Franca, sërish një grua ambasadore në Shqipëri
Franca ka dërguar sërish si ambasadore në Shqipëri një grua. Mariz Davje do të jetë për pesë vitet e ardhshme ndërmjetësja mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadorja Davje është pritur dje nga Presidenti Bamir Topi, tek i cili ka paraqitur Letrat Kredenciale. Presidenti Topi, pasi ka vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira historike mes dy vendeve tona, ka bërë një përshkrim të përpjekjeve integruese të Shqipërisë për në NATO dhe Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje edhe reformat kryesore që po ndërmerren në vendin tonë për këtë qëllim: reforma në gjyqësor dhe ajo zgjedhore. Kreu i shtetit ka theksuar gjithashtu edhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve dhe vizitave në nivelet më të larta politike, duke i përcjellë Presidentit francez, Sarkozi, nëpërmjet ambasadores Davje, ftesën për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme. Ambasadorja Davje, pasi falënderoi për pritjen e rezervuar nga Presidenti Topi, i vlerësoi si shumë të mira marrëdhëniet tradicionale mes dy vendeve tona.