E Diel, 1 Nëntor 2026

I paftuar ne ekonomine e tregut

Ujë kemi dhe ujë kërkojmë...!

Një vit më parë botova artikullin "Mballoma socialiste" për zgjidhjen e furnizimit të popullit me ujë. Tre fakte të reja më nxitën "oreksin" të "ripërtyp" artikullin me moton: "Ujë kemi e ujë kërkojmë". Fakti i parë. Djali im ka tetë muaj që jeton në Japoni. Ka shkuar të bëjë ‘master‘ për ekonomi në Hiroshima. Ka marrë një apartament me qira. Disa ditë më parë, me ndërmjetësinë e internetit bëra këtë bisedë:

KOSTOJA E UJIT NË HIROSHIMA

Unë: Sa dollarë paguan çdo muaj për drita dhe ujë?

Ai: Fatura e dritave, luhatet mes 15 dhe 20 dollarë në muaj. Fatura e ujit është më e rëndë, mbi 60 dollarë.

Unë: Në Tiranë, buxheti familjar rëndohet më shumë nga fatura e dritave...

Ai: Çdo familje ka dy burime furnizimi me ujë. Një për të pirë. Ka rrjet më vete. Tjetri për t‘u përdorur për banjë, larje etj. Çdo pallat ka dy impiante. Njëri për pastrimin e ujërave dhe rifutjen në rrjet të tyre. Tjetri për të grumbulluar dhe përpunuar ujin e shiut. Teknologji e lartë që nuk mund të mbijetojë, nëse çmimi i ujit është më i ulët se sa kostoja e prodhimit... Në Japoni, "fati" i çmimeve vendoset në treg: Kosto e prodhimit, oferta dhe kërkesa.

BERISHA KUNDËRSHTON BODEN PËR TARIFËN E UJIT

Fakti i dytë. Disa muaj më parë, në një nga mbledhjet e qeverisë u diskutua për tarifën e ujit të pijshëm. Ministri i Financave, Ridvan Bode, argumentoi pse duhet të ngrihen tarifat. Është e ulët. Disa herë nën kosto. Pasojat: Ndërmarrjet dalin me humbje. Nuk kanë para për të investuar. Nuk kanë para për të shlyer detyrimet, sidomos ndaj KESH-it. Me një tarifë të tillë, uji nuk mund të futet në ekonominë e tregut. "I paftuar" në ekonominë e tregut, furnizimi me ujë bëhet me "mballoma" socialiste, d.m.th. një problem i pazgjidhur.

I pari që kundërshtoi ishte Kryeministri Berisha. Argumentet e Kryeministrit ishin politike. Ministrat e tjerë qëndruan të vakët. Në fund fitoi politika: Tarifat nuk lëvizën nga istikami. Morali: Përsëri uji do të mbetet jashtë ekonomisë së tregut. Fakti i tretë. Qeveria vendosi: Ndërmarrjet e Ujësjellësit, të krimbura nga borxhet dhe në prag falimentimi, të kalojnë nën varësinë e pushtetit lokal. Një masë administrative. Një ndryshim tabele. Ishin në varësi të qeverisë, bëhen në varësi të bashkive a komunave.

LIGJI I VLERËS PËR UJIN E AMBALAZHUAR

Kush është "arkitektura" e tregut të ujit në Tiranë? Kryeqyteti ka tre tregje. Së pari, tregu privat i ujit mineral. Në Tiranë qarkullojnë disa marka të prodhuara në vend. Ka ujë të ambalazhuar që importohet, kryesisht, nga Italia dhe Greqia. Çdo vit disa qindra mijëra euro. Kur ka nisur të lulëzojë ky treg? Nga dita kur u bë liberalizimi i çmimeve të mallrave në vitin 1992. Një litër ujë kushton 400-500 lekë të vjetra, gati-gati sa një litër qumësht. Por mund ta "shijosh" edhe me çmim të "kripur", kur ta servirin në lokalet luksoze të Tiranës. Me një çmim të tillë, biznesmenët fitojnë më shumë se sa shpenzojnë për të importuar. Me fitimet nga shitja, sigurojnë fonde për të shlyer investimet në ngritjen e linjave moderne, për të konkurruar importin, brenda ligjeve të ekonomisë së tregut. Vetëm në këtë treg, të rregulluar me ligjin e vlerës (ofertë, kërkesë), kurrë nuk ka munguar sasia, cilësia, asortimenti.

Së dyti, tregu i rezervuarëve mbi tarraca dhe në bodrumet e pallateve. Sipas ekspertëve, për këtë treg janë shpenzuar mbi 100 milionë euro. Nuk ka pallat të ri që të mos ketë në projekt rezervuarë për ujë në bodrume. Nuk ka pallat të vjetër, pa tarraca të mbushura me rezervuarë për çdo familje. Këtu duhen shtuar shpenzimet për pompa dhe energji elektrike. Një paradoks, kur Tiranës nuk i mungojnë burimet e ujit.

