E Diel, 1 Nëntor 2026

Formulari A1, MASH presion mbi drejtorët e shkollave

Kërkesa e maturantëve për t‘u njohur me koeficientet e maturës para se të plotësojnë formularin A1 duket se ka rënë në vesh të shurdhët. Ministria e Arsimit u kërkon drejtorive arsimore të zbatojnë afatet e përcaktuara në rregullore për dorëzimin e formularit A1 në AVA. "Të mos ketë asnjë tolerim". Ky ka qenë urdhri i djeshëm për zyrat e arsimit, të cilat e kanë përçuar menjëherë te vartësit e tyre, drejtorët e shkollave.

Kështu, maturantët duhet të dorëzojnë formularin A1 të lëndëve me zgjedhje gjatë kësaj jave. Ndërkohë, në rregullore thuhet se "formulari A1 duhet të dorëzohet më datë 10 mars, gjë që s‘ka ndodhur për shkak se nxënësit nuk janë njohur me gjithë koeficientet e shkollave. Gjithsesi, drejtoria arsimore udhëzon drejtorët e shkollave të shfrytëzojnë vakumin 10-20 mars për të mbledhur të gjithë formularët e nxënësve. Kjo periudhë në rregullore parashikohet për hedhjen e të dhënave në kompjuter.

Pra, bashkë me formularët, shkollat e mesme duhet të dorëzojnë në drejtorinë arsimore edhe një listë elektronike me të gjitha të dhënat personale të maturantëve. Këto të dhëna duhet të përputhen me ato të deklaruara në formularin A1 nga nxënësit. Ndërsa më datë 25 mars, drejtoritë arsimore duhet të dorëzojnë pranë AVA-s të gjitha këto materiale. Ministria e Arsimit, edhe pse nuk i ka njohur ende të rinjtë me të gjithë koeficientet e maturës, tregohet e rreptë në zbatimin e afateve, duke ngulmuar në dorëzimin e formularëve sa më parë. Për sa i përket shqetësimit të nxënësve dhe mësuesve për koeficientet e llojit të shkollës, MASH deklaron se do t‘i miratojë së shpejti, por nuk jep një datë të saktë. Ndryshe nga universitetet e tjera shtetërore, Universiteti i Tiranës ka kërkuar që koeficienti për llojin e shkollës të jetë i njëjtë, pra 1.1. UT-ja kërkon që të jenë të barabartë të gjithë konkurrentët, si ata të shkollave të mesme të përgjithshme, si ata të shkollave profesionale. Vlerësim ky që shprehet me koeficientet nga 1.0 deri në 1.4, por që UT-ja e kërkon 1.1 për të gjithë. Kjo mosmarrëveshje ka bërë që nxënësit të mos njihen ende me këtë koeficient. Ata dinë deri tani koeficientet e lëndëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›