E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Presidentit Topi në mbledhjen për zgjedhjen Zv/kryetarit të ri të KLD-së.

16 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) për zgjedhjen e Zv/kryetarit të ri të këtij Këshilli, ku u shpreh:

"Përshëndetje përfaqësues të nderuar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë!

Sot, sikurse është paralajmëruar jemi mbledhur për të shqyrtuar çështjen e lirimit të z. Ilir Panda nga funksioni i tij, pasi siç dihet atij dje i ka skaduar afati dhe do të procedojmë më tej me votimin për Zëvendëskryetarin e ri të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

* * *

Kalojmë në propozimin e kandidaturës që do të zëvendësojë z. Panda në detyrën e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Unë e kam lajmëruar që dje me rastin e provimimit të botimit të librit për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sot po e shpall atë zyrtarisht në KLD. Kam propozuar z. Kreshnik Spahiu, i cili në fakt njihet prej të gjithëve, është kolegu juaj, është një jurist karriere, një njeri që ka punuar në sistemin e gjyqësorit dhe për një kohë të gjatë, z. Spahiu është rreshtuar në shoqërinë civile me një motivacion të qartë për të promovuar luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht gjithçka ka qenë e dukshme sepse z. Spahiu këtë e ka zhvilluar në bashkëpunim me shoqërinë civile, por besoj edhe me kolegët e tij juristë. Është momenti që përpara se të japim konsiderata për vazhdimin e punës në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ne të kryejmë procedurën e votimit dhe do jemi sërish këtu. Përfaqësuesit e mediave janë të lutur të shkëputen në këtë moment për t’u rikthyer sërish këtu në përfundim të këtij votimi dhe për të marrë mesazhet e duhura.

* * *

Z. Kreshnik Spahiu u zgjodh sot në pozicionin e Zëvendëkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. U ndoq një procedurë e tillë: pasi u prezantua kandidatura, u pyetën dhe anëtarët për proçedurën,u pyetën për elementë të veçantë dhe pas disa diskutimeve të shkurtra, që pa e fshehur kishin nota sintonie, z. Kreshnik Spahiu u zgjodh unanimisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të qenë Zëvendëskryetar i tij. Unë me këtë rast dëshiroj të falenderoj të gjithë anëtarët e KLD-së, dëshiroj t’i uroj z. Spahiu sukses në këtë detyrë të rëndësishme dhe në këtë situatë shumë të rëndësishme të vazhdimit të reformës në sistemin e drejtësisë. Padyshim që, ky është një moment mjaft sinjifikativ për mënyrën se si bëhet një rotacion mjaft civil, mjaft demokratik në ditët e sotme.

Z. Panda, konsideratat për të cilin unë i dhashë edhe dje dhe nuk e teproj t’i jap dhe sot, ka zhvilluar një aktivitet mjaft të motivuar dhe profesional gjatë këtyre viteve në një strukturë, e cila është substanciale në sistemin e drejtësisë. Z. Panda me profesionalizmin e tij ka ditur që jo vetëm të ndjekë procedurat e nevojshme, por ai ka ditur të mbajë lart edhe frymën, që është mjaft e rëndësishme në funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Z. Panda ka qenë bashkëpunëtor i Presidentit, i institucionit të Presidentit, pavarësisht nga emri i Presidentit dhe gjatë këtyre 3 muajve e diçka më shumë që unë jam në funksionin e Presidentit të Republikës, z. ilir Panda ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt, me të cilin ne kemi diskutuar gjerë e gjatë për problemet e rëndësishme të drejtësisë, sepse ju e dini që gjatë kësaj periudhe është folur shumë për drejtësinë. Është momenti që ne të kuptojmë që për drejtësinë natyrisht do të flitet, por më shumë do të bëhet. Pavarësisht se mbaron një karrierë në një strukturë, apo pozicion të caktuar, në mënyrë absolute nuk mund të thuhet e kundërta, që përfundon karriera në sistemin e drejtësisë. Kështu që, mund t’ju them hapur, pas anjë lloj gjykimi tjetër që kandidatura e z. Panda është një potencial i fortë për të ndjekur karrierën në pozicione të tjera në sistemin e drejtësisë. Z. Panda unë ju uroj shëndet dhe ju falenderoj edhe një herë për këtë bashkëpunim cilësor dhe mjaft civil që ne kemi patur së bashku!

