Të lumtë Megi, por...
Të lumtë Megi! Më bëre që për një çast të harroj të gjitha vuajtjet e një populli, dhe veçanërisht të një shtrese, e cila ka hequr të zinjtë e ullirit nga Partia e Punës (Komuniste), mëma e PS së sotme. Sepse tek e shihja sallën të mbushur me të rinj e të reja, i jam lutur Zotit, që t‘ju ruaj nga psikologjia terroriste që ka bartur kjo parti nga e kaluara, si dhe nga disa demagogë që ju të rinjve ju pëlqejnë për një mbulesë, FRESSH-iste "europeiste", por që fatkeqësisht duan të jenë "kumandarët" tuaj, me frymën e baballarëve. Me fjalën dhe veprimin tënd, ti dhe socialistët e vërtetë, që jeni të rinj pa mllefe dhe komplekse, shpresoj t‘i ndihni PS-së të kalojë krizën e identitetit, në të cilën është zhytur si pasojë e të kaluarës së saj. Duke uruar sinqerisht që ti dhe të rinjtë e tjerë të merrni pjesë aktivisht në politikën shqiptare, duke i mëshuar frymës së mirëkuptimit dhe marrëveshjes ndërmjet shqiptarëve, desha të tregoj disa të vërteta, që të mos biesh pre e demagogëve dhe uroj që t‘i mbijetosh mllefit dhe inatit të tyre.
Unë Megi, jam një prej atyre, të cilit mëma e PS-së i ka bërë gjëmën duke e vrarë, burgosur, përndjekur familjarisht (gjëra që, çuditërisht, ia ka bërë edhe fashizmi, familjes sime). Por unë, apo shokët dhe miqtë e mi që janë më të vuajtur si unë, kurrë nuk kemi menduar për të marrë hak tek ata që na vranë dhe persekutuan, te fëmijët apo edhe nipërit e mbesat e tyre.
Dhe po të betohem mbi nderin tim se kurrë nuk kemi vrarë njeri, kurrë nuk kemi vjedhur apo grabitur, që të dënoheshim dhe përndiqeshim..., por thjesht ishim antikomunistë. Ne nuk kemi harruar se çfarë na kanë bërë, por i kemi falur. I falëm jo se kishim frikë të bënim drejtësi apo hakmarrje, por i falëm për hir të Shqipërisë, për të mos i fryrë më zjarrit të urrejtjes dhe vëllavrasjes në mes të shqiptarëve. Për të mos derdhur gjak shqiptarësh, për të mos parë më lot në sytë e nënave, grave dhe motrave shqiptare. Dhe së fundmi, për të treguar se ne që urryem dhe luftuam tiraninë komuniste, nuk mund të përdornim të njëjtat metoda kriminale për t‘u hakmarrë, kundër bartësve të tiranisë..., sepse edhe ata janë shqiptarë. Por edhe sepse Mbreti Leka ka thënë: "Socialistët nuk më duan, por unë i dua, sepse edhe ata janë shqiptarë". Dhe sepse ky Mbreti Leka gjithë jetën është përpjekur, ka luftuar dhe ka sakrifikuar për të shpëtuar shqiptarët nga tirania komuniste, e cila kërkonte që të ndërtonte njeriun e ri, dhe për të arritur këtë duhej të sakrifikohej një popull i tërë. A nuk është një krim monstruoz të skllavërosh dhe të vrasësh njeriun e të sotmes, gjoja për të "ndërtuar" njeriun e së nesërmes?!!
Ti Megi ke shumë çfarë t‘u thuash lebërve, korçarëve, gjirokastritëve apo dhe skraparllinjve që e propozuan Zogun I si Mbret të shqiptarëve, por ke se çfarë t‘u thuash edhe shkodranëve, matjanëve, vlonjatëve, himarjotëve, dibranëve, elbasanllinjve, durrsakëve, krutanëve, kavajasve dhe pogradecarëve, pa dasi krahinore, se Ai u dha shqiptarëve shtetin e parë kombëtar.
Sajmirit të "Fondacionit Qemal Stafa" t‘i thuash se gjyshi i Princ Lekës, Mbreti Zog, nuk e ka futur Qemalin në burg, si të majtë evropian, por ngaqë ligjet e shtetit e kanë dënuar si komunist të lidhur me Moskën. Dhe për këtë veprim ju duhet t‘i jeni mirënjohës, pasi Ai me veprimet e tij largpamëse u bë barrierë e murtajës komuniste, që do të vinte në nëntor 1944, e të cilën edhe ju "socialistët progresistë shqiptaro-europeistë e keni braktisur!?".
