E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia si çlirim psikologjik

Dy personalitete të mendimit të sotëm serb, Andrej Nosov dhe Dragan Popović, botuan dy javë më parë një artikull për çfarë ndodhi në Kosovë. Artikulli i tyre, me titullin në origjinal: "Pravda za Kosovo - šansa za Srbiju" - "Drejtësi për Kosovën - shans për Serbinë" (i botuar në "Shqip" më 25 shkurt 2008) u qarkullua thuajse në të gjitha rrjetet virtuale ku shqiptarët komunikojnë me njëri-tjetrin. Duke iu referuar veprimtarëve më të përparuar të shkollës serbe të të menduarit, si Nataša Kandić (avokate e mirënjohur, mbrojtëse e të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhe Mr. Ukshin Hotin) apo Sonja Biserko (e intervistuar posaçërisht në telerevistën "Exclusive" të "Top Channel"-it para një muaji), dy bashkautorët kanë gjetur një lexues shumë dashamirës midis shqiptarëve kudo në botë, por edhe në një shkallë më të gjerë, në botën evropiane dhe sllave.

Profesor Francesco Altimari, një nga personalitetet e albanologjisë midis arbëreshëve të Italisë, e vuri në qarkullim këtë artikull edhe në shqip, krahas shumë të tjerëve, që e shpërndanë serbisht, anglisht e në ndonjë gjuhë tjetër. Shumica e riqarkulluesve të këtij artikulli theksonin rëndësinë e disa prej pohimeve të autorëve, duke përfshirë atë se Serbia e ka humbur Kosovën, "sidomos kur kjo pohohet nga vetë serbët". Me të drejtë veçohej ky fakt.

Por çfarë po ndodh në të vërtetë midis serbëve dhe shqiptarëve pas datës 17 shkurt? A po ndodh dhe a po përjetohet vërtet pavarësia politike?

Le të mos ngutemi të japim përgjigje të qortueshme prej kohës që vjen. Ajo që po ndodh në të vërtetë është shumë më e thjeshtë se pavarësia politike. Madje më e thjeshtë se pavarësia prej njëri-tjetrit. Në fakt, prej 17 shkurtit deri më tani Kosova është po ajo që ishte, e lumtur për pavarësinë e shpallur dhe të njohur nga një shumicë shtetesh; por, megjithatë, nën çadrën e një misioni ndërkombëtar që ushtron pushtetet kryesore. Madje jo të një, por të dy misioneve të huaja proteksioniste. Në njërën anë UNMIK-u nuk e ka lënë detyrën e tij dhe s‘ka se si ta lerë, sepse duhet një vendim i Këshillit të Sigurimit për pezullimin e tij, gjë që nuk mund të bëhet me fjalë, por me akte të ligjshme. Në anën tjetër, misioni EULEX ka marrë shumë funksione jo vetëm të ushtrimit të sovranitetit, por edhe të administrimit të vendit në shkallë qendrore e vendore. Jo vetëm kaq. Kjo kujdestari po vazhdon madje me mbi dymijë ekspertë evropianë shtesë. Edhe Rumania, që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka dërguar atje specialistë për të ushtruar kompetencat e EULEX-it.

Duket se edhe vetë shqiptarët e mirëkuptojnë këtë kufizim. Para disa ditësh u përkujtua dita e UÇK-së dhe askush nuk guxoi që në parakalimin e trupave të ushtrisë simbolike të Kosovës të shënjohej, në çastin solemn, me ekzekutimin e himnit shqiptar. Shumë e thjeshtë: një Kosovë po bëhet, por jo një Kosovë shqiptare, ashtu si është në të vërtetë.

