E Diel, 1 Nëntor 2026

Poezia si një komunikim i "vështirë"…

Poezia është një komunikim i "vështirë". Është një bisedë inteligjente dhe e sofistikuar. Kjo është më e vërteta gjë, që vazhdon të thuhet e të mbetet dhe në realitetin e komunikimit virtual të kohërave moderne. Është komunikimi më ekzakt, që vë në punë "evolutivët" më ekzistencialë të njeriut, sa asnjë lloj komunikimi tjetër nuk mund t‘i afrojë ndjesishëm dhe emocionalisht njeriun e antikitetit me atë të kibernetikës. Ajo i ka pranëvënë kaq afrueshëm njerëzit, edhe pse mes tyre ka mijëra vjet largësi, teknologji të pakrahasueshme, evolucion mendor dhe shkencor të pamendueshëm.

Një eseist i njohur e quan poezinë një "rend i prishur i komunikimit të zakonshëm". Qe,- një prishje e rendit të fjalëve deri në "absurd", por prej këtij "rendi të prishur", ajo ka "ndërtuar" dhe ka mbajtur jetën e vet, sa që vazhdon të mbetet komunikimi më elitar. Një mbijetesë, në saj të paradokseve, ku kuptimet, gjymtyrët gjuhësore, "fshihen", e janë diku aty, për të mbetur një komunikim perfekt.

1.

"…njani-tjetrin n‘rruza t‘dritës vështuem,/ të qeshën sytë selvishtat zambaku,/ buzët kur ndeshëm në padashje caku…" (Ftyra kujtimesh. F.Ferra, 1952)

dhe:

"Dikush e ngeci kohën në thembrën e Akilit,/ të ketë përshkruar vallë shigjeta,/ pluhurin kozmik…" (Këto pesëmijë vjetët e fundit. F.Ferra, 2005)

Në pjesën më të dukshme me çfarë poeti ka organizuar mendimin poetik (poezia e parë është sonet dhe e dyta varg i lirë), duket se "sundojnë" elementët metaforikë. Në të dyja figurat, ku janë qendërsitë poetike, duket një koherencë funksionale. Dy poezitë, dy metaforat, kanë mes tyre 53 vite hapësirë. Kanë lëvizur kohët, mendjet e njerëzve, rrymat poetike, shkollat poetike, konceptet dhe gjykimet për poezinë, ndërsa metaforat duket se kanë mbetur antologjike.

Sot vazhdon të ketë një lloj përplasjeje konceptesh, lidhur me opinionet e të pëlqyerit të poezisë, të vlerësuarit të saj. Lexuesi i thjeshtë konsideron si gjënë e parë emocionin. Ai thotë se më pëlqen dhe kaq, pa u ndërmendësuar se si është krijuar kumti, "kurthi", që e bën atë ta lexojë poezinë, as ndërtimi i "kështjellës" së fjalës apo detajit poetik, që e mban në marrëdhënie me kohët dhe njerëzit poezinë dhe elementë të tjerë, të cilët "strehohen" brenda saj.

2.

Ferra shmang marrëdhëniet komentuese, që në letërsi "thirret" koment. Në "podin" e marrëdhënies së tij me lexuesin, ai ka një ide komunikimi (s‘mund të ketë poet jashtë këtij realiteti), me çfarë duket se marrëdhënia e parë është ajo estetike, pastaj ajo emocionale, ajo shoqërore dhe së fundi, ajo historike, duke qenë njëherësh bashkë.

Në historinë e njohur të poezisë botërore dhe asaj shqipe, ka shembuj të mrekullueshëm lidhur me këtë "harmoni" komunikimesh. Vëllimi "Nata pa agim" ndoshta ka qenë më i vështiri për autorin. Tashmë ai ka një "stature" në poezinë shqipe. Dhe kjo është më e rëndësishme, sepse poezia shqipe vazhdon të jetë në një terren dhe mbijetesë delikate, ku llojet e komunikimeve, duket se nuk e gëzojnë e as e realizojnë harmoninë e vet.

