E Diel, 1 Nëntor 2026

Letonia premton mbështetje për Shqipërinë në Samitin e Vilnusit

Krerët e lartë të shtetit shqiptar kanë marrë premtimin nga Letonia, se do ta mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në momentin që vendi i vogël baltik ka një peshë të rëndësishme në përgatitjen e vendimit që do të merret në Samitin e Bukureshtit. Në fillim të marsit, në kryeqytetin e Letonisë mbahet Samiti i Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të cilët do të përcaktojnë axhendën e Bukureshtit. Samiti i Vilnusit, po përgatitet pikërisht nga qeveria e Letonisë dhe në mënyrë të veçantë nga ambasada e këtij vendi në NATO. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kanë theksuar dje se integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian mbeten projektet më madhore për qeverinë dhe shtetin shqiptar, për të cilat politika është fokusuar në përmbushjen e reformave.

Takimi me Topin

Presidenti Bamir Topi ka zhvilluar dje një takim me ambasadorin e Letonisë në NATO, Janis Ajhmanis, dhe delegacionin që e shoqëronte atë gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Kreu i shtetit shqiptar ka shprehur mirënjohjen e tij për Letoninë, si vendi i parë që ratifikoi MSA-në e Shqipërisë me BE-në, përshkroi përpjekjet integruese të vendit tonë, si edhe dy reformat kyçe të ndërmarra: ajo në drejtësi dhe reforma zgjedhore, në mënyrë që aspirata dhe ëndrra e mbi 90% të shqiptarëve për t‘u anëtarësuar në NATO të bëhet realitet sa më shpejt gjatë Samitit të ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet në prill në Bukuresht. Kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar gjithashtu edhe ndihmesën dhe përvojën e çmuar integruese të Letonisë në këtë drejtim, duke vënë në pah edhe nevojën e vazhdimësisë së shkëmbimit të përvojave të vlefshme. Nga ana e tij, ambasadori Ajhmanis ka vlerësuar hapat dhe shndërrimet pozitive të Shqipërisë për sa i përket kapërcimit me sukses të sfidave integruese. Ai ka vënë në pah efektshmërinë dhe seriozitetin e reformave të ndërmarra në vend, të cilat do të mundësojnë edhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, si dhe siguroi që Letonia është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmesën e saj dhe të ndajë me Shqipërinë përvojën e saj të freskët integruese.

Takimi me Berishën

Përpara se të nisej për një vizitë 4-ditore në Japoni, Kryeministri Berisha ka pritur në zyrën e tij ambasadorin

Eichmanis. Ftesa për në Samitin e Bukureshtit ka mbajtur larg ofendimeve publike krerët e partive më të mëdha në vend.

Politika është larguar nga thumbimet në adresë të rivalëve, për t‘u treguar ndërkombëtarëve që demokracia në Shqipëri është funksionale. Gjatë takimit me përfaqësuesin e përhershëm të Letonisë në NATO, Kryeministri u shpreh se ndërmjet forcave politike në vend ekziston një e klimë e qetë e konstruktive, si dhe një konsensus i gjerë për të ndërmarrë reformat e nevojshme për integrim. Kryeministri e njohu ambasadorin Eichmanis me punën që po bëhet për reformën në drejtësi dhe reformën elektorale. Kryeministri Berisha u ndal dhe në vendosmërinë e qeverisë për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe shndërrimin e Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›