Nje pushke e zbrazur
Pas kthesës së tetorit, Serbia është sërish para një udhëkryqi, me rrezik që sërish të zgjedhë rrugën e keqe. Jo të gjitha udhëkryqet janë të njëjta, ky i sotmi ndoshta, megjithatë, është më vendimtar. Dilema shekullore: Lindja ose Perëndimi, në kufijtë ndarës të botëve, kulturave dhe feve, gjithmonë ka imponuar pyetjen "si të mbijetosh duke iu shmangur mbështetjes vetëm te njëra prej tyre"? Se mbështetja nuk përbën rrugën më të mirë, por as edhe të vetmen, jemi bindur tashmë, më së shpeshti në dëmin tonë, edhe në të shkuarën e largët, edhe në atë të afërme.
Pozicioni i tillë i Serbisë edhe sot kërkon medoemos që ajo të bashkëpunojë zemërhapur me rrethimin e saj të drejtpërdrejtë, me Evropën dhe me botën, sikurse sot, me sovranitetin e saj të plotë, por jo më pak edhe atëherë kur, të shpresojmë, do të jetë pjesë e integrimeve të mëdha europerëndimore. Por edhe atëherë, ashtu si dhe tani, me Rusinë e fuqishme duhet bërë më e mira e mundshme, mirëpo gjithnjë duke shmangur kriteret "vëllazërore", që shpesh i kemi dëshiruar, ndonjëherë edhe i kemi pasur, por ndonjëherë edhe jemi penduar për to. Mbështetja dhe dorëzimi i Serbisë te Rusia me çmimin e largimit nga BE-ja, vështirë të jetë në interesin afatgjatë edhe të vetë Rusisë, mirëpo gjithsesi nuk është në interesin e Serbisë. Herëdokur Kosova do të jetë barrë edhe për vetë Rusinë, edhe pse hë për hë përfaqëson një kartë të fuqishme në garën e përtëritur shtetomadhe kundrejt Amerikës. Por edhe sot, edhe në perspektivë, Rusia do të ketë marrëdhënie më të mira edhe me BE-në, edhe me Amerikën, se sa që i ka Serbia.
Kështu pothuajse pa u vënë re, qetësisht, mirëpo rrënjësisht, u ndryshua orientimi i politikës së jashtme të shtetit serb, drejtimet e tij politike dhe prioritetet. E gjithë kjo imponon pyetjen e pashmangshme: Ku dhe si po vendoset për strategjinë e politikës së jashtme të shtetit serb? Si është arritur deri te dorëheqja nga orientimi strategjik për në Unionin Evropian dhe deri te shpresa se me riorientimin nga përkrahja ruse do të mbroheshin në mënyrën më të sigurt interesat tona? Kush i ka përllogaritur efektet momentale dhe ato afatgjata të një riorientimi të tillë? Qeveria, Kuvendi, partitë që "kanë në dorë" Ministrinë e Punëve të Jashtme, marrëveshja në koalicion ose forca të dukshme dhe të padukshme? Opinioni publik nuk e udhëheq politikën e jashtme, mirëpo ai ka të drejtë të jetë i informuar me shkaqet dhe pasojat e një kthese të tillë.
Dhe çfarë mund të arrijë tani realisht Serbia përmes Rusisë lidhur me Kosovën: të kontestojë, të vështirësojë, të shtyjë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të pengojë që Evropa ta ndërrojë Amerikën në mbikëqyrjen e Kosovës? Të gjitha këto ndoshta edhe mund të bëhen, mirëpo, të jemi realistë: ajo nuk mund, qoftë edhe me mbështetjen më të madhe ruse, ta rikthejë Kosovën nën sovranitetin shtetëror serb! Ǒështë, pra, ajo që duhet paguar aq shtrenjtë, kur qartazi nuk do të mund të fitojmë dot asgjë? Ndërkaq, Rusia do t‘ia dalë të fitojë atë që nuk e ka pasur deri më tani: stacionin e parë ballkanik pas shkatërrimit të "kampit socialist". Kosova - "fjala serbe më e shtrenjtë!" Po a duhet që për këtë shkak ta shesim Serbinë, për ta blerë Kosovën? Kur je jorealist, më së lehti do të përkrahin ata që nuk mërziten për zgjidhjen.
