E Diel, 1 Nëntor 2026

Oketa: Reforma elektorale nuk mund t‘i kënaqë të gjithë

Dy forcat më të mëdha politike vazhdojnë të qëndrojnë larg aleatëve të vegjël për sistemin zgjedhor dhe përcaktimin e pragut elektoral. Demokratët konfirmojnë se komisioni i posaçëm do të vendosë për ndryshimet në kodin zgjedhor, megjithatë janë shprehur se reforma elektorale nuk mund t‘i kënaqë të gjitha partitë politike. Agresivitetit politik të Partisë Republikane, Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe partive të tjera të vogla, Partia Demokratike u është përgjigjur me qetësi të plotë, me bindjen se reforma do të bëhet si kusht për të marrë ftesën e NATO-s. Duke qenë koshientë se nga përfundimi i reformës do të ketë edhe parti të pakënaqura, demokratët duken të bindur në rrugën që kanë nisur për të konkretizuar reformën. Zv/kryeministri Gazmend Oketa u është përgjigjur dje pretendimeve të aleatëve të vegjël të PD dhe PS për reformën elektorale. Sipas numrit dy të qeverisë, "është e vështirë të gjesh një sistem zgjedhor perfekt, ku të gjitha palët të jenë të kënaqura". Oketa për të qetësuar aleatët e vegjël ka konfirmuar publikisht se nuk ka asnjë marrëveshje mes dy partive kryesore politike, PD-së dhe PS-së, për reformën zgjedhore. Gjithsesi, ajo që vihet re në këtë proces është një mënjanim i theksuar i "të vegjëlve", të cilët kërkojnë me insistim përfshirjen e tyre në tavolinën e reformës zgjedhore. Gjithsesi, Oketa duke qetësuar ujërat brenda "të vegjëlve" deklaron se do të jetë Komisioni i Reformës Zgjedhore ai që do i përcjellë Kuvendit propozimet konkrete. "Përderisa është ngritur një komision i posaçëm, është ai që do të vendosë për këtë reformë, duke i përcjellë Kuvendit propozime konkrete", u shpreh ai. Zv/kryeministri Oketa shprehu besimin për një miratim konsensual edhe për ligjin elektoral, sikurse ndodhi me ligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", si hapi i parë i reformës në drejtësi. "Edhe për reformën zgjedhore shpresoj për një konsensus sa më të gjerë, i cili do të kënaqë pjesën më të madhe të partive politike", tha ai. Partia Demokratike e cilëson si të vështirë procesin e reformës zgjedhore për të kënaqur të gjitha interesat e partive politike. Numri dy i qeverisë ka konfirmuar se objektivi i Partisë që ai përfaqëson është arritja e një konsensusi sa më të gjerë dhe një sistem elektoral që do të pasqyronte realisht votën e qytetarëve dhe nuk do të sillte një produkt të deformuar. Sipas demokratëve, një sistem i tillë do t`i sillte vendit një garanci dhe stabilitet politik, duke lehtësuar hapat drejt integrimit. "Reforma ka edhe procese të tjera, si infrastrukturën zgjedhore, që janë pajisja e qytetarëve me karta identiteti, regjistri elektronik i gjendjes civile, listat elektronike, për të cilat qeveria po punon intensivisht. Tashmë jemi informuar që në mes të këtij viti përfundon regjistri i gjendjes civile, ndërsa në fund të shkurtit hapet tenderi i pajisjes me karta identiteti", tha Oketa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›