Kambistët largohen në mënyrë vullnetare nga trotuaret
Tregu informal i këmbimit të parave në trotuaret e njërit prej kryqëzimeve më kryesorë pranë shatërvanit të qytetit të Sarandës, është gdhirë dje i zbrazur. Atje nuk janë dukur si zakonisht kambistët e kërkuar sidomos nga emigrantët e kthyer në atdhe për festat e fundvitit. Ushtruesit e palicencuar të këtij aktiviteti kanë lënë vullnetarisht vendqëndrimet jo për shkak të festës së Krishtlindjeve. Ky reagim i heshtur i më shumë se 17 kambistëve që endeshin në trotuar duke kërkuar klientelë për të bërë këmbim valutor, ka ardhur pasi është mësuar se forcat policore dy ditë më parë kanë bllokuar aktivitetin e paligjshëm dhe të rrezikshëm njëherësh në pika kyçe të këmbimit të valutave në disa nga qytetet kryesore të vendit. Fakti që jo pak kambistë në qytete të tjera u shoqëruan nëpër komisariate dhe miliona lekë e valutë u sekuestruan nga uniformat blu, ka bërë që skenat e zakonshme të kambizmit në trotuar të mos përsëriten nga dita e djeshme, madje pa qenë nevoja e dëbimit të kambistëve sarandjotë me forca policore. Ushtruesit sarandjotë të kambizmit në këto trotuare kanë pranuar tërheqjen nga një veprimtari e dënueshme me ligj, përballë rrezikut për t‘u dënuar me burg dhe kërcënimit me humbje të parave. Kambizmi i palicencuar, i kryer në kushte klandestiniteti, që ushtrohet prej vitesh edhe në qytetin e Sarandës, ka shënuar kohë pas kohe incidente, të cilat nisin nga vjedhjet, goditjen e disave prej tyre me sende të forta për qëllime grabitjeje, deri te humbja e jetës në dy raste. Largimi vullnetarisht nga trotuaret e njohura, ku ushtrohej kambizmi në mënyrë klandestine, tashmë është një "dorëheqje" e vullnetshme. Nuk ka gjasa që ky aktivitet i paligjshëm dhe i rrezikshëm njëherësh të mos rikthehet më në ditët dhe në vitin që vjen. Kjo kuptohet edhe si siguri se Saranda nuk do të ketë më as viktima të tregut informal të parasë.