Fluksi në kufi gjatë festave, Policia e Shtetit shton personel
Policia e Shtetit shton personelin në pikat e kalimit kufitar me rastin e festave të fundvitit. "Nga ana e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në bashkëpunim me agjencitë e tjera që operojnë në kufi, janë marrë masat e nevojshme për të përballuar fluksin e hyrje/daljeve me rastin e festave të fundvitit", thuhet në njoftimin e policisë. Sipas saj, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar, rritjen e sistemit të sigurisë së kufirit, krijimin e kushteve normale në përpunimin e shtetasve shqiptarë dhe të huaj që hyjnë/dalin nga Republika e Shqipërisë, kontrollin e personave me precedentë policorë dhe kapjen e atyre të kërkuar nga policia, në bashkëpunim me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në kufi, agjencitë e udhëtimit dhe me homologet e vendeve fqinje është shtuar personeli nga pala shqiptare për të përballuar situatën. "Në zbatim të urdhrave dhe porosive të dhëna Departamenti për Kufirin dhe Migracionin ka përgatitur dhe dërguar në strukturat vartëse të saj një plan masash si forcimin e bashkëpunimit brenda strukturave të policisë dhe me agjencitë e tjera që operojnë në kufi, komandimin e një personeli shtesë dhe të trajnuar për shtimin e posteve të punës në pikat e kalimit kufitar", thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit. Sipas saj, në të gjitha PKK, sidomos në ato që kanë fluks janë shtuar nga 5-10 sportele me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit dhe eliminimin e vonesave, forcimin e masave për vëzhgimin dhe kontrollin e kufirit shtetëror për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore, kalimin e paligjshëm të kufirit, trafikimin e lëndëve narkotike, lëndëve plasëse etj. "Rëndësi i është kushtuar respektimit të Kodit të Etikës Policore në komunikimin me shtetasit që hyjnë/dalin nëpërmjet PKK-ve dhe marrjen e masave për të goditur veprimet abuzive në detyrë nga ana e këtij personeli.
Rritja e bashkëpunimit dhe intensifikimi i kontakteve me strukturat homologe të policive kufitare të shteteve fqinje të Greqisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë për zbatimin e detyrimeve reciproke dhe marrëveshjeve kufitare për zgjidhjen e situatave që mund të lindin në kufi", detajohet në njoftim. Më poshtë, policia thotë se në të gjitha PKK-të janë vendosur numra telefonikë për t‘u ardhur në ndihmë shtetasve dhe për të denoncuar rastet korruptive të punonjësve të policisë. "Janë marrë të gjitha masat për komunikim të menjëhershëm me PKK-të për ndjekjen e aktivitetit të tyre dhe dhënien zgjidhje problemeve që mund të lindin në kufi. Për këtë ditët e pushimit në qendër qëndron një përfaqësues i Departamentit në zyrat e tij për të komunikuar me PKK", thotë policia. Sipas saj, gjatë 24 orëve të fundit si rezultat i punës së personelit të kufirit janë arritur këto rezultate; janë bllokuar 35 dokumente, janë kapur 4 persona në kërkim, janë prapësuar 9 shtetas të huaj në kufi, si dhe është bllokuar një makinë luksoze fuoristradë tip "TUAREG".
Fluksi i hyrje-daljeve në 24 orët e fundit:
Vlorë Rinas Sarandë Kapsht. Durrës Kakavijë
Dalje e shqiptarëve 97 761 63 1026 1017 1813
Hyrje e shqiptarëve 1150 2423 136 5713 4427 7725
Dalje e të huajve 10 234 4 67 277 65
Hyrje e të huajve 85 558 3 68 871 73