Kamza, e pakalueshme, automjetet devijohen në aksin Tiranë - Rinas - Fushë-Krujë
Nis nga dita e sotme deri në një afat të pacaktuar moskalimi i automjeteve drejt Kamzës. Shkak është bërë ndërtimi i mbikalimit në këtë zonë. Për pasojë, lidhja e zonës veriore dhe verilindore e vendit me Tiranën do të bëhet përmes Durrësit. Ministria e Transporteve bëri të ditur dje për mediat se, "duke filluar nga 19.01.2008, qarkullimi i automjeteve që vjen nga Kamza në drejtim të Tiranës do të devijohet në rrugën paralele të autostradës Tiranë - Durrës. Po kështu, edhe makinat e tjera që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të veriut duhet të kalojnë vetëm në aksin Tiranë - Rinas - Fushë-Krujë. Kështu, pasi del nga Lapraka e vetmja mënyrë lëvizjeje është autostrada Tiranë - Durrës.
Përmes kësaj autostrade, tashmë shkohet edhe në Fushë-Krujë e më tej në qytetet përkatëse ku kërkojnë të mbërrijnë qytetarët. Sipas Ministrisë së Transporteve, në qytetin e Kamzës do të ndërtohet një mbikalim. Punimet nisin sot dhe ende nuk dihet kur përfundojnë, por ky dikaster do të njoftojë qytetarët për çeljen e rrugës sapo punimet të kenë përfunduar.
Gjatë kësaj kohe që rruga është e bllokuar, për të ndihmuar lëvizjen e automjeteve do të ketë prezencë të policisë rrugore dhe personelit të kompanisë ndërtuese në rrugën e Kamzës.
Njihet një nga akset më të vështira, ai që kalon përmes Kamzës dhe gjithnjë me trafik të rënduar automjetesh, pasi përmes një zone urbane kalojnë çdo ditë mijëra makina. Një rrugë kjo nacionale që lidh Tiranën me gjithë pjesën veriore dhe verilindore, me qytetet, Laç, Krujë, Shkodër, Kukës, Tropojë, Rrëshen, Lezhë, Burrel dhe Peshkopi. Të gjitha automjetet që vijnë nga këto qytete në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas duhet të ecin tashmë në aksin Fushë-Krujë - Rinas - Tiranë. Rruga që lidh Aeroportin e Rinasit me autostradën ka një vit që është ndërtuar dhe e shkurton mjaft distancën në këtë aks. Madje, shumë automjete prej kohësh përdorin këtë aks, pasi nuk është me trafik si ai i Kamzës. Ndërkohë, nisur nga sot, edhe ata që shoferë që nuk e kanë përdorur autostradën Tiranë - Durrës dhe më tej aksin e ri të Rinasit që lidhet me Fushë-Krujën, duhet ta përdorin patjetër. Është e vetmja mënyrë për të mbërritur në qytetet veriore të vendit, por edhe e vetmja rrugë që të çon në Kosovë. Aksi tjetër Tiranë - Kamzë - Fushë-Krujë është në punim e sipër dhe për pasojë i pakalueshëm.