E Diel, 1 Nëntor 2026

Gorre, aty ku Krishtlindjet bashkojnë të gjitha fetë

Kanë më shumë se 14 vjet që kryejnë ritualin e përvitshëm, atë të festimit së bashku, kristianë e myslimanë, të pritjes së momentit të lindjes së Krishtit. E njohur si ish-kooperativa e parë bujqësore në Myzeqe, Gorreja, një fshat 17 kilometra larg nga Lushnja dhe po aq nga Fieri, fshat që shtrihet përgjatë rrugës kombëtare Lushnjë - Fier, jep shembullin më të rrallë në vend, duke përcjellë nga një komunitet qindra familjesh mesazhin e unitetit dhe të bashkimit, larg mërive dhe hasmërive. Çdo mbrëmje të 24 dhjetorit banorët e fshatit Gorre mblidhen së bashku dhe festojnë. Një komunitet prej më shumë se 300 familjesh, duke qenë se kishën e vetme të zonës e kanë rreth 6 kilometra larg fshatit, kanë zgjedhur prej vitesh ish-kinemanë e fshatit, sot një qendër rinore, si ambientin për të pritur lindjen e Krishtit. Nga banorët mësohet se kanë afro 14 vite që e festojnë. Gjithashtu, prej tyre informohemi se nga viti në vit programi i festës është pasuruar me organizime të ndryshme e të reja që përcjellin vetëm hare dhe gëzim. Edhe mbrëmjen e kaluar, pas përfundimit të punëve të përditshme dhe pas përgatitjeve për festë, banorët e Gorresë i janë drejtuar vendit të përvitshëm. Nga shtëpitë e tyre marrin gjithçka dhe në festë kanë mundësi vetëm të gëzimit. "I përgatisim ushqimet gjatë ditës për në mbrëmje. Është kënaqësi të festosh, aq më shumë në një fshat. Kënaqemi dhe jemi një shembull i mirë për të gjithë vendin dhe më gjerë", të thotë Astrit Capi një prej banorëve. Ndërkohë që kryeplaku i fshatit, Agim Daka, pasi jep urimin përshëndetës, është shprehur për gazetën "Shqip" se "kemi përjashtuar nga festa ftesat e politikanëve apo përfaqësuesve të politikës vendore e qendrore. Është një festë e gjitha e jona dhe kështu do të mbetet. Është një pasqyrë e nivelit tonë se ku jetojmë, por është sërish mjaft bukur të marrësh pjesë".

Sipas tij, të gjithë janë njësoj dhe përjetojnë të njëjtin emocion para një aktiviteti të tillë që organizator kanë vetveten dhe dëshirën për të qenë bashkë. Orët e haresë dhe dëfrimit kanë vazhduar deri pas mesnate, atëherë kur dhe lindja e Krishtit thyen çdolloj mërie të mbajtur gjatë një viti dhe dita e nesërme për këtë zonë mbërrin e heshtur dhe në paqe të plotë. Vitet e fundit ka filluar që kjo festë të nisë me një koncert nga fëmijët e fshatit, të cilët këndojnë dhe lodrojnë përpara prindërve. Ata simbolizojnë të ardhmen. Më pas aktiviteti vijon me këngë, urime e valle. Ndërsa gjatë saj zhvillohet një minillotari, fituesit e së cilës, që numërohen rreth 70 të tillë përfitojnë nga një dhuratë simbolike. Gjithashtu, edhe karnavalet janë pjesë e mahnitshme e festës. Këtë vit, sipas kryeplakut dhe organizueses kryesore, mësuese Zanës, mësojmë se kanë mundur të sigurojnë 15 mijë lekë të reja. Këtë shumë organizatorët e kanë përdorur për të siguruar ndriçimin e pakët me llamba dhe me gjenerator, kur energjia kufizohet për fshatin, si dhe për pagesën e një orkestre. Shuma edhe këtë vit, si dhe vitet e kaluara është mundësuar nga aktivitetet private të zonës dhe asnjëherë për të nuk i janë drejtuar komunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›