Unë mendoj se Erionit dhe të tjerëve, ti Megi duhet t‘u thuash se rruga Durrës-Morin është vepra më madhore e shqiptarëve, se është arteria jetësore e kombit. Mendoj se duhet t‘u thuash se Princi Leka është pranë ministrit Lulzim Basha (emri i të cilit do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve për ndërtimin e rrugës Durrës-Morin). Për të dhënë kontributin e Tij në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve, pjesë e të cilëve jeni edhe ju, dhe për këtë gjë Familja Mbretërore ka treguar një disponim dhe përkushtim të admirueshëm, lidhur pazgjidhshmërisht me interesat e mbarë shqiptarëve.
Fëmijëve të djeshëm dhe të sotëm të Tiranës, ti Megi mendoj se duhet t‘u tregosh se ai Pallati i djeshëm i Pionierëve është pronë legjitime e Familjes Zogu. Në të ka lindur babai i Princ Lekës, Mbreti Leka, djali i Mbretit Zog I.
Me të drejtë, Kryeministri Berisha ia ktheu pronën të zotërve, por mesa kam parë programin tuaj, edhe ju jeni për kthimin e pronave, se ndryshe nuk ju qasin në Evropë as Toni Bler dhe as Segolen Royal, por ju çojnë te Fideli dhe Çavezi. Është për t‘u përshëndetur gjesti i Presidentit të Shqipërisë, z.Bamir Topi, me vizitën që i bëri Mbretit Leka. Sepse Ai tregoi se njeh dhe respekton historinë e shtetit shqiptar dhe vazhdimësinë e tij juridike. Juristëve të bashkisë t‘u thuash se nuk mund t‘i marrësh pronën tjetërkujt për të bërë lulishte, pa veprime të ligjshme juridike. Kurse Dashit në Pezë t‘i thuash se babai i tij, Myslym Peza, nuk ka dashur ta vrasë ndonjëherë Mbretin Zog, dhe nuk ka qenë kaçak për arsye politike, por... E që të dini diçka tjetër ti dhe Dashi, po të them se në Gostivar, prej vitit 1939 e deri më 1942, z.Myslym Peza ka marrë nga Mbreti Zog një rrogë mujore prej 5 napolonash flori. Të gjitha këto që po të them Megi, janë historira të vjetra që ti dhe moshatarët e tu duhet t‘i dini!!!
Ndërsa për z.Luigj Gurakuqi, shko në Arkivin e Shtetit, merr dosjen e tij dhe do të shohësh se Gurakuqin e ka vrarë kushëriri i tij, Baltion Stambolla. Arsyen e vrasjes... do t‘ua them personalisht kur të takohemi përballë, se nuk është absolutisht politike, por thjesht morale... Unë besoj se ti Megi ke dëgjuar për antizogistë dhe fanolistë, besoj që ke dëgjuar edhe për një grusht shteti të qershorit 1924..., por për organizatën Bashkimi a ke dëgjuar? Ishte organizatë terroriste, simotër e "Crna Ruka", dhe bënte atentate terroriste individuale, të paguara nga Moska dhe Beogradi.
Dhe që ta dish mirë ti Megi, bashkimxhinjtë e grusht shtetit të qershorit ishin fashistët e parë shqiptarë dhe i ndihën pushtimit fashist bashkë me komunistët që shpresonin të ndërtonin proletariatin nëpërmjet industrializimit fashist, të ndërtonin Partinë Komuniste dhe të merrnin pushtetin. Kur zogistët derdhnin gjak për të mbrojtur atdheun nga pushtimi fashist, komunistët dhe bashkimxhinjtë dilnin nga burgjet me urdhër të Çianos, që mbushte anijet dhe burgjet me antifashistë-zogistë. Po të citoj diçka nga kujtimet e Stavro Vinjaut, antizogist i thekur. Ndër të tjera ai, kur ishte në Itali, takohet me Ymer Gjinalin, i cili e kishte idhull Stavron dhe po i flet për veprimtarinë dhe fjalimet e tij me theks të fortë antizogist. Stavro e dëgjon dhe i përgjigjet: "Kjo është edhe periudha më e errët dhe e turpshme e veprimtarisë sime, dhe për këtë po të tregoj një rast: Në vitin 1922, unë dhe gjashtë shokët e mi shkuam në shtëpinë e Ahmet Zogut... Biseduam deri në orët vona... Kur mbaruam, Zogu na tha: Kush dëshiron të shkojë në shtëpi t‘i jap një xhandar me vete. Dhe kush do të flejë këtu, le të rrijë si në shtëpinë e vet, sepse ka dhoma sa të duash, dhe mund t‘ju porosis edhe darkën".
