E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton investitorët grekë të rrisin praninë e tyre në Shqipëri.

27 nëntor 2007

Athinë,

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u bëri thirrje investitorëve grekë të rrisin praninë dhe kapitalet e tyre investuese në Shqipëri për të përfituar nga klima e favorshme ekonomike e vendit tonë.

Kreu i shtetit shqiptar, në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar anëtarëve të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë greke si edhe përfaqësuesve të shumtë të biznesit grek dhe shqiptar, vuri në dukje periudhën shumë të favorshme ekonomike që po kalon Shqipëria dhe mundësitë që ajo u ofron investimeve në çdo fushë. Këtu Presidenti Topi theksoi edhe kuadrin e duhur ligjor si edhe politikat fiskale të qeverisë përsa i përket hapjes së bizneseve të reja dhe thithjes së kapitaleve vendas e të huaj. Zoti Topi shprehu bindjen që vizita e tij dhe e delegacionit të nivelit të lartë, ku biznesi shqiptar ishte i përfaqësuar me 47 sipërmarrës të suksesshëm, pas takimeve të rëndësishme me Presidentin Papulias, Kryeministrin Karamanlis, Kryetarin e Parlamentit Siufas, etj, do t’u hapë dyer të reja edhe investitorëve grekë për ta rritur praninë e tyre në vendin tonë.

Presidenti Topi u shpreh: “Populli grek dhe populli shqiptar që, ndër shekuj, ndërtuan dhe farkëtuan një miqësi të pathyeshme nga dallgët e historisë, hodhën një urë që, asnjëherë dhe nga askush, nuk u prish.

Kjo ishte ura e bekuar e marrëdhënieve tregtare ndërmjet popujve tanë, ishte ura që bashkë ma mallrat, përcolli kulturën dhe ndjenjat e dashurisë dhe respektit reciprok.

Greqia, ky vend me histori të lashtë; ky vend ku lindën, u zhvilluan dhe u shkruan kodet e hershme tregtare dhe civile të qytetërimit modern, është vendi ku rron, jeton dhe zhvillon veprimtarinë e tij politike, ekonomike dhe shoqërore një popull që, me një bujari të rrallë, ka pranuar në gjirin e tij dhe i dha ndihmën e vet të pakursyer, bashkëatdhetarëve të mij që, tashmë, në Greqi janë pothuajse një milion.

Faleminderit populli i mrekullueshëm grek!
Faleminderit edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë që rrojnë e punojnë në miqësi e harmoni me vëllezërit e tyre grekë këtu në Greqi!

Shqipëria sot është diçka tjetër, larg prej ditëve të zymta të viteve 90 – të, falë përpjekjeve të Popullit Shqiptar, falë përpjekjeve të qeverive tona, falë përpjekjeve të biznesmenëve tanë.

Nuk është çudi që këtu, mes jush, ka nga ata që mund të dëshmojë për kontributin e investitorëve grekë në Shqipëri. Një listë me emra kompanish, një volum mallrash jo i vogël, vlera të konsiderueshme në dollarë amerikanë, ose në euro, kanë domethënien e tyre, por nuk mund të flasin më shumë se sa shpirti i çdo sipërmarrësi grek.

Ekziston një gjuhë që nuk është as gjuha greke, as gjuha shqiptare dhe as gjuha e ndonjë kombi tjetër në Ballkan. Kjo është gjuha e biznesit, gjuha që ka lidhur popujt tanë, gjuha që ka farkëtuar miqësinë dhe respektin ndërmjet popujve tanë.

Jam sot në mes jush i gëzuar sepse, para së gjithash dhe më së shumti, kam rastin e duhur për t’i përcjellë juve: përfaqësueve të biznesit grek një mesazh domethënës, për të investuar në Shqipëri; sepse ne duam që ju të përfitoni nga Tatimi mbi Fitimin (Corporate Tax, ose Presumtive Tax) me 10 për qind, Tatimi mbi të Ardhurat Personale me 10 për qind dhe Tatimi mbi Dividentin me 10 për qind, përqindje nga më të ultat në Rajonin e Ballkanit.

Ka një listë që përmbledh një numër të caktuar biznesesh greke që operojnë në Shqipëri; ka një listë që tregon për investimet greke me peshë specifike të rëndësishme në fushën e telekomunikacionit dhe sistemit bankar, por ka edhe një listë të hapur, e cila pret që, secili prej jush, me dëshirë dhe vullnet të mirë, të renditet në sektorin e prodhimit: për të çuar më tej shifrat ekzistuese të importeve dhe eksporteve tona, shifra që shkojnë jo vetëm për llogari të GDP – së në Greqi, por edhe për llogari të GDP – së në Shqipëri.

