E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takoi Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Bertone.

6 dhjetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në Selinë e Shenjtë, zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Bertone.

Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për rolin e Selisë së Shenjtë në zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira me Shqipërinë, në inkurajimin e rizgjimit shpirtëror të popullit shqiptar, arsimimin e tij dhe ndihmesat humanitare e shëndetësore, theksoi shembullin e rrallë të vendit tonë ku harmonia dhe toleranca ndërfetare mbizotërojnë marrëdhëniet mes tri feve që praktikohen në Shqipëri, por edhe në Kosovë.

Kryetari i Shtetit evidentoi rolin moderues të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, duke u ndalur në rëndësinë e zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjes së Kosovës si një shtysë për vendosjen përfundimtare të paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan e më gjerë.

Presidenti Topi i përsëriti Kardinalit Bertone ftesën drejtuar Atit të Shenjtë për të vizituar Shqipërinë, duke marrë një përgjigje pozitive që ajo do të realizohet në një kohë të përshtatshme. Presidenti shprehu gjithashtu edhe kërkesën për shqyrtimin e mundësisë për të patur një tjetër Kardinal shqiptar, pas të ndjerit Kardinal Koliqi.

Në fund të vizitës së tij zyrtare dyditore në Selinë e Shenjtë, Presidenti Topi u takua dhe pati një bisedë të ngrohtë e tepër miqësore edhe me Imzot Vinçenco Palian të Komunitetit të Shën Exhidios, kontributi i të cilit për krijimin e kushteve të lirisë fetare dhe demokracisë, si dhe ndihmesa humanitare e shëndetësore, kanë qenë shumë të ndjeshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, etj., që nga viti 1990.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›