E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfeti, prokurori i Kavajës jep shpjegime

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje prokurorin e Kavajës, Musa Malkurti, i denoncuar publikisht në emisionin "Fiks Fare" në "Top Channel" për marrje ryshfeti ndaj një qytetari. Mësohet se Malkurti është munduar të justifikohet. Ai është shprehur se bëhej fjalë thjesht për një bisedë midis tij e një qytetari nga Kavaja, ku është diskutuar për djalin e tij të burgosur. Burime hetimore bënë të ditur se deklarimet e Malkurtit do të krahasohen me dëshminë e Zagoll Muçës, dhënë disa ditë më parë. "Prokurori më kërkoi pesë mijë euro që të paraqiste në gjykatë një dënim minimal për djalin tim", është shprehur Muça gjatë dëshmisë së dhënë. Djali i tij, Selam Muça, është arrestuar disa muaj më parë dhe në Gjykatën e Kavajës ka filluar hetimi gjyqësor. Dy ditë para dhënies së konkluzioneve të organit të akuzës në këtë proces, i cili përfaqësohej nga prokurori Musa Malkurti, ky i fundit i kërkoi babait të njërit prej të pandehurve 3500 euro, kundrejt një pretence me sa më pak vjet burg. Një grup inspektorësh nga Prokuroria e Përgjithshme kanë marrë në dorëzim dosjet e hetuara të prokurorit Musa Malkurti, i denoncuar në "Fiks Fare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›