Këto na tha Zogu dhe pasi na uroi natën e mirë shkoi në dhomën e tij. Tre nga shokët tanë shkuan në shtëpitë e tyre, kurse ne katër të tjerët që mbetëm vendosëm të bënim një dorë poker, pasi ne letrat e bixhozit i mbanim me vete. Pa kuptuar, duke luajtur na zbardhi dita dhe atëherë e lamë lojën. Unë desha t‘i them diçka Zogut dhe kur dola nga dhoma pashë në derën përballë një xhandar, të cilin e pyeta nëse ishte zgjuar Ahmet Beu apo jo?!
Ai hapi derën dhe i tha Zogut se zotëri Vinjau donte të bisedonte... Ai i tha: "Le të urdhërojë". Ahmet Beu po shkruante me letrat hapur mbi tryezë. Përnjëherë më vajti syri te shtrati i tij, dhe pashë se ishte i paprekur, domethënë se Ai nuk kishte fjetur, por kishte punuar tërë natën...
Atëherë më erdhi turp nga vetja ime, kur mendova se Ai po punonte në dhomën e nderit, kurse ne dilnim nga dhoma e turpit. Këta pra ishim Ne, që gjithë natën e kalonim duke luajtur bixhoz dhe të nesërmen bënim çmos për ta penguar atë që punonte me mish e shpirt për të ndërtuar shtetin shqiptar. Ky është një turp që kemi bërë unë dhe shokët e mi o Ymer...".
E megjithatë Megi, të gjithë antizogistëve Mbreti Zog u bëri thirrje të ktheheshin në Atdhe dhe të kontribuonin për ndërtimin e tij. Por edhe në rast se refuzonin, Ai u pagoi pensione në vendet ku ishin, vetëm e vetëm të mos bëheshin vegla të armiqve historikë të Shqipërisë dhe të hanin paratë e tyre për të mbijetuar.
Imzot Fan Noli mori prej Mbretit Zog pension gjithë jetën... ndërsa kur vizitoi varrin e Mbretit Zog, imzot Noli ka thënë shprehjen e famshme: Ne e deshëm Shqipërinë, por ti dite ta duash me shumë se Ne....
Prandaj edhe ti Megi duhet të krenohesh me Mbretin Zog..., apo edhe me Princ Lekën, të cilin e ftove në takimin e FRESSH-it. Të krenohesh me të drejtë, sepse e gjithë veprimtaria e tyre e deritashme dëshmon përkushtim të admirueshëm lidhur me fatet dhe interesat e mbarë shqiptarëve. Për këtë arsye bashkë me kurorën mbretërore, apostujt e shqiptarizmës, në frymën e rilindësve të mëdhenj, më 1 shtator 1928 i "blatuan" kryerilindësit "Shpëtimtar i Kombit" edhe titullin Mbret i shqiptarëve. Titull që u jepte përkrahje edhe motrave dhe vëllezërve tanë në Kosovë e më gjerë, gjë për të cilën kanë shkruar edhe disa prej jush, para disa ditësh. Ndërsa sot thonë të kundërtën.
Unë besoj se ti Megi nuk je helmuar nga demagogjia komuniste, se gjoja Dinastia Zog është "një kapitull i mbyllur", "një regjim satrap" apo se monarkia është një regjim jo demokratik.
Po t‘ia thoshin këtë marri antimonarkiste Toni Blerit, do të vinte ulërimën..., edhe Anthony Giddens nuk do t‘ju ndihmonte në përgatitjen e programit tuaj qeverisës mbështetur te manifesti i "Rrugës së Tretë". Ndaj unë nuk besoj se evropianët janë kaq të prapambetur sa të mbajnë akoma në këmbë një regjim kaq "të pavlerë" sa Monarkia Kushtetuese. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një monarki të dalë nga vota e lirë e popullit, të cilës nuk mund t‘ia heqë legjitimitetin pushtimi fashist i 7 Prillit, e jo më kongrese terroristësh proserbë si ai i 24 Majit 1944, apo referendume me vota të grabitura, sikurse ai i vitit 1997.
