Zenga zgjedh rolin e komentatorit
Duket se Valter Zenga nuk do të jetë një nga kandidatët për stolin e përfaqësueses shqiptare, pasi preferon më shumë të luajë rolin e komentatorit sportiv. Ish-portieri i famshëm i kombëtares italiane pritet të jetë zëvendësuesi i Fabio Kapelos në studiot e televizionit "Rai", në emisionin "Domenica Sportiva". Pas emërimit të Kapelos si trajner të kombëtares angleze, nevojitej një tjetër teknik për të bërë komentin e ndeshjeve në studio dhe drejtuesit e "Rai"-t mendojnë se Zenga ka tashmë eksperiencën e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Ish-portieri italian mendohej të ishte një nga alternativat më serioze për stolin e përfaqësueses shqiptare pas largimit të Oto Bariç, duke qenë edhe tekniku i parë që ka kontaktuar me presidentin Duka menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Por, zgjedhja e tij për t‘iu bashkuar një emisioni televiziv në Itali tregon qartë se as ai vetë nuk shpreson që një marrëveshje e tillë të realizohet me drejtuesit e FSHF-së. Si për ironi të fatit, përkrah tij në studio do të jetë një ish-trajner i Shqipërisë, italiani Xhuzepe Dosena.