Ferguson: Kjo është sfida më e rëndësishme
Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka bërë të qartë se nuk do të lejohen gabime në sfidën kundër Olimpikut të Lionit, pasi skuadra e tij vuajti të siguronte një barazim 1-1 në sfidën e parë në Francë. Për "Djajtë e kuq" do të kthehen në formacion dyshja Runi-Kristiano Ronaldo, të cilët u lanë pushim gjatë fundjavës për të qenë në formën më të mirë ndaj kampionëve të Francës. Anglezët kanë një rekord të jashtëzakonshëm pozitiv në ndeshjet në shtëpi, pasi nuk janë mundur asnjëherë në "Old Traford" nga ekip francez në Kupat e Evropës. "Ne duhet të fitojmë ndaj Lionit, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për klubin. Gjëja më e mirë ishte që arritëm të fitonim edhe pa Runin e Kristiano Ronaldon, të cilët e kishin të nevojshëm një pushim. Lioni shqetësohet për Benzema? Ne nuk kemi thënë asnjëherë se jemi interesuar për të, dhe nuk do ta them një gjë të tillë as tani", u shpreh trajneri skocez i Mançester Junajtid. Nga ana tjetër, lojtarët e Lionit janë shfaqur mjaft optimistë rreth kësaj ndeshjeje, pas fitores 1-0 ndaj Lilës në fundjavë me shumë titullarë në stolin e rezervave. "Për ne ishte shenjë e keqe humbja 1-0 ndaj Le Mansh para ndeshjes së parë. Këtë radhë ne fituam, rigjetëm shpirtin e skuadrës dhe kjo është një shenjë e mirë, sidomos për faktin se në ndeshjen e parë treguam se mund të luajmë në të njëjtin nivel me Mançester Junajtid", deklaroi dje mbrojtësi i Lionit, Antoni Revejer. Francezët do t‘i besojnë një formacioni krejtësisht ofensiv, pasi trajneri Perrin do të aktivizojë në mesfushë Zhuninjo, Kallstrom dhe Ben Arfa, ndërsa në sulm do të jetë dyshja Benzema-Guvu. Ndonëse braziliani Fred është kthyer në formën e tij më të mirë, Perrin ka vendosur ta lërë në stol sulmuesin për ta përdorur në pjesën e dytë të ndeshjes, për të kërkuar një gol që mund ta kualifikojë skuadrën e tij.