E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të ndalen vdekjet në minierë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar nga strukturat shtetërore të ndihmojnë financiarisht familjet e minatorëve të vrarë në minierën e Bulqizës, ndërsa u ka premtuar minatorëve se do të ushtrojë autoritetin e tij për të mundësuar miratimin sa më shpejt të statusit të minatorit. Këto dy çështje ishin në qendër të bisedave që Presidenti i Republikës zhvilloi dje në qytetin e Bulqizës. Ndalesa e parë e Presidentit Topi ka qenë në familjen e minatorit Njazi Alliu, të vrarë ditën e shtunë në galeritë e minierës së Bulqizës. Pastaj Presidenti ka rezervuar një pritje të veçantë për familjet e minatorëve të rënë në minierë, që është zhvilluar në ambientet e bashkisë. "Jo vetëm ndihmë morale për ju, por edhe ndihmë materiale, që të zbusim sadopak këtë dhimbje të madhe", tha Presidenti në këtë takim. Ai shtoi se ky është një moment jo i lehtë për të ndarë dhimbjen, pasi janë jetët njerëzore që ikën, por janë edhe problemet e shumta që ata lënë pas, sidomos për mirërritjen e fëmijëve të tyre. Presidenti tha më tej se "historia e tragjedive të ndodhura në minierë duhet të ndalohet". Takimin e tretë, Presidenti Topi e zhvilloi në ambientet e Qendrës Kulturore të Bulqizës, me përfaqësues të kompanisë ruso-austriake, që administron aktualisht minierën e kromit, si dhe përfaqësues të sindikatës së minatorëve. "Jam këtu, tha Presidenti, për të ndarë me ju shqetësimet e krijuara nga ngjarjet e rënda të ndodhura në minierë, si dhe për perspektivën e saj në të ardhme. Kam ndjekur me vëmendje atë që është tentuar të rregullohet, por fatkeqësisht më duhet të pohoj se tragjeditë janë kthyer në ritual. Fakti që kemi prapë viktima e errëson progresin e bërë në minierë", vijoi më tej ai. "Ka ardhur koha që mineralin e kromit, këtë resurs të madh për Bulqizën, ta kthejmë në mirëqenie për familjet bulqizake dhe jo në dhimbje për familjet e minatorëve të rënë. Të shkojnë paralel interesi i firmës për rritjen e prodhimit dhe plotësimi i kushteve të sigurisë në punë për minatorët", tha Presidenti. Ndër gjërat që ngjallën më shumë interes për minatorët ishte premtimi i Presidentit për statusin e minatorit. Sipas Topit, projektligji do të shkojë së shpejti në Parlament për miratim. "Statusi, tha Presidenti, rregullon shumë gjëra për minatorët dhe për gjithë procesin e punës në minierë, duke përfshirë edhe kushtet e sigurisë. Ndaj urgjentisht shteti duhet të vendosë përmirësimet ligjore, duke ecur në linjën e realizimit të dhënies së statusit për minatorët". Presidenti kërkoi edhe që sindikatat të harmonizojnë veprimtarinë e tyre me strukturat e shtetit. Pastaj takimi ka vijuar pa praninë e mediave. Në të gjitha këto takime, Presidenti u shoqërua nga kryetari i Bashkisë Bulqizë, Roland Keta dhe deputetët e zonës, Sali Shehu, Genci Sharku dhe Rrahim Koleci.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›