E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në tenderin e kartave

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, shkel procedurat e tenderit për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumentit të identitetit dhe pasaportave elektronike. Para të gjithë përfaqësuesve të kompanive të njohura tashmë, që merrnin pjesë në tenderin e zhvilluar në fund të muajit shkurt, për prodhimin e kartave të identitetit, zv/ministri Pone urdhëron zyrën e protokollit të Ministrisë së Brendshme të pranojë ofertën e një firme konkurruese, ndërkohë që afati i publikuar ishte ora 14:00.

Në fund të muajit të kaluar u zhvillua faza e parë e tenderit, ajo e prezantimit të ofertave nga firmat që kanë hyrë në procedurën konkurruese për dhënie me koncesion të projektit "Prodhimi dhe shpërndarja e dokumentit të identitetit dhe pasaportave elektronike". Deri në orarin e caktuar, pra deri në orën 14:00 të datës 28 shkurt 2008, gjashtë firma dorëzuan dokumentacionin përkatës në protokollin e Ministrisë së Brendshme. Por një firmë, në proces-verbalin që lexoi kryetari i komisionit, zoti Pone, rezulton që pikërisht në orën 14:00 ka dorëzuar dokumentacionin në zyrën e protokollit.

Që nga momenti kur anëtarët e komisionit dhe përfaqësuesit e firmave, të cilët do të merrnin pjesë në tender hynë në sallën ku zhvillohej faza e parë e tenderit, ora kishte shënuar 14:00. Ndërkohë, "Fiks Fare" transmetoi dje pamje pikërisht nga zhvillimi i këtij tenderi, ku zv/ministri i Brendshëm dukej qartë që fliste vazhdimisht në telefon me zyrën e protokollit dhe i urdhëronte të pranonin dokumentet e firmës së fundit që mori pjesë në tender. Ai u kërkon të mbyllin procedurat e pranimit të dokumenteve dhe të deklaronte të mbyllur procesin e pranimit të ofertave. Ndërkaq, kishin kaluar disa minuta nga ora 14:00, që ishte afati ligjor i pranimit të dokumentacionit.

Sipas Dispozitës 9 të Dokumenteve Standarde të Procedurës së Konkurrimit, "ofertat e paraqitura pas mbylljes së afatit kohor dhe të dhënat e paraqitura ose jo, në zotërim të Autoritetit Kontraktues në datën dhe orën e caktuar të mbylljes së afatit, nuk do të merren në konsideratë". "Fiks"-i transmetoi pamje filmike, ku duket qartë që z.Pone komunikon në celular në sy të kamerave dhe i urdhëron punonjësit e zyrës së protokollit të pranojnë dokumentacionin. Pas kësaj, ai kërkon që përfaqësuesit e firmës të hyjnë në zyrën e protokollit, në mënyrë që të jenë në fokusin e kamerës që transmetonte direkt në sallë, përmes një monitori që e shikojnë të gjithë të pranishmit. Kur çdo gjë pranohet nga protokolli, z.Pone i thotë të mbyllin procesin dhe ta deklarojnë të mbyllur pranimin e ofertave. Më tej, zv/ministri i Brendshëm, njëherazi kryetari i komisionit, lexon shkresën e zyrës së protokollit, ku thuhet se firma që ka mbërritur me vonesë e ka dorëzuar dokumentacionin në orën 14:00, kur të gjithë dëshmitarët e panë se u dorëzuan pas kësaj ore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›