E Diel, 1 Nëntor 2026

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË VLORË ME RASTIN E 95 VJETORIT TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Vlorë, më 28 nëntor 2007

Të nderuar bashkëkombas,
Të nderuar autoritete të pranishme,
Miq, dashamirës, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni,

Jemi mbledhur të gjithë sot në qytetin heroik të Vlorës të kujtojmë dhe të festojmë 95 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar kurorëzoi ëndërrat dhe aspiratat mijëvjeçare të tij duke i dhënë fund sundimit më të gjatë në historinë e tij, sundimit osman dhe duke shënuar kështu kthesën rrënjësore dhe historike për fatet e kombit të tij.
Me vendimin historik të kuvendit të Vlorës, Rilindja Kombëtare arrinte kulmin e saj, sepse pavarësia kurorëzonte luftrat e përpjekjet heroike të brezave të tërë për të kthyer lirinë e humbur, për të gëzuar të drejtën kombëtare dhe për t'i hapur vendit rrugën e zhvillimit e të përparimit. Për herë të parë triumfoi kështu edhe në Shqipëri parimi i kombësisë i shpallur nga rilindasit tanë dhe nga demokracia ballkanike e evropiane qysh në shekullin e XIX. Vendosej kështu në vend një e drejtë e një kombi të formuar në territorin e vet, të banuar pa ndërprerje gjatë shekujve, me gjuhë, kulturë, histori e individualitet të tij, e drejtë e fituar në një luftë të gjatë e të ashpër, e drejtë që i takonte edhe për kontributin e tij të vyer, që kishte dhënë në proceset çlirimtare ballkanike dhe evropiane.

Të dashur bashkëkombas,

Pavarësia e Shqipërisë nuk ishte thjesht vepër e një grupi patriotësh që ngritën Flamurin Shqiptar në Vlorë, ajo nuk ishte një akt i veçuar. Ne të gjithë nderojmë sot kujtimin dhe veprën e madhe të plakut të mençur vlonjat Ismail Qemali dhe të gjithë firmëtarëve të dokumentit të pavarësisë. Ky dokument përbën aktin juridik më të rëndësishëm të historisë së popullit shqiptar, të nënshkruar nga përfaqësuesit e kombit, atë akt të përgatitur gjatë qindra e dhjetra vjetëve, me luftë, vuajtje e sakrifica nga ky popull në të gjitha trevat shqiptare. Prandaj Pavarësia e Shqipërisë nuk ka qenë një dhuratë e Fuqive të mëdha ndaj një vendi që nuk e priste dhe as një krijesë ndërkombëtare e këtyre fuqive. Ajo ka qenë vepër vetëm e kombit shqiptar.

Të dashur motra e vëllezër,
Të nderuar pjesëmarrës,

95 vjet pas kësaj ngjarje të madhe, ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve rrënjësore në Shqipëri, në Kosovë, në rajonin ballkanik, në Evropë e në Botë. Populli shqiptar është jo vetëm pjesë e këtyre ndryshimeve, por edhe aktor i rëndësishëm i tyre. Në përfundimin e dekadës së dytë të demokracisë së re shqiptare, populli shqiptar po përjeton historinë më të shpejtë të integrimit të tij në Evropën e qytetëruar. Shqiptarët janë bërë sot aleatët më të sigurtë dhe të besueshëm të Perëndimit në përballjen e sfidave më të vështira rajonale dhe globale. Ata po tregojnë prirje të vërteta civilizuese, emancipuese, në ndryshim nga veprimet dhe mendimet ballkaniko-mistike që vegjetojnë akoma në mendje apo qarqe të izoluara në rajonin tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Shqipëria ndodhet sot shumë afër qëllimit të saj strategjik e kombëtar. Ajo po bëhet pjesë e asaj së cilës i përket gjeografikisht, Evropës së qytetëruar dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut. Populli i saj dhe e gjithë klasa politike drejtuese është e vendosur dhe e palëkundur për të kontribuar me të drejta të plota brenda këtyre familjeve të mëdha. Samiti i ardhshëm i NATO-s dhe ftesa që ne presim nga Bukureshti, shfaq përballë nesh detyrimin madhor të përshpejtimit të procesit reformues të shoqërisë sonë, të forcimit të shtetit të së drejtës, të ndërtimit të sistemeve të pagabueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të rritjes së mirëqenies së shtetasve tanë dhe të kalimit nga fjalimet shterpë, në programe të zbërthyera në të mira materiale. Koha që humbasim me shigjetime politike majtas-djathtas e anasjelltas, harxhon energjitë tona, zhvlerëson angazhimet tona, humbet besimin ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe zhgënjen thellësisht vetë popullin tonë.

Të ndërgjegjësohemi për të arritur së bashku suksesin, frutet e të cilit do t'i gëzojmë po së bashku ose dështimin, përgjegjësinë e të cilit do të na duhet ta ndajmë po së bashku. Populli ka akoma besim tek politika.

Të dashur bashkëkombas,

Në historinë e gjatë të tij, populli shqiptar është dashur të përballet me shumë padrejtësi historike. Ky mijëvjeçar, me sa duket, do të rikthejë të drejtën e humbur të këtij populli.
Kosova, e cila përbën në thelb procesin e fundit të shpërbërjes së një shteti të ndërtuar artificialisht, të Jugosllavisë multietnike, do të duhet të japë shembullin më të mirë të shpirtit evropian të popullit të vet. Viti 1999 e bëri Kosovën, shembullin në zemrën e Evropës, të fitores të së drejtës ndaj padrejtësisë, të vendosjes së sigurisë ndaj pasigurisë, të shpërbërjes së diktaturës përballë parimeve të demokracisë. Sot, Kosova, më e pavarur se asnjëherë në historinë e saj ndodhet në procesin e pakthyeshëm të mëvetësisë së saj ndërkombëtare. Përshëndes nga ky tubim gjithë popullin e Kosovës për pjekurinë dhe përgjegjësinë që tregoi në zgjedhjet e fundit kuvendore dhe vendore, duke dëshmuar se ka ardhur koha të jetë zot i fateve të vendit të vet.

Akti i pavarësisë, të dashur motra e vëllezër mbylli një epokë të shkëlqyer të Rilindjes Kombëtare për t'u çelur brezave të ardhshëm rrugë të reja. Si e tillë, ajo ka rëndësi, jo vetëm për kohën kur ndodhi e për kthesën historike që shënoi, por edhe për vlerat pozitive që la pas. Ajo ruan vlerën e saj edukuese dhe evropiane për të ardhmen. Prandaj kremtimi i përvjetorit të saj, risjellja në kujtesën e brezave të rinj të veprave të të parëve tanë, vlerësimi i tyre në dritën e dialektikës dhe të së vërtetës përbën një detyrë, jo vetëm për historianët, por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Dashuria dhe respekti për të kaluarën e ndritur janë një dëshmi shprehëse e patriotizmit dhe e vitalitetit të popullit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,
Miq, dashamirës, motra e vëllezër shqiptarë kudo ndodheni,
I dashur popull i Vlorës,

Dëshiroj t'ju uroj të gjithëve sot këtë ditë të madhe të kombit shqiptar.

Dëshiroj të përshëndes sot, në këtë ditë të shenjtë të historisë sonë kombëtare të gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi, në Evropë, Amerikë e në Botën mbarë e t'u uroj atyre festën e madhe të Pavarësisë e të Flamurit.

Rroftë populli shqiptar !

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›