Faktet, provat dhe dëshmitë e deritanishme flasin qartë dhe bindshëm për të gjithë ne. Politikës dhe diplomacisë nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të përgatisë të gjitha kushtet që, tregtia dhe investimet të lulëzojnë dhe të mos kenë pengesa.

Gjatë këtyre dy ditëve, kam pasuar biseda shumë të rëndësishme në të gjitha nivelet e politikës dhe institucioneve të Greqisë, me Presidentin e Greqisë, zotin Papulias, me Kryeministrin, zotin Karamanlis dhe një grup ministrash dhe me Kryetarin e Parlamentit të Greqisë, dhe të gjithë, në mënyrë absolute, janë të inetersuar që këto marrëdhënie të forcohen dhe kosolidohen më tej.

Dhe kjo vizitë demonstroi qartë se niveli i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në pikën më të lartë. Por të gjithë, në të gjitha takimet kanë pasur një interes të veçantë për biznesin.

Kanë qenë mjaft të gëzuar kur kanë marrë vesh se Presidentin shqiptar e shoqëron në këtë vizitë një grup prej 47 biznesmenësh, të cilët realisht, e kanë forcuar këtë marrrëdhënie, pa u marrë shumë me marrëdhëniet politike.

Sot jemi në një fazë të re, kur marëdhëniet politike janë të konsoliduara dhe kjo e bën klimën e biznesit më të qetë. Sepse biznesi shkon aty ku ka siguri dhe kjo siguri sot egziston plotësisht në marrëdhënie mjaft komplekse dhe dinamike në të gjitha institucionet.

Sikurse erdha unë në Greqi, shumë shpejt do të vijë në Shqipëri edhe Presidenti Papulias, ka programuar se do të vijë në Shqipëri edhe Kryeministri Karamanlis dhe ka pranuar ftesën e Kryetares së Parlamentit shqiptar edhe Kryetari i Parlamentit grek.

Eshtë shumë e rëndësishme që nivelet e larta të vizitave, të shoqërohen me shkëmbime të të gjitha niveleve, sepse bizensi vërtetë ka iniciativa, sepse biznesi është i guximshëm, se biznesi ka intuitën, por kërkon sigurisht edhe klimën e përshtatshme. Dhe kjo klimë e përshtatshme vjen jo vetëm mbi bazën e marëdhënieve shumë të mira politike, por dhe me harmonizimin e çështjeve, që kanë të bëjnë me legjislacionin fiskal dhe një klimë shumë të favorshme, që sikurse u tha pak më parë, të mos jetë në vlerë e 1 miliardë euro, por brenda një kohe të shkurtër, mund të dy dhe tre-fishohet.

Unë këtë e shoh tek ata biznesmenë që e dinë fare mirë se si e kanë nisur rrugën e tyre me shumë mundim, me shumë kurajo. Ndërsa sot ata janë personalitete të rëndësishëm të fushës së biznesit. jam i bindur, se nesër, ata do të jenë jo vetëm personalitete të shquara, por pjesë e një korpusi që do t'i bëjë biznesmenët, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi, që të organizohen, sikurse janë në Dhomën e Tregtisë, por dhe në ndërmarrje të tjera shumë të rëndësishme që do t'i paraprijnë dhe do t'i japin vlera të veçanta vizitave të nivelit politik, kudo ku ato zhvillohen.

Unë dëshiroj që edhe në emër tuaj, që më shoqëruat në këtë vizitë të suksesshme t'ju falenderoj nga zemra. Të falenderoj nga zemra gjithashtu edhe ambasadorin Minarolli, por dhe Aleksandër Lanin, i cili, duke qëndruar për kohë të gjatë në Greqi, ka arritur të krijojë ura komunikimi, duke shkuar përtej atij interesi të vogël. Pra ai që mendon për të gjithë komunitetin e biznesit, ai meriton të lavdërohet dhe besoj se këtë nuk e ka bërë për t'u lavdëruar, por sepse ashtu e ka ndjerë.

Ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri!”

Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe industrisë së Greqisë, Konstantin Mihalos u shpreh se qeveria greke mbështet në mënyrë të fuqishme integrimin euroatlantik të Shqipërisë ndërsa ka shprehur gatishmërinë për të rritur nivelin e shkëmbimeve ekonomike e të investimeve në Shqipëri.
Edhe Petros Dukas, Zëvendësministri i Jashtëm grek në fjalën e tij është shprehur se Greqia është impresionuar nga arritjet e Shqipërisë, në rritjen ekonomike prej 6%, inflacionin 2-3% e borxhin e ulët publik.Ivestimet greke në Shqipëri janë rreth 1 miliardë euro dhe janë të gjitha mundësitë që kjo shifër të dyfishohet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›