Ferra është një poet që vizaton me poezinë e tij. Ai sjell aromë dhe ajër. Ai përcjell dhe ndërton kumte me ndjesi të brishta, kur "përkundet" në kujtesën epike, duke qenë më shumë i ndjeshëm se sa kronist.

Në vëllimin e ri janë të gjitha llojet e komunikimeve poetike. Poeti përsëri na sjell brilante poetike të shkruara 40 a 50 vite më parë, ku të gjithë kohët, ato historike, ato poetike dhe të autorit, plazmohen dhe sjellin një komunikim të mrekullueshëm koherent dhe modern. Të arrish të komunikosh dhe të krijosh një marrëdhënie bashkëkohësie është një realitet modern.

3.

"Qendërsia" poetike në poetë të ndryshëm është e ndryshme. Në këtë kontekst duket se ngjashmëria është një kod universal i inteligjencës dhe njohjes, që qëndron mes komunikuesve estetikë. Në shumë pak raste është evidentuar kjo. Ndoshta për shkakun e pamundësisë, për shumë arsye, që poetët kanë pasur dhe kanë për të krijuan veçanësi.

Prej këtij "qëndrimi", natyrisht i formësuar kështu për shkakun e njohjes me një poezi të tillë (si ajo e Ferrës), unë mendoj se "qendërsia" poetike jo gjithmonë duhet të jetë një "plan kordinativ", i dukshëm, i shpallur, me çfarë jemi mësuar ta konsiderojmë të parën për gati 50 vjet në Shqipëri.

Poeti e "ul" në tokë komunikimin epik dhe atë historik. Lufta dhe bëma legjendare bëhet e prekshme. I pari qe Kuteli, që i pranë vuri kreshnikët me njerëzit e epokës sonë. Po kështu na i sjell dhe Ferra, natyrisht përmes poezisë, që ka aromë epike, pa qenë epikë. Ai realitet preket përmes ndjesisë së saj, përmes "ekzistencës" së saj. Në njohjen dhe kujtesën që ka për shqipen (gjuhën), poeti arrin të sjellë perla dhe virgjëri të jashtëzakonshme, që e bëjnë poezinë e tij, veçmas elementi thelbësor, mbi çfarë ai e ngre figurën poetike dhe mundësinë e përcjelljes së kumtit dhe emocionit (teoria e percepsionit, "Figura" Zhënet), të nevojshme për inteligjencë poetike dhe njohje gjuhësore.

Poezia "Bukuria që vret" e ka qendërsinë e vet poetike në vargun e saj të parë. Poeti arrin ta mbajë "gravitetin" e lartë të saj, në saj të zotësisë gjuhësore dhe poetike që ai zotëron. Të kësaj gjendjeje janë dhe poezitë: "Kremastari", "Legjenda e Veriut", "Ave Cezar", "Diej të vdekur mbi lëkurë", "Brilanti i dhimbjes", "Përtej urës", "Nata pa agim", "Fytyra kujtimesh" etj. Janë poezi që kanë një organizim të tillë gjuhësor dhe simbolik, të cilat e mbushin me dendësi emocionale të mëdha të gjithë kumtin dhe horizontin poetik të poezisë në vetvete dhe pa më të voglin dyshim janë dhe "lëndë" teorike për poezinë shqipe. Poeti ka ditur dhe ka mundur ta zgjedhë lëndën nga shumësia simbolike dhe mundësia mbi të cilën mund të ndërtosh metafora të shumta për gjendje të tilla.

Kompozita të tilla si: teminat e ojmet, - (teminat e ojmet e ciganes), myku i vdekjes, - (ngarkuar me mykun e vdekjes), trëndafila t‘plagëve, - (vdesin mejdanet në trëndafila t‘plagëve), vorrin e grabitjes,-(që përqeshin vorrin e grabitjes), padashje caku, - (buzët kur ndeshëm në padashje caku), qumështin e gurit, -( qumështin e gurit në terr të rrënjës), mure makthi, thekë hapin, - (shtat njoma thekë hapin e vet n‘tërthore), pendë njëzetë korbash,-(pendë njëzetë korbah krihnin duert e saj), burgu i flaktë i kurmit, - (burgu i flaktë i kurmit t‘saj), pash me melodi,-(dridhjen e gushës pash me melodi), n‘petk t‘malsisë, - (shtatin e hedhun shtërngua n‘petk t‘malsisë), e sendërtojnë jo vetëm artistikisht poezinë e Ferrës, por e sjellin atë si një realitet i mrekullueshëm gjuhësorë.

