E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari, barazim surprizë në Elbasan

Flamurtari ka arritur të marrë një tjetër rezultat pozitiv në transfertë, duke treguar se pavarësisht luhatjes në këtë pjesë të parë të kampionatit, mbetet një skuadër mjaft cilësore. Vlonjatët këtë radhë kanë barazuar 2-2 përballë Elbasanit në fushën e këtij të fundit, ndonëse vendasit dukeshin se po shkonin drejt një fitoreje të lehtë që në minutat e para të ndeshjes. Një përmbysje befasuese e Flamurtarit që ka arritur t‘i bëjë ballë një prej skuadrave pretendente të këtij sezoni, edhe pse në disavantazh dhe në inferioritet numerik. Ndërsa Elbasani duhet të qajë gabimet para portës dhe sidomos pavëmendjen në mbrojtje, pasi nuk ka arritur të ruajë avantazhin prej dy golash të krijuar që në minutat e para të ndeshjes. Bardheblutë gjetën golin e avantazhit që në minutën e 4-ët falë një 11-metërshi të Bejzades, të fituar pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Veliu. Pas shtyllës në Ahmatjat në minutën e 5-të dhe dy rasteve radhazi, vjen shumë shpejt edhe goli i dytë për ekipin e Alimehmetit. Nuhiu gjen të lirë Xhafën që nuk gabon, duke dërguar topin në rrjetë. Gjithçka duket se po shkon drejt një fitoreje të thellë të Elbasanit, që i afrohet shumë herë portës së mbrojtur nga Bërdufi. Por Flamurtari kundërsulmon rrezikshëm dhe pasi humb dy raste të pastra me Zhunior, shkurton diferencën me anë të Canit në minutën e 42-të, pas një kundërsulmi të shpejtë që finalizohet nga sulmuesi shkodran me një parabël mbi portierin Lika. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të vendasve, të cilët në 45 minutat e dyta gjejnë edhe epërsinë numerike pasi Guga dënohet me karton të kuq. Por Flamurtari nuk tërhiqet dhe gjen në minutën e 67-të edhe golin e barazimit me anë të kapitenit Rustemi, i cili shfrytëzon një dalje të gabuar të Likës për të dërguar topin në rrjetë. Pavarësisht tentativave të njëpasnjëshme të elbasanasve, takimi mbyllet 2-2, duke bërë që Flamurtari të ruajë vendin e 7-të, ndërsa Elbasani të parakalohet edhe nga Tirana në luftën për vendin e katërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›