Vidhet kablloja e postës, shumica e Jugut pa sinjal telefonik
Një sasi e konsiderueshme kablloje optike është vjedhur prej disa personave të papërgjegjshëm në orët e para të mëngjesit të sotëm në dalje të qytetit të Lushnjës rreth 2 km në autostradën e re.
Burimet policore lushnjare pohuan për gazetën "Shqip" se pas marrjes së informacionit në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi i ekspertëve të policisë dhe ata janë vënë në kërkim të grabitësve të tij. "Dëmi është i madh, pasi edhe çmimi në treg i kabllos optike është i shtrenjtë", pohuan burimet policore për gazetën.
Vjedhja e kësaj kablloje ka bërë që shumë qendra interneti apo edhe familje e institucione të mos kenë sinjal interneti në kompjuterët e tyre. Por, ajo çka është më e rëndësishme përgjatë gjithë ditës së Krishtlindjeve nuk ka pasur as sinjal telefonik për të gjithë qytetin e Fierit dhe për disa qytete të tjera më në Jug. Gjithçka është zbardhur paraditen e së martës, kur në degën e Albtelekomit të Fierit nuk ka pasur sinjal telefonik. Kontrolli i të gjithë linjës së shtirë përgjatë rrugës kombëtare Fier- Lushnjë ka çuar në identifikimin e defektit, që kishte ardhur si shkak i këputjes dhe vjedhjes së kabullos. Burimet policore nuk saktësojnë lidhur me sasinë e kabllos, por pohojnë se ajo i kapërcen të 3 mijë metrat. Uniformat blu të policisë lokale, kanë nisur kontrollet në të gjitha banesat e fshatit pranë, por deri pasdite nuk kanë mundur të gjejnë asnjë autor.
Burime nga institucioni i Albtelekomit pohuan se kanë njoftuar brigadën e teknikëve për të rregulluar linjën sa më parë, pasi janë doganat ato që janë në punë e sinjali i internetit u duhet patjetër. Pritet që defekti të riparohet mbrëmjen vonë dhe sinjali internetit dhe ai telefonik të rikthehet në kompjuterët e institucioneve apo familjeve, si dhe në shumë qendra interneti.