Unë të uroj Megi që të kesh një karrierë të suksesshme politike, dhe me ndihmën e Zotit të përpiqesh fuqimisht për të evropianizuar ish-PP, sot PS. Të implementosh në të mentalitetin evropian, me të cilin është lindur dhe rritur Princ Leka. Dhe unë besoj se kjo është edhe pika e bashkimit midis ju të rinjve, gjithmonë në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Pikërisht origjina dhe misioni historik i mësipërm ka ngjizur edhe detyrimin e Princ Lekës për të kontribuar për kombin bashkë me të gjithë shqiptarët, përfshirë edhe ju eurosocialistët. Por kujdes..., sepse në partinë tënde ka njerëz që i kanë duart e lyera me gjak dhe shpirtin të nxirë nga krimet që kanë kryer kundër shqiptarëve. E këta janë votues potentë dhe në partinë tënde, të cilët me ndikimin e tyre mund të kushtëzojnë edhe karrierën tënde dhe ato të bashkëmoshatarëve tuaj të FRESSH-it, në interes të bijve, nipërve dhe mbesave të tyre, të cilët pavarësisht nga mosha e re, kanë të njëjtat mendësi.
Zoti i ndjeftë për krimet që kanë bërë!
Prandaj, Megi të them me gjithë shpirt: Të lumtë që u shkëpute nga mentaliteti i vjetër...!
Por..., kujdes nga ata!!!
Opinion për opinionin e z.Artan Lame
Ǒna bëre o Megi,
na shembe Republikën!
Musa Kurtulaj
Titulli i këtij shkrimi më erdhi ndërmend ditën e mërkurë, 16 janar, teksa po shfletoja shtypin e ditës, ku disa gazeta shprehnin çudinë se si "princi" Leka Zogu kishte marrë pjesë një ditë më parë në takimin festiv të FRESSH-it me rastin e 16-vjetorit të ditëlindjes së këtij forumi. Po mendoja që, nën këtë titull të shkruaja disa radhë, pasi më duket se nuk u shemb Republika pse koordinatorja e FRESSH-it, Megi Ajtyresa, kishte ftuar në këtë takim edhe "princin" Leka Zogu, por thashë me vete nuk ia vlen, pasi është thjesht gallata ditore e radhës.
Por dje, pasi lexova në gazetën SHQIP shkrimin e Artan Lames me titull "Ǒna bëre!", që kritikonte rreptë Megin për ftesën që i kishte bërë "princit" Leka për festën e FRESSH-it, praninë e tij në këtë festë dhe prezantimin që ajo i ka bërë, duke e quajtur "Princi Leka", m‘u kujtua titulli i një dite më parë për shkrimin që nuk e shkrova për ta rikthyer në një opinion rreth opinionit të z.Lame.
Të them të drejtën, u çudita jo pak nga mënyra se si e trajtonte në këtë shkrim "shkarjen e Megit", pasi Lame me vakt më është dukur se është shfaqur në shtyp e në media me inteligjencë e qartësi të admirueshme, ndaj dhe e kisha të pamundur ta besoja autorësinë e tij në atë shkrim. "Po nuk u shemb Republika bre Artan, pse Megi paska ftuar në datëlindjen e FRESSH-it Princin Leka! Ǒështë gjithë ky alarm"!
Për hir të së vërtetës duhet thënë se interpretimi që z. Lame përpiqet t‘u bëjë disa fakteve lidhur me familjen mbretërore dhe prapësitë e trashëgiminë e saj të kujton mënyrën e trajtimit të temave të tilla në vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Pa mohuar asnjë fakt, sepse edhe po të duam t‘i mohojmë ne, është historia ajo që me kohë ka memorizuar gjithçka, këndvështrimi i z.Lame nuk më duket aspak elegant në këtë rast. Në vitin 2008, asesi nuk mund të bëhen përgjegjës nipërit dhe mbesat e ish-liderëve të këtij vendi për të këqijat që kanë sjellë me pushtetërimin e tyre. Në këtë kontekst, nuk është e arsyeshme që Leka Zogut të ri t‘i ngarkojmë gjynahet e gjyshit të tij, ish-mbretit të dikurshëm të Shqipërisë, Ahmet Zogut, dhe as të babait të tij, pretendentit për karrigen mbretërore, Leka Zogut të vjetër. Kështu që ta gjykosh këtë, duke i ngarkuar të kaluarën gati njëshekullore mbi shpinë, them se është mëkat. Gjithashtu, është herët për ta gjykuar, pasi ai akoma nuk mundet as të flasë mirë shqip, për shkaqe që dihen nga të gjithë.
