Njeriu më i pasur në Itali
Për të, italianët thonë se i hedh paratë në erë. 83-vjeçari Mikele Ferrero u vlerësua këtë vit nga revista amerikane "Forbes" si individi më i pasur në Itali me një perandori që prek 11 miliardë dollarët, i ndjekur nga Leonardo Del Vekio dhe nga Silvio Berluskoni, të cilin e zhvendosi nga vendi i parë.
I hidhte parat në erë, pasi i kishte hipur në kokë t‘u futej eksperimenteve e teknikave të padëgjuara marketingu. Në të vërtetë, nuk bënte tjetër veç investonte në tregun e së ardhmes. Gjithë biografia e Mikeles, ashtu si edhe e tërë familjes Ferrero shtrihet mes modestisë e ideve inovative. Normalitet e thjeshtësi në vend të evenimenteve të bujshme, heshtje e maturi në vend të triumfalizmit, inovacione të frymëzuara nga jeta e përditshme në vend të strategjive cinike të tregut: "Fëmijët e duan vezën e Pashkës për dhuratën e papritur që fsheh brenda. Duhet t‘ua japim çdo ditë këtë kënaqësi". Dhe ja tek u hodh në treg veza "Kinder" aq e dashur për vogëlushët.
Historia e brezave të familjes që me rigorozitet kanë trashëguar nga njëri te tjetri emrat e etërve si të qe një stafetë, nisi me fermerin Mikele (në vitin 1856) në Viaiano Soprano. Në vitin 1989 Mikeles i lind një djalë, Pietro, që nuk ia ka qejfi të rrijë në fshat dhe bashkë me të vëllain të quajtur, Xhovani, shkon në qytetin Goliani: që të dy punojnë si bukëpjekës e pastiçer. Pak kohë më pas Pietro martohet me Piera Kilarion, edhe ajo bijë fshatarësh (grua që do adhurohet nga bijtë e nipërit): në vitin 1925 lind Mikele, i pagëzuar me emrin e të gjyshit. Pietro dhe Piera hapin një dyqan në Torino, pas kësaj i hyn një aventure në Soamali ku ka ndër mend të hapë një pastiçeri. Kthehet në Torino ku gjërat shkojnë mirë e dyqani bëhet me vitrina të mëdha. Por edhe kjo nuk e ka të gjatë me mbërritjen e luftës. Për të mbrojtur familjen zhvendoset në Alba ku lindin edhe kavanozat e parë me çokollatë, paraardhëset e Nutela-s. Për fat të keq, Pietro Ferrero vdes në moshën 51-vjeçare për shkak të një infarkti.
I mbetet të vëllait, Xhovanit, detyra për të drejtuar aktivitetin. Bashkë me të tashmë është i nipi 24-vjeçar, Mikele, fëmija që iu desh të largohej nga Torino pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, kur vëllezërve iu desh të hiqnin dorë nga një biznes që po lulëzonte. Tashmë është kthyer në një aktivitet dinjitoz, të dashur për gjithë banorët. Dhe falë manisë së Mikeles për të hedhur para në erë me eksperimente të çuditshme shpejt kthehet në një perandori të shtrirë në shumë vende të globit.
Kthehet në një perandori e askush nuk mund të mos e vërë re më. Mikele dhe e shoqja, Maria Franka, - krejt e heshtur në publik, por me rëndësi thelbësore brenda familjes - e mësojnë këtë me nisjen e stinës së pengmarrjeve në Itali (në fund të viteve shtatëdhjetë). Kanë dy fëmijë, quhen Pietro e Xhovani dhe që të dy janë dërguar për t‘u shkolluar në Bruksel. Shpejt janë të gatshëm për të hyrë në aktivitetet e Grupit, që hap fabrika prodhimi në Itali e në botë.
Kur Mikele Ferrero lë detyrën e administratorit të Grupit, shkon të jetojë në Montekarlo. Por nuk bëhet fjalë për dalje në pension. Aty lind një shoqëri e re, "Soremartec" një qendër studimi dhe eksperimentimesh për produktet e reja. Ende sot është ai vetë që shkon për t‘i provuar me një lugë në dorë, siç bënte shumë dekada më parë në dyqanin e të atit.
Njëri nga bijtë, Xhovani, qëndroi në Bruksel. Është numri një i "Ferrero International". Jeton me bashkëshorten, Paola, dhe të birin trevjeçar, Mikele, në një vilë të qetë me bahçe të bukur jashtë qytetit, e zbresin në qendër me një "Smart" ose me një "Golf" të vjetër. Në kohën e lirë shkruan: ka publikuar librat "Kopshti i Adamit", "Kameleoni" dhe "Fusha e Parajsës".
Djali tjetër i Mikeles, Pietro, heton në kodrën e Albës, një vilë pranë asaj të të atit, me bashkëshorten dhe dy fëmijë të vegjël. Nuk përfshihet në jetën mondane, por mund ta rastisësh shpesh teksa pi ndonjë kafe në qendër të Torinos. Nuk e ndjekin truproja, nga ato që janë aq të zakonshme për njerëz me të tillë pasuri. I vetmi luks që i ka lejuar vetes është një "Ferrari", së cilës i bën konkurrencë me një biçikletë mbi të cilën përshkon të paktën 40 kilometra në ditë.
Babai Mikele mbërrin në Alba pa u ndjerë. Shkon në pastiçeri e vëren me kureshtje të gjithë produktet, ashtu siç bën në supermerkaton e Montekarlos. Vëren sa janë shitur produktet e veta dhe sa ato të të tjerëve.
Maria Franka, bashkëshortja e Mikeles, është shpesh e pranishme në aktivitetet e fondacionit bamirës të familjes. Ditën e Shën Pjetrit që të gjithë pjesëtarët e saj, bashkë me drejtues të tjerë të kompanisë, mblidhen në një ceremoni të përvitshme nderimi në varrin e familjes. Një herë në vit avioni privat i shpie në Lurdes. Një gazetari që e pyeti për sekretin e suksesit të tij dhe të familjes, Mikele iu përgjigj: "I detyrohem për gjithçka Shën mërisë së Lurdesit. Pa të nuk do ishim në këtë pikë". Ndërsa Maria Franka shtoi: "Përse na shihni me mosbesim? Besimi nuk i heq asgjë njeriut, përkundrazi, e pasuron".
Për Shën Mërinë u fol nga pjesëtarët e familjes sidomos gjatë përmbytjes së shtatorit të vitit 1948, në çastin kur u morën menjëherë masat për rindërtimin e stabilimenteve, rinisjen e prodhimit dhe garantimin e vendeve të punës. Pas përmbytjes së 5 nëntorit të vitit 1994, Mikele Ferrero u shkruante të gjithë punonjësve - duke iu drejtuar si bashkëpunëtorë - për t‘i falënderuar dhe për të ndarë me ta "dëshpërimin" dhe "shpresën". U flet për masa të menjëhershme që ata të mos ndiejnë kurrfarë frike: "Siguria Juaj dhe e vendit Tuaj të punës përbëjnë prioritet absolut dhe ne kemi ndër mend të përballemi me këtë problem pa bërë as edhe një hap prapa. Për të mirën e stabilimentit tonë të çmuar ndaj të cilit keni treguar respekt dhe dashuri kaq të fortë".