Frika, ikin familjet e hakmarrjes
Vrasja e dyfishtë në fshatin Çast të Velipojës, e ndodhur dy ditë më parë, ku mbetën të vrarë nënë e birë, Age e Platin Filipi, ka marrë përmasa edhe më të rënda. Gjithë meshkujt e fisit të autorit të vrasjes, Arjan Zefit, i cili është prangosur menjëherë pas ngjarjes nga policia, janë ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Ndërsa familja e autorit, e cila banonte fare pranë banesës së viktimave, mbrëmë në mesnatë, në shoqërinë e forcave të shumta të policisë, dhe masave të forta të sigurisë, është transferuar në një tjetër banesë, adresa e së cilës mbahet sekret nga policia, nga frika e hakmarrjes. Burime konfidenciale nga Policia e Shkodrës pohuan për gazetën se qëndrimi i familjes së autorit në banesën e tyre ishte mjaft i rrezikshëm, madje nga vetë familjarët e autorit është kërkuar marrja në mbrojtje nga policia, pasi kishin frikë nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Në këto kushte, forca të shumta të bluve të Shkodrës, madje dhe një grup i FNSH-së, kanë marrë gruan, dy fëmijët dhe prindërit e Arjan Zefit, autorit të vrasjes, duke i nxjerrë jashtë zonës së Velipojës, në një vend të sigurtë, që mbahet në fshehtësi për arsye sigurie. Dje, një ditë pas vrasjes, njerëz të shumtë hynin e dilnin në familjen Filipi, ku mbetën të vrarë dy pjesëtarë të familjes, Age Filipi 56 vjeçe, kryetare e PS-së për Velipojën, dhe i biri i saj, Platin Filipi, 20 vjeç. Por vetëm 200 m më larg ndodhet banesa e autorit të vrasjes, e cila tashmë është boshatisur dhe aty shihen vetëm policë, të cilët vazhdojnë të mbajnë nën mbikëqyrje banesën boshe, nga frika e ndonjë akti hakmarrës, duke djegur banesën apo vendosur eksploziv. Mësohet se kushërinjtë e parë të autorit të vrasjes, që banojnë po në atë fshat, të jenë larguar nga banesat e tyre nga frika e gjakmarrjes. Për momentin, ashtu siç e kërkon dhe zakoni e tradita e familjeve malësore, sipas Kanunit, pas vrasjes së kryer, gjithë meshkujt e fisit të autorit të vrasjes janë ngujuar nga gjakmarrja. Ngujimi i meshkujve bëhet në mënyrë të zakonshme pas një vrasjeje dhe pa i dërguar fjalë familja e viktimave, pasi këto janë ligje kanunore, të ditura fort mirë nga familjet malësore. Ndërkohë, dje janë përcjellë për në banesën e fundit, viktimat nënë e bir, të cilët u qëlluan për vdekje nga një breshëri automatiku në një pritë të ngritur nga 27-vjeçari Arjan Zefi. Shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë një konflikt pronësie mes autorit dhe viktimave, ku këto të fundit, një vit më parë, në lidhje për këtë mosmarrëveshje, kanë plagosur Arjan Zefin.
Gjykata e Shkodrës, autorin e plagosjes së Arjan Zefit që është Platin Filipi, e dënon me gjobë, dhe kjo masë e dhënë nga gjykata dhe konfliktet në vazhdimësi, ka bërë që Arjan Zefi të qëllojë për vdekje fqinjët e tij, Platin e Age Filipi, me të cilët kishte prej vitesh konflikt pronësie. Pas ngjarjes, autori Arjan Zefi ka pohuar ta ketë kryer krimin, por në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi viktimat kanë qenë të armatosur me pistoleta, e sipas tij i kishin dërguar fjalë se do ta vrisnin. Një konflikt që nuk u arrit të zgjidhet nga strukturat e shtetit, apo mbase strukturat e shtetit irrituan palët me dënimin e dhënë, që solli një vrasje që më shumë se sa e ndodhur, vrasja ishte paralajmëruar.