Tirana vazhdon marshimin drejt kreut
Pasi ka vuajtur për shumë javë në gjetjen e identitetit, Tirana ka filluar të bëjë atë që di më mirë: të fitojë! Bardheblutë triumfuan edhe në Lezhë, përballë Besëlidhjes vendase dhe tashmë e shohin veten në vendin e katërt në renditje. Edhe pse jo me lojë të bukur, skuadra e drejtuar nga Astrit Hafizi fiton me shifrat 2-0, falë golave të realizuar nga Klodian Duro dhe Florenc Arapi. Tashmë bardheblutë ndodhen vetëm gjashtë pikë larg Dinamos kryesuese, por më e rëndësishme është se skuadra ka regjistruar fitoren e katërt radhazi, ndërkohë që në gjashtë ndeshjet e fundit ka marrë 5 fitore dhe 1 barazim. Gjithsesi, më shumë sesa shifrave, kundërshtarët duhet t‘i tremben faktit se Tirana është rikthyer skuadra që të gjithë njihnin: e aftë t‘i merrte pikët e plota edhe kur nuk ishte në ditën më të mirë. "Kishim shumë vështirësi, pasi kushtet nuk të favorizonin të luaje futboll ashtu si duhet. Pavarësisht erës së fortë dhe fushës së keqe, skuadra u ambientua shpejt dhe arriti të përfitonte", deklaroi trajneri Hafizi. "Mendoj se fitorja ishte e merituar, pasi zgjidhëm mirë momentet që na u krijuan. Megjithatë, edhe pse morëm tri pikët, nuk kemi qenë në ditën tonë më të mirë".
Serinë e golave për kryeqytetasit e ka hapur mesfushori i kombëtares, Klodian Duro, me një goditje dënimi nga distancë e largët në minutën e 22-të. Goli i ka hapur rrugën triumfit të bardhebluve, të cilët kanë edhe një objektiv të fundit deri në pauzën dimërore: "Jemi në ngjitje e sipër nga ndeshja në ndeshje, ka vazhduar Hafizi. Shpresoj që të arrijmë rezultate pozitive dhe dy ndeshje që kemi dhe ta mbyllim sa më mirë këtë vit. Në qoftë se do të vazhdojmë kështu, mendoj se skuadra do të arrijë rezultate të mira". Lezhjanët kanë provuar të reagojnë, por në të 37-ën, sulmuesi Miçiç nuk ka arritur të devijojë në rrjetë një kros të Stratit. Ndërkohë, skema me tre sulmues e ka paraqitur Tiranën si një skuadër shumë të rrezikshme në fazën ofensive. Miqtë kishin shansin të dyfishonin shifrat menjëherë pas fillimit të fraksionit të dytë të lojës, me Daniel Xhafajn, por tentativa e sulmuesit dështon edhe falë ndërhyrjes së portierit lezhjan. Goditja e "Ko" është dhënë në minutën e 68-të, me Florenc Arapin që godet fort një top të kthyer nga goditje këndi. Kjo është rrjeta e tretë radhazi për mesfushorin e ri, pas atyre të realizuara me Shkumbinin dhe Skënderbeun. Me këtë humbje, situata e Besëlidhjes vazhdon të qëndrojë e komplikuar, por trajneri Neptun Bajko është shprehur optimist: "Luajtëm brenda mundësive që kishim dhe nuk kam vërejtje për kryerjet e detyrave taktike. Për mua ekipi është në rrugë të mbarë për atë objektiv që ne kemi. E kam thënë edhe një herë, udhëtimi me shpresë është gjeja më e mirë që duhet të bëjmë për të arritur aty ku duhet. E rëndësishme është që mos të humbasim shpresën". Javën e ardhshme Tirana pret në fushën e saj Besën, në atë që mund të konsiderohet si sfida e "hakmarrjes". Humbja e fundit e bardhebluve është shkaktuar pikërisht nga kavajasit, në takimin e luajtur në javën e pestë.
Java 15
Të premten
Partizani-Kastrioti 2-1
Bakaj 32‘, Muzaka 90+1‘ (11m) / Rizvanolli 59‘
Dje
Elbasani-Flamurtari 2-2
Bejzade 4‘ (11m), Xhafa 10‘ / Cani 42‘, Rustemi 67‘
Besa-Skënderbeu 2-0
Xhihani 17‘, Hamzai 90‘
Dinamo-Teuta 2-1
Ferraj 84‘, Pejiç 88‘ / Gega 10‘
Besëlidhja-Tirana 0-2
Duro 22‘, Arapi 68‘
Sot
Shkumbini-Vllaznia
Klasifikimi
Skuadra N F B H gol. Pikë
1. Dinamo 15 9 4 2 21-5 31
2. Partizani 15 8 5 2 23-9 29
3. Besa 15 8 3 4 19-10 27
4. Tirana 15 7 4 4 19-13 25
5. Elbasani 15 6 6 3 13-8 24
6. Vllaznia 14 5 7 2 19-12 22
7. Flamurtari 15 5 6 4 14-14 21
8. Shkumbini 14 4 5 5 12-15 17
9. Kastrioti 15 5 1 9 11-22 16
10. Besëlidhja 15 3 3 9 12-27 12
11. Teuta 15 3 2 10 10-22 11
12. Skënderbeu 15 2 2 11 18-34 8
Golashënuesit
10 gola Ngjela (1) (Skënderbeu)
8 gola Sinani (Vllaznia), Pejiç (Dinamo)
7 gola Muzaka (3) (Partizani), Bejzade (3) (Elbasani)
6 gola Tiko (2) (Skënderbeu), Plaku (1) (Dinamo), Bakaj (Partizani), Xhihani (Besa), Duro (1) (Tirana)
5 gola Elokan (Besa)
4 gola Stojku (Shkumbini), Fortuzi (1) (Tirana)
3 gola K. Dalipi, Qorri (2) (Shkumbini), Sefa, Arapi (Tirana), Gjyla, Abilaliaj (Partizani), Roshi (1), Petrevski (Besëlidhja), Veliaj (2) (Besa), Hysa (Teuta), Mema (2) (Flamurtari), Rizvanolli (Kastrioti), Xhafa (Elbasani)