Shtyhet fundi i Ligjit 7501, PR akuzon ashpër Topallin
Ligji 7501 vazhdon akoma të jetë në fuqi, sepse Kuvendi nuk e ka votuar as dje projektligjin e PR-së, që kërkon shfuqizimin e tij. Kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit se po shkel me të dyja këmbët rregulloren e Parlamentit. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Madhi ka theksuar se në kalendarin trejavor, i cili miratohet nga konferenca e kryetarëve, ka qenë vendosur që në seancën e djeshme në rend të ditës për votim të ishte dhe projektligji për pushimin e funksionimit të ligjit 7501 për ndarjen e pronave. Por, ka shtuar Madhi, nuk kuptojmë pse ky projektligj është hequr nga rendi i ditës për këtë seancë. Reagimi i Madhit, ndryshe nga sa e karakterizon natyrën e tij të qetë, ka qenë mjaft i ashpër. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po merr vendime sipas dëshirës së saj, duke mos respektuar vendimet e marra në unanimitet nga deputetët. "Ne sërish po ndeshemi në praktika abuzimi flagrante, ku deformohet vullneti i të gjithë deputetëve që kanë miratuar një program dhe me vullnetin e Kryetares së Kuvendit zhvendoset nga rendi i ditës përsëri ajo çfarë ishte programuar në kalendar", është shprehur Madhi. Ajo që më vjen keq, ka theksuar ai më tej, është fakti se po vijnë të përsëritura ngjarjet ku deputetët po trajtohen tashmë si punëmarrës dhe Kryetarja e Kuvendit që hiqet si punëdhënësi i tyre, sepse në çdo rast Topalli pa përfillur rregulloren mund ta shkelë atë sa herë që do në interes të qëllimeve të saj. "Sigurisht që unë jam këtu para jush për t‘u thënë se kam obligimin dhe përgjegjësinë të mbroj interesat e atyre pronarëve dhe jo më të drejtat që burojnë nga rregulloret dhe procedurat e këtij Kuvendi", është shprehur deputeti republikan. Më tej ai u ka kërkuar të gjithë deputetëve të Kuvendit që të mos anashkalojnë këtë precedent të rrezikshëm ku vendoset vullneti i kryetarit mbi vullnetin e të gjithë deputetëve. Kjo, tha Madhi, nuk është çështje as e PR dhe as e një individi, është çështje e integritetit të Kuvendit nëse ne do ta mbrojmë atë dhe do ta çlirojmë nga arbitrarizmat. Por, pavarësish kësaj deklarate, e cila mund të vlerësohet si më e ashpra e kryetarit të grupit të republikanëve, fjala e tij ka rënë në vesh të shurdhër. Duket se vendimi ka qenë marrë më parë që projektligji nuk do të miratohej as në seancë e mbrëmshme. Por në momentin që Kryetarja e Kuvendit, Topalli, ka bërë sikur do ta hidhte në votim projektligjin, deputetët e opozitës janë larguar nga salla me argumentin e drejtë se nuk mund të merrnin pjesë në një votim i cili nuk ishte i vendosur në rendin e ditës. Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i mazhorancës. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar se për të mos prishur bashkëpunimin pozitë-opozitë, votimi duhet të shtyhej. Sugjerim është pranuar nga Topalli e më pas deputetët e PD-së dhe PS-së janë larguar nga salla duke lënë të habitur republikanët, të cilët nuk kanë pasur se ç‘të bënin tjetër veçse të iknin dhe ata.