Së treti, tregu shtetëror i ngritur mbi "mballoma" socialiste, ka si "personazh" kompaninë e Ujësjellësit. Mbi kompaninë qëndron një bord drejtues. Deri dje, bordi varej nga ministria. Sot nga bashkia. Në kompani uji trajtohet si mall belik. Janë të njohura skenat kur shpohen tubacionet, jo vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Kudo rrjedhin rezervuarët e vendosur mbi tarraca. Ka kompani private, që paguajnë çdo gjë, me përjashtim të faturave të ujit. Në shumicën e rasteve mungojnë sahatët që matin konsumin e ujit në familje. Kur ka sahate, nuk ka kontroll. Çdo muaj faturistët vëzhgojnë hahatët e elektrikut. Për sahatet e ujit askush nuk e vë ujin në zjarr. As kompania. As qeveria. As shtypi. Faturat llogariten për frymë. Një familje me tre persona paguan 5 dollarë në muaj për ujin dhe 40 dollarë për energjinë elektrike, edhe pse kostoja e prodhimit të ujit është më e shtrenjtë se energjia. Investimet për hidrocentralet e ndërtuara mbi Drin deri në vitin 1985, janë vetëshlyer. Investimi për Bovillën, do të "rëndojë" edhe disa vite në koston e prodhimit të ujit. Rrjeti i Ujësjellësit është i amortizuar. Një pjesë, e ndërtuar që para luftës. Kusuri në epokën e socializmit.

PAGUANI NJË PIKË UJË, PËRVOJE NGA MEKSIKO

Në Shqipëri, ndërsa flitet për kapitalizëm, për ujin ndiqet rruga socialiste. Me "mballoma" socialiste është mohuar ligji i vlerës. Cila do të ishte rrugëzgjidhja? Më parë le të ndjekim si u zgjidh furnizimi me ujë i Meksikos? Kryetari i bashkisë shtroi sloganin: "Paguani një pikë ujë... për të pasur ujë me bollëk...". Me këtë filozofi, nuk ishte problem sigurimi i parave për të investuar, për të siguruar kredi, për të dalë kompanitë me fitim. Me këtë filozofi, uji u fut në ekonominë e tregut. Sa herë që shtrohet ideja për të investuar në ujësjellës në Shqipëri, sytë drejtohen nga qeveria. Qeveria "kullot" buxhetin e shtetit ose donatorët! Me këtë rrugë kemi 17 vjet që punojmë. Dhe ëndrrat mbetën ëndrra.

Uji që administron shteti ende nuk është futur në treg. Uji ende nuk trajtohet si mall. Furnizimi me ujë i Tiranës, ndjek filozofinë e ekonomisë së planifikuar dhe centralizuar.

FORMULA MAGJIKE...

Me "mballoma" socialiste, kurrë nuk mund të zgjidhet furnizimi me ujë i Tiranës. Rrugëzgjidhjet duhen kërkuar brenda ekonomisë së tregut. Ideja e hedhur pesë vite më parë nga avokat Ngjela, gjatë fushatës elektorale, për futjen e ujit në treg, në kuptimin figurativ është revolucionare për mendjet e ndryshkura të politikanëve. Si ekspert i ekonomisë, unë do të propozoja një formulë të njohur: INVESTIM + KREDI + IMPORT = ÇMIM + SUBVENCION. Për të kuptuar esencën e kësaj formule, duhet të kthejmë kokën prapa. Le të qëndrojmë në vitin 1992. Problemi më i madh për qeverinë "Meksi" ishte furnizimi i popullit me bukë. Çfarë reforme bëri qeveria "Meksi"? Së pari, liberalizim i çmimit të bukës më 26 korrik të vitit 1992. Për të mbrojtur qytetarët nga ngritja e çmimit të bukës, qeveria përcaktoi një fond për subvencionim. Ky subvencionim u bë për çdo familje. Me këtë mekanizëm ekonomik, u rrit norma e fitimit dhe u shtua në mënyrë të ndjeshëm importi nga biznesmenët. Pas tre muajve "humbi nga zhargoni" frika nga mungesa e bukës! Klasik ishte viti i mbrapshtë 1997 dhe viti 1999, kur 600 mijë kosovarë qëndruan për muaj të tërë në Shqipëri! Përse të mos bëhet kjo përvojë objekt debati mes ekspertëve edhe për furnizimin me ujë? Pak a shumë mund të ndiqet kjo formulë. Në treg, uji duhet të shitet me një çmim që duhet të ketë brenda këta elementë. Së pari, koston e prodhimit. Së dyti, TVSH-në. Së treti, fitimin e kompanisë. Pikërisht në këtë moment qeveria fut në "lojë" subvencionin për të mbrojtur qytetarët. Kjo "mbrojtje" e qytetarëve duhet të zgjasë deri në momentin e privatizimit të kompanisë së Ujësjellësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›