Prishet koronarografia, pacientët 2 javë në radhë
Koronarografia, një nga aparaturat më të rëndësishme, që nevojitet për të ndihmuar pacientët me probleme të zemrës, nuk punon prej disa ditësh. Kjo aparaturë, e vetmja në sistemin publik në vend, përballon të gjithë fluksin e pacientëve të vendit. Aparatura nuk punon, pasi ka shfaqur defekt dhe për riparimin e saj pacientët duhet të presin disa ditë, nëse nuk kanë mundësi t‘i drejtohen privatit. Pajisja, edhe pse e rëndësisë tepër të lartë, nuk ka një kontratë mirëmbajtjeje, e cila i krijon mundësi shërbimit të mos presë gjatë për riparimin e defektit. Me një kontratë të tillë, servisi i saj është më i shpejtë dhe tekniku është i detyruar të respektojë afatet e kontratës. Nga ana tjetër, aparatura e dytë e koronarografisë, që duhet të mbërrinte në janar të këtij viti në pavijonin e kardiologjisë, ende nuk është blerë. Kjo, pasi procesi i tenderimit nuk ka mundur të përfundojë. Një pjesë e mirë e pajisjeve, përfshirë këtu edhe koronarografinë e re, nuk janë ende pjesë e spitalit, si pasojë e problemeve të krijuara nga firmat pjesëmarrëse në tender, që nuk kanë respektuar ligjin e prokurimit publik. Kjo, sipas burimeve zyrtare të QSUT-së. Rreth 6 muaj më parë, shërbimi i kardiologjisë ka bërë një kërkesë për një tjetër pajisje koronarografie, por procesi i saj i blerjes nuk arriti të shkonte deri në fund.
Specialistët që bëjnë ndërhyrje koronare janë vetëm tre. Por është menduar edhe për një grup prej pesë mjekësh, të cilët do të kryejnë specializimet përkatëse. Në 2007-ën janë realizuar më shumë se 150 ndërhyrje invazive, ku përfshihet edhe koronarografia. Dy vjet më parë, në 2006, duke ju referuar të dhënave të shërbimit, janë realizuar më pak se 80 ndërhyrje invazive, përfshirë këtu edhe koronarografinë. Ndërsa në 2008-ën janë parashikuar të kryhen më shumë se 300 të tilla, këtu duke menduar edhe futjen e aparaturës së re të koronarografisë, veç ekzistueses. Rreth 50 për qind e shqiptarëve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Plot 87 për qind e tyre vdesin në shtëpi. Nga studimet e bëra prej shoqatës evropiane e kardiologëve, Shqipëria bën pjesë në një nga vendet që cilësohen me rrezik të lartë kardiovaskular. Koronarografia është metoda që mundëson shikimin e arterieve koronare. Kjo metodë lejon futjen e tubthave në arteriet dhe mjekët injektojnë lëndë kontrasti, në mënyrë që këto arterie të bëhen të dallueshme. Nëpërmjet kësaj metode shihet se sa janë të bllokuara arteriet dhe në cilin vend. Në rast se ato janë të bllokuara më shumë se 70 për qind, atëherë zhvillohet metoda e zgjerimit me ballon që quhet PTCA.