Por gjithsesi, ai e ka një emër, që njihet si pinjoll i familjes së dikurshme mbretërore shqiptare. Dua unë, s‘dua unë, do Artani, s‘do Artani e shumë e shumë të tjerë si ne, kjo njohje është një realitet. Ne këtë e kemi mu në mes të Tiranës, të sjellë nga arratisja me votat e deputetëve të partisë që mbështesim unë e Artani dhe me kujdesin e qeverisë që përfaqësonte partinë që kemi përzemër unë dhe Artani. Ish-kryetarja e FRESSH-it në atë kohë e njëherësh deputete e PS, Monika Kryemadhi, dilte në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas dhe priste gjyshen e Leka Zogut të Ri, Mbretëreshën Geraldinë. Ose, ish-kryeministrat e PS, njëri prej tyre edhe ish-kryetar i PS, jo vetëm që e prisnin në zyrë Leka Zogun e vjetër, por edhe i bënin vizitë në shtëpi. Dhe Megi në atë kohë ishte 12 vjeç.
Pas kësaj paraqitjeje të shkurtër, secili besoi dhe e ka akoma më të lehtë për të gjykuar për "mëkatin" e Megit si koordinatore e FRESSH-it se paska ftuar Leka Zogun e Ri në datëlindjen e FRESSH-it. Unë, personalisht, këtë ftesë e quaj thjesht si gjest xhentilese dhe kaq. Edhe mos ta ftonte nuk bëhej kiameti, edhe pse u ftua e mori pjesë, nuk u bë kiameti. Të frikësohesh se prania e këtij të riu në takimin e eurosocialistëve i vuri pikëpyetje identitetit të PS, i cenoi imazhin të majtës, përdhosi nderimin që PS dhe e majta kanë për heronjtë, dëshmorët e familjet e të afërmit e tyre, apo u shuan te PS antizogizmi, republikanizmi dhe u nxit monarkizmi, e tjera si këto, deri aty se po rrezikohemi të shihemi vëngër nga Evropa, kjo është llahtari. Të jemi të bindur e të sigurt se askush në atë takim dhe as të tjerët jashtë, nuk u bënë as zogistë dhe as monarkistë nga prania e Leka Zogut të Ri aty. Ndoshta po, Lekës së Ri mund t‘i ketë hyrë qejfi për t‘u bërë pak socialist kur ka provuar gjithë atë atmosferë entuziaste të rinisë eurosocialiste. Po ç‘të keqe ka nëse ndodh kështu?!
Z. Lame besoj e di bash mirë se në statutin e PS nuk ka asnjë pengesë origjine politike për ata që dëshirojnë të anëtarësohen në këtë parti. Që nesër, nëse Leka i Ri distancohet nga ëndrra e monarkisë, mund të anëtarësohet në FRESSH dhe PS, nëse dëshiron, pa mundur që ta pengojë njëri, apo jo z. Lame? Do ai të vazhdojë të jetojë me ëndrrën përrallë për monarkinë? Kjo është puna e tij. Veçse urojmë që t‘i ketë edhe dy pare mend për ta kuptuar sa më shpejt se ajo kohë e ka mbyllur kapitullin njëherë e mirë me vakt, dhe ai të integrohet me bashkëmoshatarët anekënd Shqipërisë.
Gjithsesi, çfarë mund të këshillohet Megi në këtë rast si e re në politikë? Mund të këshillohet që, në raste të tjera të tregohet më e vëmendshme e të mos i drejtohet me "Princi Leka", pasi si emërtim që ruan trashëgiminë monarkiste, është e papranueshme për republikanët në Shqipëri dhe anë e mbarë globit, por t‘i drejtohet, fjala vjen, me Leka i Ri apo Leka Zogu i Ri… Ja kaq do ta këshilloja unë Megin.