E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, shtohen "rojet" ditën e provimit

Masa të rrepta kundër kopjimit në provimet e maturës. Këto parashikohen në rregulloren e re të organizmit të konkursit të fundvitit, ku mbi 30 mijë maturantë testohen për dijet e tyre. "Në provimet e maturës shtetërore, nxënësit duhet të sistemohen nga 15 vetë për klasë dhe secila sallë të ketë një administrator në dispozicion", u shpreh dje për "Shqip" inspektori i Drejtorisë Arsimore në Tiranë, Muhamed Mesi. Sipas tij, në rregullore është parashikuar të ketë më shumë mësues-administratorë gjatë ditëve të provimeve. Nga një mësues do të bëjë roje në çdo kat të shkollës, ku zhvillohet provimi. Ky administrator është në ndihmë të atyre që janë në sallat e provimit dhe qëndron gjatë gjithë kohës në vigjilencë. Masat që merr MASH-i këtë vit marrin shkak nga viti i kaluar, ku u konstatua se mjaft nxënës kishin kopjuar në provimet e maturës.

Drejtoria Arsimore në Tiranë, më e madhja në vend, do të caktojë 450 mësues si administratorë në sallat e provimeve. Emrat e tyre janë propozuar tashmë nga drejtorët e shkollave dhe pritet të miratohen gjatë kësaj jave nga stafi i Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit. Numri i tyre është shtuar, pasi çdo shkollë ka nga një administrator nëpër korridore. Inspektorët do të bëjnë shpërndarjen e tyre sipas një grafiku, ku mësuesit e lëndës nuk lihen ditën e provimit. Pra, kur jepet matematika, klasat administrohen nga mësues të lëndëve shoqërore dhe anasjelltas për letërsinë. Për sa u përket shkollave të mesme private, inspektori Mesi sqaron se "nxënësit e tyre do të sistemohen në pesë shkolla të arsimit 9-vjeçar në Tiranë". Kjo, pasi rregullorja e maturës nuk lejon të shërbejnë si salla provimi ambientet e shkollave private. Kështu është detyrë e çdo drejtorie arsimore të sistemojë në ambiente të tjera nxënësit e privatëve. Në Tiranë janë afro 1000 nxënës maturantë të shkollave jopublike, që do të japin provim në shkollat 9-vjeçare, të cilat kanë ambiente të rregullta. Për sa u përket maturantëve të shkollave publike, mësohet se do të zhvillojnë katër provimet e maturës pranë shkollave të tyre. Pra s‘do të përdoren ambiente të tjera shtesë. Nxënësit do të sistemohen nga 15 për çdo klasë dhe mbi krye do të kenë nga një administrator. Një tjetër do të jetë në korridorin e katit. Provimet e maturës nisin në muajin qershor. Lënda e Gjuhë-Letërsisë është më datë 9 qershor dhe matematika dy javë më pas, më datë 17 qershor. Ndërsa provimet me zgjedhje jepen më datë 10 korrik. Ky provim, që përbëhet nga dy lëndë me zgjedhje, është kusht për përzgjedhjen e të rinjve që do të ndjekin shkollën e lartë. Jepen dy lëndë në një provim të vetëm në datën 10 korrik. Këtë vit është futur edhe gjuha frënge, si opsion në lëndët me zgjedhje. Kandidatët mund të zgjedhin të japin provim 2 lëndë nga 9 të mundshme. Zgjedhja duhet të përputhet me natyrën e fakultetit. Kështu, një maturant që konkurron për mjekësi, duhet të zgjedhë biologjinë dhe kiminë, sepse kanë koeficient më të lartë në këtë degë. Shembulli vlen edhe për degët e tjera, ndaj maturantët duhet t‘u referohen koeficienteve para se të plotësojnë formularin A1 të lëndëve me zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›