Rezervuari kinez për plehrat e qytetit
Rreth 30 vjet pasi nga qyteti i Elbasanit janë larguar specialistët kinezë, falënderimi ndaj tyre duket se do të përcillet nga gjithë qytetarët, por më shumë nga pushtetarët vendor. Rezervuari gjigant që projektuan dhe ndërtuan kinezët, duket se do të vlerësohet më i dobishëm se kurrë. Në të janë parashikuar të grumbullohen të gjitha mbetjet e gurta të qyteteve të Elbasanit dhe Cërrikut. Propozimi për shfrytëzimin e tij është bërë nga institucioni i këshillit të qarkut në mbledhjen e fundit ku ka asistuar edhe ministri Sokol Olldashi. "Specialistët tanë kanë studiuar gjer në detaje dhe janë të mendimit se rezervuari i Dambës, ndërtuar nga kinezët në Komunën Papër, mbetet e vetmja alternativë për zgjidhjen përfundimtare të grumbullimit të mbetjeve të ngurta të këtyre dy qyteteve", ka deklaruar kreu i Qarkut të Elbasanit, Ardian Turku. Nëpërmjet një videoprojektori, është paraqitur pamja e rezervuarit në këndvështrime të ndryshme, largësia nga qendrat e banimit, kapaciteti i tij dhe rrugët e shfrytëzimit. Sipas specialistëve, kapaciteti i tij është afërsisht 9 milionë metra kub dhe vetëm 5% e volumit gjer tani është i mbushur më prurje natyrore. Është llogaritur që Elbasani për më tepër se një shekull e ka të zgjidhur problemin shumë të mprehtë të gjetjes së një "grope" të madhe ku do të mund të hedhë mbetjet e ngurta, sasia e të cilave i kalon të 50 mijë tonët në vit. Aktualisht, vendi provizor i grumbullimit të plehrave të qytetit të Elbasanit është konsideruar se "bomba tjetër ekologjike, veç Metalurgjikut, për më tepër se 150 mijë banorë". Prej dhjetëra vjetësh ky qytet i grumbullon këto mbetje në natyrë, pikërisht aty ku lumi i Shkumbinit kalon////////////// fqinjë me varrezat e qytetit. Ndotja, nga djegia e tyre në natyrë, të paktën mbetet prezente në tri lagje, "Krastë e Vogël", "Çlirimi" dhe "Shënkoll", popullsia e të cilave llogaritet në rreth 20 mijë banorë. Zgjidhja e hedhur nga specialistët e qarkut, edhe pse kërkon jo pak fonde, zgjidh përfundimisht "lakun" e qeveritarëve lokalë, por dhe shuarjen e protestave të përsëritura nga një pjesë e madhe e qytetarëve elbasanas.