E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjimet që shkatërruan bandat kriminale

Në shumicën e dosjeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, regjistrimi dhe ushtrimi i ndjekjes penale fillon me përgjimet telefonike, vëzhgimet e subjekteve kriminale e të tjera. Metodat speciale të hetimit kanë shkatërruar, gjatë vitit 2007, dy nga organizatat kriminale më famëkeqe në Shqipëri, të udhëhequra nga Aldo Bare dhe Lul Berisha. Dje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar analizën vjetore, ku mori pjesë edhe kryeprokurorja Ina Rama, e cila, pas leximit të raportit të këtij institucioni, ka shprehur besimin e plotë dhe kërkoi që prokurorët e kësaj strukture të vazhdonin me këtë ritëm. Gjatë diskutimeve, drejtuesit e Krimeve të Rënda u ndalën te përgjimet dhe problemet që mbart kjo metodë hetimi. Sipas tyre, do të ishte me shumë vlerë përshpejtimi i procedurave të marrjes së lejes së përgjimit, pasi, në të kaluarën ka pasur probleme me ngarkesën në zyrën kombëtare të përgjimeve. Kjo i ka detyruar disa prej hetuesve t‘i kryejnë vetë transkriptimet. Drejtuesit e Krimeve të Rënda thanë se instalimi i aparaturës në Prokurorinë e Përgjithshme mund të ndihmojë mjaft çështje për të vazhduar me ritme të shpejta, duke përfunduar në kohë dosjet penale. Sipas statistikave, në vitin 2007 janë përgjuar 302 numra telefonikë, me 117 persona. Ndërsa një problem i mbartur i Krimeve të Rënda është mosbashkëpunimi i një kompanie telefonike.

Sekuestrimi i pasurisë

Gjatë periudhës së vitit 2007, Prokuroria për Krime të Rënda ka vijuar punën në drejtim të hetimit pasuror, si dhe kërkesave për sekuestrimin e konfiskimin e pasurive. Sipas raportit, janë gjykuar 11 kërkesa për sekuestrimin e pasurive të të pandehurve apo personave nën hetim. Nga ana tjetër, gjykata ka vendosur verifikimin e të gjitha kërkesave, nga të cilat përmenden tri fuoristrada të ndryshme, pesë autovetura dhe tre kamionë. Ndër të tjera, akuza përmend se janë sekuestruar 134 mijë euro, 34 milionë lekë (të reja), troje dhe tokë bujqësore me sipërfaqe 43 mijë metra katrorë, katër apartamente dhe tri garazhe në Tiranë e Durrës, ndërtime tremijë metra katrorë, hotel pesë kate në Vlorë dhe një lokal në qytetin e Laçit. Sipas raportit të Krimeve të Rënda, në vitin 2007 janë hasur vështirësi në grumbullimin e të dhënave për shkaqe objektive si: informaliteti dhe pasaktësitë në regjistrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, informaliteti në lëvizjen e vlerave monetare etj. Në disa raste, sipas akuzës, pikërisht disa vonesa në moszbatimin e shpejtë të këtyre procedimeve kanë kushtëzuar me ruajtjen e sekretit hetimor, e cila ka sjellë si pasojë tjetërsimin e pasurisë apo zvogëlimin e saj.

Problemet

Krimet e Rënda deklarojnë se gjatë vitit 2007 është tentuar disa herë që të merren të dhëna nga Drejtoria e Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave. Sipas tyre, do të ishte me vlerë bashkëpunimi, për shkak të identifikimit të pasurive jashtë territorit të Shqipërisë. Ndërsa si pikësynime për këtë vit, prokuroria ka marrjen e masave në drejtim të grumbullimit të të dhënave në fazë fillestare. Për sa i përket administrimit të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, gjatë vitit që shkoi, nga ana e agjencisë, nuk është bërë pothuajse asgjë në drejtim të marrjes, administrimit të pasurive të sekuestruara apo mënyrës së përdorimit.

Vlerësimi

Ina Rama: Vazhdoni kështu!

Prokuroria e Krimeve të Rënda është cilësuar nga kryeprokurorja Ina Rama si një ndër prokuroritë që ka punuar dhe ka sjellë rezultate më të mira. Gjatë analizës, Ina Rama i ka kërkuar më shumë kujdes në aplikimin e kërkesave për masën e sigurimit, në kualifikimet e sakta ligjore të veprave penale, veçanërisht në përcaktimin e saktë ligjor të bashkëpunimit në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe organizatës kriminale. "Kryeprokurorja u ka kërkuar drejtuesve të Krimeve të Rënda të vazhdojnë të punojnë në nivel edhe më të lartë profesional, pasi kjo ka të bëjë me faktin që çështjet që hetohen nga kjo prokurori janë të rëndësishme", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Statistikat e dosjeve

54 dosje në gjyq

13 janë pushuar

25 janë pezulluar

27 janë transferuar

374 persona janë të akuzuar

248 janë në burg

32 janë në mungesë

5 janë në arrest shtëpie

22 çështje për drogë

7 çështje për trafik klandestinësh

4 çështje për trafik armësh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›