E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonat, tani mund të përgjohen edhe nga policia, përveç SHISH-it dhe Prokurorisë

Opozita dhe demokristianët japin alarmin se po shkelen të drejtat e qytetarëve me projektligjin e ri për përgjimet. Komisioni i Sigurisë është përfshirë dje në debate gjatë diskutimit të projektligjit për përgjimin e telekomunikimeve. Projektligji parashikon që, përveç SHISH-it edhe policia duhet të ketë të drejtë që të përgjojë telefonat. Por kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës me argumentin se nuk mund të përgjohet askush pa u bindur nëse ai ka bërë shkelje të ligjit. Por, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, ka kundërshtuar akuzat me argumentin se ky projektligj nuk i merr asnjë kompetencë SHISH-it dhe se ai është në përputhje me procedurat e Kodit Penal e të Kushtetutës. Demi theksoi se projektligji nuk ka qëllim që të vërë nën vëzhgim qytetarët shqiptarë, por ka për qëllim që të luftojë krimin e organizuar me sukses. Kjo është një shtojcë që i jep mundësi për arsyet e veta Policisë së Shtetit, që të kryejë këtë në luftë kundër krimit të organizuar. Ndërsa përfaqësuesi i PDK-së në këtë komision, deputeti Jak Ndokaj, i cili është edhe kryetar i komisionit hetimor për përgjimet ka kërkuar shtyrjen e diskutimit të këtij projektligji, deri sa komisioni hetimor të publikojë në Kuvend raportin përfundimtar të tij. Propozim, i cili nuk është marrë parasysh nga deputetët e mazhorancës, megjithëse pjesa më e madhe e anëtarëve të komisionit ishin dakord me propozimin e deputetit të PDK-së. Projektligji i ri kërkon të bëjë disa ndryshime në ligjin e vjetër dhe konkretisht në nenin 12 të ligjit të vjetër të shtohet edhe një fjali me këtë përmbajtje: "Bëhet përjashtim vetëm për proceset teknike të përgjimit, për llogari të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të cilat i realizojnë ato nëpërmjet seksionit të tyre të përgjimeve, të atashuar në seksionin e përgjimeve në SHISH". Ky projektligj kërkon të përcaktojë se operatorët e telekomunikacioneve duhet të lejojnë organet e autorizuara me ligj të veçantë për të përgjuar, regjistruar dhe riprodhuar komunikimet e kryera në rrjetin e tij, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe me rregulloren e nxjerrë. Sipas projektligjit, është përfunduar dhe është gati për t‘u vënë në funksionim mjedisi dhe pajisja që bën të mundur ndarjen e sistemit ekzistues të përgjimeve të telekomunikacioneve në dy sisteme të veçanta: i pari në funksion të ekzekutivit të veprimtarisë informative, sistem, i cili do të vijojë të qëndrojë në mjediset e SHISH-it, i dyti, në funksion të hetimeve paraprake, i cili do të funksionojë në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Projekti është financuar nga autoritetet britanike dhe synon të rrisë memorien e pajisjeve, si dhe standardet e sigurisë e të besimit për përgjimet procedurale. Në projektligj kërkohet që përgjimet e autorizuara nga data 1 mars 2008 brenda kushteve të sigurisë teknike të transferohen në pajisjen e instaluar në mjediset e zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm brenda afatit 1-10 mars 2008. Projekti është përgatitur në bashkëpunim të plotë me asistencën ligjore të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Ndryshimet janë bërë edhe për përgjimet parandaluese.

Drafti

Kush i realizon përgjimet

Në ndryshimin e ligjit për përgjimet shtohen edhe Prokuroria dhe Policia, si institucione që kanë të drejtë të bëjnë ndërhyrjen në bisedat telefonike fikse dhe ato të lëvizshme. Proceset teknike të përgjimit për Policinë e Shtetit dhe për të gjitha shërbimet e tjera informative realizohen nga sektori i përgjimeve në SHISH, ku operatorët e përgjimeve pa përjashtim, janë punonjës të këtij shërbimi. Dinamika e deritanishme ka treguar se ka pasur mosndjekje në kohë të përgjimeve, për shkak se operatorët e SHISH-it punojnë sipas organizimit të brendshëm të punës, në këtë institucion dhe si pasojë kanë dështuar disa herë masat parandaluese. Sipas argumenteve të paraqitura, gjykohet se është e domosdoshëm që Policia e Shtetit të ketë seksionin e vet të përgjimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›