E Diel, 1 Nëntor 2026

Starova, përballë Skënderbeut vjen fitorja e parë te Besa

Besa rikthehet te fitorja pas pesë javëve në kampionat. Me rezultatin 2-0 të regjistruar në fushën e tyre përballë Skënderbeut, skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova ka hedhur pas krahëve rezultatet negative, mbi të gjitha tri humbjet radhazi në ndeshjet e fundit. Nga ana tjetër, trajneri kryeqytetas arriti triumfin e parë në krye të verdhezinjve, tre javë pasi ka zëvendësuar rumunin Dumitresku, të larguar pa arsye. Përveç 3 pikëve, sihariqi i Besës në takimin e luajtur dje ka qenë rikthimi i Herbi Fortunat. Sulmuesi nga Mali është bashkuar sërish me skuadrën në orët e vona të mbrëmjes së të premtes dhe duke parë mungesën e alternativave në sulm, Starova nuk e ka menduar dy herë ta aktivizojë si titullar: ndërkohë, në skuadër janë ende në pritje të sulmuesit tjetër, meksikanit Edende Elokan që është larguar në vendlindjen e tij.

Loja ka filluar e qetë dhe pavarësisht se kërkonte fitoren me çdo kusht Besa ka vendosur të mos nxitojë, por të godasë në momentin e duhur. E kështu ka ndodhur: në mundësinë e parë të paraqitur, Parid Xhihani nuk ka falur. Në minutën e 17-të, kapiteni i kavajasve ka shfrytëzuar daljen e gabuar të portierit Llapanji dhe fare pranë portës nuk e kishte të vështirë të përshëndeste rrjetën. Pak çaste më vonë ka qenë sërish Xhihani që është shfaqur i vetëm me "gardianin" korçar, por ky i fundit është treguar deciziv, duke larguar rrezikun me këmbë. Nga kampi tjetër, Skënderbeu ia ka besuar të gjitha manovrat sulmuese Ngjelës, por golashënuesi më i mirë i kampionatit në këto 15 javë nuk ka mundur të bëjë shumë përballë mbrojtësve kundërshtarë. Përpara pushimit 15-minutësh mes pjesëve të lojës ka pasur kohë edhe për spektaklin e Fortunat. Sulmuesi shkëputet mjaft bukur, duke kaluar çdo kundërshtar që i dilte përpara, por në momentin e fundit është rrëzuar dhe nuk ka mundur ta dërgojë topin në rrjetë. Gjithsesi, driblimet kanë ngritur peshë entuziazmin mes tifozëve kavajas, që e kanë duartrokitur gjatë lojtarin nga Haiti. Pjesa e dytë e takimit fillon me miqtë menjëherë në sulm dhe me portierin Dura (i cili ka zëvendësuar mes shtyllave Zendelin që po provohet në Rusi), në rolin e heroit. Në të ‘50-ën "gardiani" ka shpëtuar një gol të sigurt, duke u hedhur me guxim në këmbët e Ngjelës që ka gjuajtur vetëm nga pak metra distancë. Goleadori korçar ka provuar sërish 10 minuta më vonë, por pa arritur të barazojë shifrat. Që prej këtij momenti, kavajasit janë zgjuar dhe kuptuan se nëse nuk do të shënonin sërish, 3 pikët ishin në rrezik. Goli i dytë i takimit, që vulosi edhe shifrat finale, është realizuar në minutën e 90-të nga Romeo Hamzai, detyra e të cilit ka qenë vetëm të shtynte në rrjetë asistin e Fortunat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›