E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi merr pjesë në ceremonitë festive të 95 vjetorit të Pavarësisë në Vlorë.

28 nëntor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka marrë pjesë në ceremonitë e organizuara në qytetin e Vlorës me rastin e përvjetorit të 95-të të shpalljes së Pavarësisë.

Në Sheshin e Flamurit, Presidenti Topi është pritur nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i PS-së Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë dhe personalitete të tjera shqiptare nga vendi, Kosova e Maqedonia.

Presidentit të Republikës, Bamir Topi i është paraqitur forca nga Komandanti i Truprojës ushtarake të nderit dhe më pas u bë ngritja e Flamurit, e shoqëruar nga 21 të shtëna artilerie.

Më tej Presidenti Topi, i shoqëruar nga personalitetet e pranishme u janë drejtuar varrit të Ismail Qemalit për të nderuar plakun e urtë që ngriti 95 vjet më parë Flamurin në Vlorë, dhe kanë vendosur kurora me lule.

Në Sheshin e Flamurit ceremonia është hapur me përshëndetjen e Kryetarit të Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika, i cili ka vlerësuar këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës u ka uruar festën të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë kufijve, me një vëmendje të veçantë për popullin e Kosovës.

Më pas Presidenti Topi i shoqëruar nga personalitetet e larta kanë vendosur kurora me lule tek varrezat e dëshmorëve dhe ka zhvilluar një vizitë në familjen me tradita të shquara patriotike të Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi, ku gjyshi i tij, Ibrahim Abdullah, ka qenë bashkëkohës dhe mik i ngushtë i Ismail Qemalit.

Gjatë rrugës për në Shtëpinë Muze të Pavarësisë, Kryetari i Shtetit është takuar e përshëndetur përzemërsisht me qytetarë të Vlorës, të cilët kishin dalë në mënyrë masive për të festuar 95 vjetorin e Pavarësisë.

Në Shtëpinë Muze të Pavarësisë Presidenti Topi ka prerë shiritin e përurimit të vendosjes së dhjetë busteve të antarëve të Qeverisë së Ismail Qemalit,vepra të skulptorëve të ndryshëm shqiptarë. Këtu Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u ka dhuruar Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha kopjen origjinale të Aktit të Pavarësisw, i cili është botuar për herë të fundit në vitin 1937 nga Lef Nosi e që ripublikohet i plotë me emrat e gjithë firmëtarëve 70 vjet më vonë.

Presidenti i Republikës ka marrë pjesë së bashku me personalitetet e tjera të larta ne koncertin festiv "Lulet e Kujtimit" të organizuar në Pallatin e Sportit të qytetit të Vlorës me rastin e kësaj dite të shënuar.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›