Gjyqtarët, bojkot protestës për akuzat e klubeve
Gjyqtarët shqiptarë duket se preferojnë të bëhen epiqendër e akuzave të drejtuesve të klubeve. Një gjë e tillë duket qartë nga fakti se asnjë prej "xhaketave të zeza" në ndeshjet e kësaj jave të Kategorisë Superiore nuk ka respektuar protestën e ideuar nga Shoqata e Gjyqtarëve. Kjo e fundit nëpërmjet drejtuesve të saj reagoi gjatë javës për akuzat e njëpasnjëshme të klubeve të ndryshme për gjykimin e njëanshëm, duke e quajtur si të pabazuar një gjë të tillë. Përveç paralajmërimit për bojkot të aktivitetit, Shoqata e Gjyqtarëve bëri të ditur se do të jepte sinjalin e parë të protestat gjatë kësaj fundjave, duke filluar takimet me 10 minuta vonese. Por vetë gjyqtarët nuk e kanë respektuar këtë protestë në ndihmë të tyre, si për të provuar se janë të kënaqur me gjendjen aktuale, ose më keq, se akuzat e klubeve janë plotësisht të drejta. Takimet e Kategorisë Superiore kanë filluar në orarin e paracaktuar nga FSHF-ja në kalendarin e aktivitetit. Çudia më e madhe ka ndodhur në Elbasan, pasi "Ruzhdi Bizhuta" ka qenë i vetmi vend ku ndeshja ka filluar me 10 minuta vonesë. Fillimisht mendohej se ndërkombëtari Sokol Jareci, pjesëtar i kryesisë së Shoqatës së Gjyqtarëve, do të respektonte vendimin e protestës së nënshkruar nga vetë ai pak ditë më parë. Por çuditërisht, në pushimin e ndeshjes, versioni "zyrtar" i Jarecit ka qenë se Ahmataj i Elbasanit kishte pësuar një kontraktim dhe ishte pritur derisa ai të ishte në gjendje për të hyrë në fushën e lojës. Ndërsa versioni "jozyrtar" i kësaj çështjeje është se treshja e gjyqtarëve në Elbasan ka preferuar që të mos e cilësojë veten të ndarë nga pjesa tjetër e "xhaketave të zeza" në vendin tonë, duke preferuar që të trillojë një dëmtim inekzistent për të mos deklaruar se është respektuar protesta e vendosur nga Shoqata. Kaq mjafton për të kuptuar që vetë gjyqtarët nuk dëshirojnë që gjërat të ndryshojnë në futbollin tonë dhe se shpesh meritojnë etiketimet që u vihen nga klubet.