazhdimin e reformave, për perfeksionimin e reformës në gjyqësor, sepse kuadri ligjor nuk është inekzistent. Pra nuk nisemi nga “tabula rasa”. Jemi në momentin kur nëse përdoret termi perfeksionim i legjislacionit, perfeksionimi vjen vetëm nga profesionalizmi. Shumë shpejt, javën që vjen do të organizojmë një takim të rëndësishëm që KLD do të zhvillojë me të gjithë partnerët që do të marrin pjesë në këtë reformim, nga gjyqësori, nga Prokuroria, por edhe nga të gjitha institucionet kushtetuese, do të jenë nga Parlamenti, pra synimi është që nga sensibilizimi, duhet të kalojmë në metodika konkrete. Dhe unë besoj që komuniteti i juristëve do ta implementojë atë vullnet i cili ende është i paformatuar. Unë jam i bindur që e ardhmja do të jetë me progresin e duhur. Por e ardhmja nuk mund të perceptohet në mënyrë të përgjithshme. Kështu që pa diskutim me një kohezion të forcave politike, të cilat nga një vullnet i shprehur në tryezë rreth tre muaj më parë dhe nga një formatim i një komisioni edhe me caktimin e një njeriu në krye të këtij komisioni ka mbetur në vend numëro. Ju e mbani mend shumë mirë që krahas komisionit “ad hoc” parlamentar u konceptua dhe krijimi i një komisioni me profesionistë, me përfaqësues nga të gjitha institucionet e drejtësisë. Kjo është arsyeja. Nuk ka ndonjë modifikim ç’kemi thënë para tre muaj e çfarë po themi tani. Kjo është arsyeja që komisioni i ekspertëve do të ishte një suport shumë i rëndësishëm për komisionin parlamentar. Pra unë mendoj që duhet të ecet paralelisht dhe unë do të jem jashtëzakonisht i vëmendshëm edhe aktiv për të ftuar të gjithë njerëzit të cilët janë në këtë sistem dhe për t’i kërkuar njerëzve më profesionistë që të dalin mbi ujë, të kenë kurajo të hapin tema të mëdha, edhe aty ku konsiderohen tabu, të hapin një debat të kthjellët rreth nevojës së domosdoshme të reformës në drejtësi dhe menjëherë të kalojmë në aprovimin e ligjeve dhe mbi të gjitha ligje që të sigurojnë transparencë dhe përgjegjësi për gjyqtarët. Kështu të fillojë dita e gjyqtarit dhe të përfundojë duke u marrë me veten. Çfarëdolloj teme të diskutosh, ju jeni gjyqtarë, por jeni qytetarë, ju e dini fare mirë, ndoshta e dini më mirë se unë për të gjithë problematikën që ka gjyqësori. Të dalim në një pozicion tjetër, të pranojmë çfarë është arritur, të pranojmë çfarë problemesh ka. Rigjenerimi, e kam thënë edhe diku tjetër, rigjenerimi duhet të fillojë pikërisht nga vetë organizmi i sëmurë. Nëse themi që ne kemi mundësi, themi sepse ky organizëm i ka forcat rigjeneruese. Forcat rigjeneruese janë midis jush, nuk kemi ku i gjejmë. Themi që sistemi gjyqësor do të jetë i pavarur nga politika, nuk mund të jemi të pavarur nga politika sa kohë jeni dipendentë totalisht dhe psikologjikisht nga ajo çfarë mendon politika. Politika ka vendin e vet të domosdoshëm, debati politik është i domosdoshëm, por politika merret me gjithçka, ndërsa materialin, esencën e vërtetë të reformës në drejtësi do t’ia japin pikërisht komuniteti i juristëve. Do t’i kërkojmë ndihmë patjetër edhe ekspertëve ndërkombëtarë në vazhdimësi dhe besoj që në konferencën që do të bëjmë më 12 dhjetor, pra mbas disa ditësh, ju ftoj që të jeni aktivë në këtë konferencë, por mbi të gjitha ju ftoj që të bëheni pjesë e një debati profesional publik.

Nuk dëshiroj të zgjatem, sepse ky është një proces dhe meqë është një proces duhet të ketë disa etapa, por ky proces nuk mund të jetë më i futur në shtrat kronik. Ky duhet të jetë një proces shumë intensiv. KLD e ka detyrë supreme që të japë temat e referencës rreth këtij debati dhe ta fusim për implementim të shpejtë në bashkëpunim të domosdoshëm dhe jetik me Parlamentin shqiptar. Unë edhe një herë ju uroj suksese të gjithëve, uroj që dalim nga kjo lloj situatë, e cila nuk është thjeshtë psikozë, por është situatë reale, uroj që të zgjidhen dy përfaqësues nga më të mirët për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, uroj që të gjithë së bashku të bëhemi një formacion i fortë që drejtësia të jetë profesionale, të jetë totalisht e pavarur dhe e pakorruptuar.

Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›