Me këtë rast shpreh besimin se z. Spahiu në këtë pozicionin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së bashku me ju, përfaqësues të nderuar të këtij Këshilli ne do të vazhdojmë të punojmë intensivisht. E kam thënë dhe diku tjetër, po e them dhe sot se është shumë e rëndësishme që debati për sistemin e drejtësisë të jetë një debat i gjerë, të jetë një debat që duhet t’i përfshijë të gjithë, po mbi të gjitha ky debat duhet të përballohet pikërisht nga përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë. Në vlerësimin relativ të gjërave ky debat duhet të përpunohet së pari nga përfaqësues të KLD-së, ky debat duhet të jetë profesional, ky debat duhet të marrë parasysh nevojat imediate që ka sistemi i drejtësisë për reformim. Kemi patur një shprehje të vullneteve politike dhe është një gjë e mirë që të gjitha partitë politike parlamentare janë shprehur për domosdoshmërinë e marrjes pjesë në këtë proces të rëndësishëm. Tryeza e partive politike ka ardhur në një përfundim për të formatuar një komision të posaçëm parlamentar dhe një komision me përfaqësues profesionistë. Sigurisht, ju nuk jeni persona politikë, jeni përfaqësues profesionistë të KLD-së dhe kjo është arsyeja që ne kemi menduar të gjithë së bashku që të kemi një komision tjetër të posaçëm me profesionistë nga të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, me ekspertë të huaj dhe jam i besimit e jam optimist që kjo punë do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur në Parlamentin shqiptar.

I thashë këto fjalë për të demostruar edhe një herë që vërtet inspirimi për vazhdimin e reformave në drejtësi vjen nga vullnetet politike që projektohen në politikën shqiptare, por barrën e vërtetë do ta kenë profesionistët. Profesionistët duhet të kuptojnë që sistemi i drejtësisë vërtet shkon dhe miratohet në formën e ligjit në Parlament, por ndërtimin e ligjit, argumentimin për të, argumentimin për të gjitha ratifikimet ligjore duhet ta bëjnë juristët, profesionistët për të arritur atë që ne shpresojmë të gjithë, konsolidimin e shtetit ligjor dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga politika. Ky proces po realizohet hap pas hapi. Jemi në momentin kur, në këtë dominancë të këtij diskutimi të madh, ne duhet t’i kthehemi të gjithë realisht punës dhe unë ju bëj një ftesë të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtëisë, të jeni shumë aktivë jo vetëm në debate, në tryeza, por të jeni shumë aktivë edhe në shprehjen e mendimeve, të opinioneve në shtypin e përditshëm dhe debati politik të zëvendësohet gradualisht me një debat profesional në funksion të kësaj çështjeje, ose më mirë, kombinimi i debatit politik dhe debatit profesional në funksion të sistemit të drejtësisë është mjaft i rëndësishëm. Kjo është arsyeja që edhe këtë proces shumë të rëndësishëm ne e bëjmë në prani të medias. E kemi thënë dhe do të vazhdojmë të mbajmë këtë linjë: transparenca është një nga elementet substanciale të aktivitetit të sistemit të drejtësisë. Në rast se kjo transparencë nuk fillon këtu në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, atëherë të mos shpresojmë për transparencë në sektorët e tjerë. Asgjë nuk duhet t’i fshehim publikut. Natyrisht do t’i japin mesazhin e duhur që të gjithë qoftë politika, qoftë profesionistët, qoftë përfaqësuesit e mediave, qoftë shoqëria civile, të gjithë duhet të kontribojnë pikërisht në atë që i duhet qytetarit – një shtet ligjor, drejtësi dhe kjo duhet të bëhet natyrisht hap pas hapi, por me hapa të shpejtë.

* * *

Ky është një moment i rëndësishëm jo thjesht formal. Ju siguroj që në të gjithë këtë proces, z. Panda dhe z. Spahiu kanë gjetur një mirëkuptim të plotë duke dhënë një shembull se si transmetohen funksionet, një shembull për cilindo që në një moment të caktuar ka një funksion për të përcjellë jo thjesht nga pikëpamja formale atë, por për të përcjellë dhe eksperiencën. Kështu është eksperienca e institucioneve në të gjitha vendet e zhvilluara, janë eksperienca që transmetohen. Kjo është arsyeja që reforma në sistemin e drejtësisë nuk ka ardhur në një javë, apo në një muaj, kjo është arsyeja që pas 17 vitesh ne themi që kemi nevojë ende të zhvillojmë reformën në sistemin e drejtësisë. Gjërat bëhen më fine dhe kjo presupozon se sa më fine të bëhen gjërat, aq më shumë profesionalizëm do. Edhe një herë ju falenderoj të gjithëve që morët pjesë në këtë eveniment!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›