Ndërsa për shkaqet e thella të gjendjes së tanishme rrallëkush dëshiron të flasë seriozisht. Serbia ka pasur argumente që të distancohet dhe të pastrohet nga dhuna millosheviqjane, ngase kundër tij edhe u ngrit më 5 tetor. Koshtunica dhe narodnjakët e tij nuk duan që Kosovën serbe t‘ia "dhurojnë" Unionit, sikur ta kishin akoma në zotërim atë. Aq më parë kur kërkesat tona, në atë farë maksimalizmi euforik, nuk mjaftohen me "mosrrëmbimin" e Kosovës, por edhe sa të mençur që janë(!), të na e rikthejnë atë. Diç të tillë nuk na premtojnë madje as rusët, ndërsa ne për këtë shkak jemi gati të prishim lidhjet me BE, faktori i vetëm me të cilin mund të mbrojmë akoma njëfarë minimumi të mbetur të interesave.
Sa e sa herë jemi revoltuar për kushtëzimet, ndërsa tani jemi ne ata që vëmë kushte, madje edhe kërcënojmë me njëfarë "plani të fshehtë" të kundërgoditjes sonë. Kjo duket skajshmërish joserioze, sepse të gjithë e dinë se nuk kemi pikërisht asgjë që do të mund të bënim - as në planin politik, as ekonomik, as ushtarak, dhe as diplomatik - dhe që nuk do të na dëmtonte më shumë neve se sa të tjerët. Këtu s‘bëhet fjalë për ndonjë pushkë të zbrazët, këtu as që gjendet ndonjë pushkë. As serbe dhe as ruse. Përkthimi më i saktë i parullës kumbuese "S‘e japim Kosovën" tingëllon: "S‘e japim pushtetin tonë në Serbi". Sepse aktualisht ajo që i mbron në mënyrë më të sigurt pushtetarët serbë është më parë mbështetja te Rusia se sa te BE-ja. Pikërisht frika nga Evropa i motivon mbrojtësit e Kosovës dhe rusofilët. Mëkati i Koshtunicës nuk konsiston në faktin se ai do marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, por sepse këto marrëdhënie po i vë në funksion të largimit nga BE-ja. Naci-patriotët radikalë - këta politikanë me "kërkesa specifike" - i kanë sjellë këtij populli tashmë më shumë dëm se sa gjithë armiqtë e tij. Këmbëngulja në të pamundshmen po e ngushton vizionin për çfarëdo gjëje të mundshme.
Nuk mund të udhëheqë politikë të arsyeshme të jashtme një shtet aq i çrregullt nga brenda. Diplomacia profesionale duhet të marrë në dorë përgjegjësitë e saj dhe t‘ia sigurojë vetes një autonomi relative nga partitë politike, ndonjëherë edhe nga krerët e shtetit. Ajo s‘mund të jetë e pavarur prej tyre, mirëpo ajo mund të këmbëngulë profesionalisht në propozime dhe në lëvizje racionale. Ajo nuk duhet pajtuar aq kollaj me pozitën e një servisi të pafuqishëm burokratik të jorealizmave qeveritare. Mossuksesi i diplomacisë në fakt është tregues i parregullsisë në politikën e brendshme. Vetëm në shtete ku ka rregull, politika e brendshme nuk e pengon dhe nuk e çorienton atë të jashtmen. Evropa kërkon si partner dhe pret të gjejë këtu një shtet serioz. Serbia, e cila asnjërën nga kushtet e vërteta nuk e ka përmbushur me kënaqësi dhe me kohë, duke u ankuar gjithnjë nga kushtëzimet, tani kushtëzon pranimin e saj në një marrëveshje për të cilën është përpjekur aq shumë.
