Lirohen "vrasësit" e Servete Kullës
Vrasja e Servete Kullës në Itali, disa vite më parë, merr një kthesë të papritur në Shqipëri, ku Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë, ka liruar nga burgu dy autorët e dyshuar Genci Hysa dhe Kujtim Xhaferri (Dani). Këta të fundit, me një seancë sekrete kanë fituar lirinë nga gjykata. Burimet nga togat e zeza, por edhe nga prokuroria thanë se Hysa dhe Xhaferri ndodhen në masën e sigurisë "arrest shtëpie", pasi ndaj tyre kishin mbaruar afatet e paraburgimit. Disa ditë më parë, Gjykata e Apelit riktheu dosjen përsëri në shkallën e parë për mangësi procedurale.
Një tjetër fakt është konstatuar nga avokati mbrojtës i të pandehurve, sipas të cilit, vrasja është kryer nga një shtetas italian. Pas më shumë se katër vitesh në sistemin gjyqësor, vrasja e Kullës për drejtësinë shqiptare duket se do të mbesë pa autor. Faktet e reja, të cilat pritet të paraqiten në seancat gjyqësore nga mbrojtja ngrenë dyshimin se vrasja e Servete Kullës është realizuar nga një shtetas italian, i cili ka marrë dënimin në vendin fqinj për këtë vepër penale. Madje, fashikulli hetimor pritet t‘i serviret Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nëse konstatohet dyshimi, atëherë dy të arrestuarit Kujtim Xhaferri dhe Genci Hysa pritet të fitojnë lirinë e plotë.
Ndërkaq, vetëm disa javë më parë, gjykata jepte vendimin për burgim të përjetshëm për Genci Hysën dhe 25 vjet burg për Kujtim Danin. Sipas vendimit, në 2000, Kulla njihet me Genci Hysën. Prindërit e saj nuk ishin dakord. Pas këmbënguljes, ai e ka rrëmbyer edhe e ka prezantuar në shtëpi si nusen e tij. Në shkurt të vitit 2000 largohen në Itali, ku merr një banesë me qira në Xhenova. Në këtë apartament jetonin 2 vajza rumune dhe dy motra nga Kruja. Ajo është detyruar nga bashkëshorti për të dalë në rrugë si prostitutë. Sipas vendimit, natën e 24 prillit 2001, Genci Hysa dhe Kujtim Dani kishin bërë pazaret e fundit. Servetja do të kalonte përfundimisht në pronësi të Kujtim Danit. Kështu, nga ora 21.50 minuta deri në orën 02.57 minuta, kur është vrarë, Servetja ka qenë duke komunikuar në telefon me Genci Hysën, burrin e saj të rremë. Në datën 25 prill 2002, në një kazan plehrash është gjetur kufoma e një vajze. Ajo kishte veshur një palë geta rrjetë të zeza, minifund, xhup lëkure, mbathje të brendshme të bardha. Sipas gjykatës, kjo veshje tregonte se vajza ishte prostitutë. Është bërë menjëherë identifikimi i saj. Ka rezultuar se ishte vajza me emrin Servete Kulla, nga Shqipëria. Autoritetet italiane kanë bërë verifikimet e mundshme. Në orarin që është kryer vrasja, vajza ka qenë duke prostituuar. Në survejim të tyre kanë qenë të pandehurit, të cilët kanë folur edhe në telefon. Vajza është therur me një thikë, tehu i së cilës ishte 15 cm i gjatë. Pas ngjarjes në datën 25 prill 2001, Genci Hysa ndryshon banesë. Por me provat e reja të mbrojtjes duket se do të ndryshojnë provat e paraqitura në gjykatë, pasi dy të pandehurit kanë rifituar lirinë.
Prindërit
Varrin e Servetes ta kemi pranë
Gjatë procesit gjyqësor, prindërit e Servete Kullës kanë deklaruar se vajzën e tyre e vrau bashkëshorti Genci Hysa, në bashkëpunim me kushëririn e tij, Kujtim Xhaferri. "Babai i Gencit, kërkonte që ne të shkonim në varrim në Borizanë. Ai donte që ta sillte trupin e vajzës së vdekur në fshat e ata të vinin në varrim te ne. Masari nuk pranoi asnjë nga variantet e krushkut. Vajza ka qenë nusja e djalit tënd dhe ti e di se ç‘duhet të bësh, i ka thënë babai i vajzës. Të zbardhet e vërteta. Unë, ndërhyn e ëma Sanija, nuk e kam rritur gocën që ta therë djali i Xhaferr Hysës. Genci, Kujtim Dani, Teuta dhe Drita Lika të më gjejnë se përse ma kanë therur vajzën e pastaj e kanë hedhur në një kosh plehrash. Duam si prindër, që varrin e vajzës ta kemi këtu në fshat, që të shkojmë e të qajmë aty për fatin e saj", deklaruan në gjykatë.