Pavarësia tani për tani në Kosovë, por edhe në Serbi, është vetëm një realitet psikologjik. Kosova po çlirohet nga makthi i gjatë i sundimit prej Serbisë. Çdo sundim tjetër është një luks i vërtetë për të. Kosova po përjeton fort faktin e thjeshtë, që po bëhet jo pjesë, por fqinje e Serbisë. Më shumë se gjysma e historisë gojore dhe të shkruar të Kosovës është e mbushur me padurimin shekullor për të mos u qeverisur nga Beogradi. Madje "shkjau" është më armik se armiku. Po ta mendojmë më thellë, pavarësia psikologjike i bën mirë Kosovës, para së gjithash për ta çliruar nga mendësia jugosllaviste, që është ulur këmbëkryq në një pjesë të mënyrës së të menduarit të shqiptarëve atje. Po edhe për ta çliruar nga kompleksi i tradhtisë dhe i spiunimit.

Çlirimi psikologjik prej "demonit" me emrin "Serbi" dhe prej sundimit të tij, në të vërtetë do të ndikojë në emancipimin e mendësisë shqiptare te shqiptarët e Kosovës. Ndoshta ky emancipim do të shkojë deri te dëbimi i imazhit të serbit si djall dhe armik i përjetshëm. Pikërisht prej këndej fillon të vetëkultivohet ndërgjegjja evropiane.

Po edhe për Serbinë pavarësia e Kosovës në radhë të parë është një çlirim psikologjik. Shansi i Serbisë është të mësohet të jetojë pa një mit të rremë, pa mitin e Kosovës si djep i vetvetes, sepse kjo në të vërtetë do të thotë t‘ia kushtosh shpirtin dhe mendjen një miti historikisht të paqenë. Të çlirohesh nga një mit i tillë është njësoj si të çlirohesh nga xhindet, makthet historike, pushteti i nënvetëdijes, instinkti i egërsisë.

Kosova në të vërtetë nuk është kërthiza dhe kushti i mbijetesës së Serbisë, por laku që i kishte zënë fytin prej shumë kohësh. Dhjetëra traktate dhe doktrina u hartuan për të serbizuar Kosovën gjuhësisht dhe etnografikisht, mendësisht dhe shpirtërisht, por etnotipi shqiptar mbijetoi atje.

Shansi i Serbisë është tashmë të mësohet me idenë dhe të vërtetën, që Kosova nuk është kusht jetik për Serbinë, ashtu si nuk është kusht jetik as për Shqipërinë; që Kosova mund t‘i takojë vetvetes dhe askujt tjetër.

Pavarësia si çlirim psikologjik është kushti parësor për të shkuar drejt synimesh më të larta. Së pari Kosova dhe Serbia duhet të mësohen të jetojnë me një kufi në mes, pa njëra-tjetrën, duke konsideruar se pasi të bëhemi fqinjë të mirë, mund të shkojmë edhe një hap më tej, që do të thotë të fillojmë të sillemi siç po bën Evropa moderne sot.

Çlirimi psikologjik prej mitit të Kosovës do të mundësojë që edhe në Beograd më së fundi e drejta historike dhe e drejta politike të shihen si dy gjëra që janë të ndara nga njëra-tjetra. Nëse e drejta historike do të trajtohej si e drejtë politike, atëherë Greqia do të mund të kërkonte, në emër të lashtësisë antike, edhe Marsejën dhe Parisin; bota arabe do të kërkonte Madridin dhe Evropa tërë Amerikën.

Tani nuk ka më asnjë rrethanë për të mbetur peng i përfytyrimeve të mjegullta mesjetare dhe i prapambetjes rajonale. Tani pavarësia është ashtu si një vaksinë e fuqishme, që i shkakton njeriut një dhimbje fare të vogël, për ta shpëtuar pastaj atë përgjithnjë nga një sëmundje e pashërueshme, nga një epidemi shekullore. Vaksina u krye, efekti do të jetë i afërm, ashtu si shpresohet prej kumteve më të ndershme të mendimtarëve shqiptarë e serbë, ndër të cilët edhe autorët e shkrimit të mëposhtëm, Andrej Nosov e Dragan Popović, të cilët ndër të parët guxuan të çkriptojnë të vërtetën e rreme brenda mitit të Kosovës. Pasi shqiptarë e serbë të jenë mësuar të jetojnë me njëri-tjetrin si partnerë, atëherë nuk do të jetë më e nevojshme asnjë rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit dhe as e ndonjë organizmi tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›