Pra është një poezi ku duket dhe të lejon mundësinë për ta konsideruar lëndë poetike të mirëfilltë marrëdhënien gjuhësore dhe vetë gjuhën. Në shumë vende të botës, poetët e mirë kanë themeluar gjuhët kombëtare. Të gjitha mrekullitë poetike të poezisë më të mirë të botës janë krijuar në saj të marrëdhënieve gjuhësore.

4.

Poezia e mirë është si ajo toka e mbjellë që vazhdimisht mbin. Koncepti nuk ka të bëjë thjeshtë me kohën poetike apo të poezisë, në marrëdhënien që ajo ka me veten dhe elementët që e mbajnë, ku dhe koha është njëri nga konceptet thelbësorë të saj. Është një raport fundamental i njeriut që e akumulon poezinë kohë pas kohe.

Një poezi e mirë lexohet vazhdimisht, sepse ajo të "josh" si një bukuri dhe "kod", që zbulohet pjesë pjesë, qoftë për shkakun e njohjes, kuptueshmërisë dhe arsye të tjera, që lidhen me realitetin dhe kompleksin e marrëdhënieve e që e bëjnë të kuptueshme. Abstragueshmëria ka të bëjë me mendjen e shkencëtarëve, ashtu siç ka të bëjë mendja e poetit për të ndërtuar figurën poetike. Por kur ajo vjen tek lexuesi, raporti nuk është si ai që poeti ka me atë që ka për detyrë të marrë nga muza dhe fantazia e tij. Lexuesit duhet t‘i serviret e tillë, që ai ta akumulojë atë. A nuk e mësojmë këtë nga letërsia e përbotëshme?!

Jo gjithmonë kuptohet njëlloj Iliada dhe Odiseja. As njëra dhe as tjetra nuk lexohen vetëm njëherë. Ashtu dhe poezia më e mirë, është një tokë e mbjellë, që vazhdimisht mbin. Ajo nuk ka stinë dhe cikle.

Në poezinë e Ferrës, ka një "mekanizëm" brilant me çfarë ai e mbush me "energji" dhe që çlirohet vazhdueshëm në të gjithë tekstin poetik. E provuar mrekullisht në Eposin e Kreshnikëve dhe në poezinë më të mirë shqiptare, poeti Ferik Ferra përdorë yllësinë poetike. Pikërisht yllësia poetike duket se është pjesa që vazhdon ta mbajë poezinë e mirë një "tokë të mbjellë" e që vazhdimisht mbin.

Tek Ferra ndesh yllësi poetike të dialektit të Veriut: tërthore (në kuptimin për të shkuar poshtë), nargjillë (pipa e duhanit), deniku (mot i keq, rrufe gjëmime, d.m.th kijamet), tbanë (kësollë), thekë (me ecë shpejt), leqet (lak, në kuptimin dhe me ba hile), ruba (shami balli e burrave në veri), pash (hapsira mes dy krahëve të hapur horizontalisht), ternuem (u thava, u pakësova për ty), rrmore (rrugë e pjerrët), lurojnë ( bëjnë zhurmë), leckana (leckaxhi, fukarallëk), konisë (me marrë rrugën), njelmi (kripa e lotit kur të bie mbi gjuhë).

Kuptohet qartë, ato janë fjalë, emërtesa dhe leksema të tilla, që krijojnë marrëdhënie intensive dhe me ngarkesë. Në to duket dhe diktohet rruga, mënyra dhe koha e formimit të tyre. Janë fjalë ku është shtresuar dhe ka mbetur aktive koha historike, kur ato u bënë efektive, shprehëse dhe të konsiderueshme për poezinë. Janë fjalë me një informacion të dendur gjuhësor dhe semantik, që i kanë qëndruar dhe që konsiderohet se do t‘i qëndrojnë kohës, herë të vendosura në poezi, herë në kushtet të tjera që i kërkon koha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›