Koshtunica po i paralajmëron tani ata që të zgjedhin midis shkopit dhe karotës sonë. Kur shohim me sytë hapur bilancin e politikës sonë shtetërore, imponohet një pyetje mizore: A mos vërtet e kemi dashur ne atë, së cilës i kemi kontribuar? Ndonjë realist qysh tani do të fillonte të kujdesej që me Kosovën, fqinjin tonë të ardhshëm - qoftë vetëm për hir të serbëve të Kosovës - të vendosen marrëdhënie sa më të mira, në vend se të presim që "fqinjit t‘i ngordhë gjëja e gjallë". Palejueshmërinë e ekzistencës së dy shteteve shqiptare tani po e theksojnë po ata që po angazhohen për pavarësinë e Republika Serpska-s nga BH-ja, ndërsa në kohën e tyre janë angazhuar (radikalët akoma edhe sot) për vendosjen e tri shteteve serbe në territorin e Kroacisë...
Kështu ndodh kur Koshtunica me aq thartim iu bashkua qëndrimit të Tadiqit për modernizimin e Serbisë, duke u mbështetur në BE, ndërsa Tadiqi me aq gëzim përbetimit të Koshtunicës për mostjetërsimin e "Kosovës serbe". Duket iluzore, e dykuptimtë dhe e mjegullt parulla paraelektorale e Tadiqit, "Edhe Kosova, edhe Evropa", gjersa reduktohet vetëm në përsëritjen e premtimit të fortë se Kosova do të mbetet përgjithmonë serbe, dhe jo në vendosmërinë që Serbia të bëjë gjithçka që është e mundur për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë, dhe para së gjithash për pozitë optimale, mbijetesë dhe kthim të popullsisë serbe.
Askush s‘guxon ta përmendë, e lëre më të pranojë, se çështja e Kosovës në esencë nuk është as territoriale, as çështje sovraniteti, as pronësie, por para së gjithash çështje demokratike, çështje e të drejtave të njeriut, e të drejtës për vetëvendosje, çështje e lirive nacionale dhe civile. Ka edhe tempuj të tjerë të shenjtë në Kosovë përveç kishave dhe manastireve serbe. Ka edhe njerëz. Nuk janë as atje të gjitha "vatrat" e rrënuara vetëm serbe.
Fitorja e mundshme e kandidatit radikal në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të na i mbyllte rrugët drejt Evropës. Nuk do të bëhej fjalë më vetëm për një ngecje, por për një ndërprerje... Janë po ata që në realitet nuk duan të shkojmë në Evropë, që i arsyetojnë krimet dhe kriminelët e luftës, programi i parevokuar i të cilëve është "Serbia e madhe", program që nënkupton aspirata për pjesë territoriale të katër shteteve fqinje sovrane, një qëllim që (s)mund të arrihet, veçse përmes luftës.
Fitorja e një Serbie nacionaliste dhe antievropiane do të lehtësonte dhe shpejtonte vendimin e BE-së mbi pavarësimin e Kosovës, sepse ajo s‘do të kishte as dëshirën dhe as durimin që përmes shtyrjes të ndihmonte forcat proevropiane në Serbi që të shmangnin izolimin, duke qenë se ato vetë nuk po rezistojnë sa duhet. Marrëveshja e re e premtuar për vendimin e përkohshëm është edhe një shenjë e re e vullnetit të mirë të Unionit Evropian - të kësaj pjese aktualisht më të mirë të botës - që me Serbinë të mos ndërpritet bashkëpunimi. Ndërsa radikalët presin me ligësi që "demokratët" ta humbasin Kosovën, dhe që ata, si "të pafajshëm" që janë, t‘i akuzojnë për tradhti.
A thua vallë Serbia nuk di të përballet me asnjë domosdoshmëri?