Mendja e bukur e John Nash
Historia e suksesit, shpikjeve, sëmundjes, vuajtjeve të nobelistit të famshëm, John Nash, është rrëfyer disa herë, prej vitesh. Në formën më të plotë ajo është dhënë në librin dhe filmin me të njëjtin titull "Një mendje e bukur". Aty rrëfehet gjenialiteti i Nash, njeriu emri i të cilit është lidhur me një sërë zbulimesh të rëndësishme të arritura pas një pune të madhe në harkun kohor të dhjera viteve dhe të publikuara në shumë artikuj shkencorë. Pikërisht një pjesë e këtyre zbulimeve i falën edhe "Nobelin" për ekonomi në vitin 1994. Është një ironi tragjike që pikërisht një njeri me një mendje kaq të ndritur të ketë jetuar në jetën e vet të gjatë vite të tëra errësire i ngërthyer nga fantazmat dhe halucinacionet e skizofrenisë. Nash ka vuajtur plot 25 vjet nga kjo sëmundje duke përjetuar paranoja të ndryshme ndër të cilat edhe atë të mishërimit të tij me Perandorin e Antarktidës, apo me vetë Mesinë. Ky njeri që ka përjetuar dizekulibre të tilla mendore, paradoksalisht ka hyrë në historinë e shkencës për shpikjen e nocionit të "ekuilibrit", që mban edhe emrin e tij dhe që ka gjetur përdorim të gjerë në teorinë e lojërave (që merret me analizimin e situatave konfliktuale duke kërkuar gjetjen e raporteve racionale për zgjidhjen e tyre). Ideja është se një sjellje e caktuar nuk mund të ndryshojë, qoftë për mirë apo edhe për keq me veprime të njëanshme. "Mendja e mrekullueshme" e Nash na rrëfen shumë shkurtimisht përmes një interviste disa nga etapat më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij.
Jeni një admirues i madh i lojës së shahut. Së fundi keni zhvilluar për qejf një ndeshje me kampionin e madh rus, Sapaski. Si shkoi?
Pavarësisht se e pëlqej këtë lojë, mbetem një fillestar, por si fillestar mund të kishte shkuar ehe më keq. Kur Sapaski bëri një lëvizje me kalin e tij mendova se ishte thjesht për të më tërhequr vëmendjen për ndonjë gjë tjetër dhe nuk i dhashë rëndësi, por pastaj e kuptova se ajo ishte lëvizje ku duhet të përqendrohesha, por atëherë ishte tepër vonë.
A mund të konsiderohet loja e shahut një metaforë e matematikës, ose anasjelltas?
Sigurisht që ka shumë ngjashmëri mes një teoreme dhe një loje shahu për sa i përket bukurisë dhe precizonit. Të luash bukur është njësoj si të bësh një demonstrim matematik të bukur.
Meqenëse ra fjala te lojërat, ju keni shpikur një të tillë të quajtur Hex?
Po dhe kjo ka qenë në fillim të studimeve të mia në vitin 1949. E bëra për të ilustruar praktikisht disa koncepte teorike. Është një lojë në të cilën lojtari i parë ka avantazhin teorik në përballjen me të dytin, por që vështirë se mund ta shfrytëzojë në praktikë.
Si u interesuat për teorinë e lojërave?
Mbaj mend se sapo ishte publikuar libri i Von Neuman dhe Morgenstern "Teoria e lojërave dhe sjellja ekonomike", që sot konsiderohet si një libër klasik në fushën në fjalë. Në këtë libër bëhej një paralelizëm shumë ambicioz dhe tërheqës me ekonominë.
Ju në atë kohë kishit nisur të interesoheshit për aplikimet në fushën e ekonomisë?
Kisha nisur të tregoja njëfarë interesimi. Para se të shkoj në Princeton kisha bërë një kurs ekonomie, veç atij për matematikën, fizikën dhe kiminë.
Ato ishin të vetmet studime në lidhje me ekonominë që keni bërë në jetën tuaj?
Nga një këndvështrim formal do të thosha se po.
Keni studiuar në Princeton gjatë periudhës që aty ndodhej edhe Ajnshtajni. A e keni takuar ndonjëherë?
Po. Në atë fazë të studimeve të mia bëja shumë reflektime në lidhje me kozmologjinë dhe gravitacionin dhe e dija që Ajnshtajni kishte një personalitet stimulues. Në fund të fundit, edhe ai ishte matematikan dhe studimet e teoritë e tij në lidhje me kohën dhe hapësirën ishin mrekulli të vërteta matematikore.
A mundët ta takonit ndonjëherë?
Po, por ai nuk kishte shumë kohë në dispozicion për të më dëgjuar. Pasi më dëgjoi 5 minuta më tha se duhet të studioja më shumë.
Në filmin "Një mendje e bukur" ka një skenë të vetme në të cilën përmendet teoria e lojërave.
Atë film e kam vlerësuar shumë si nga ana e skenografisë, ashtu edhe nga ana regjisoriale. Për sa i përket teorisë së lojërave nuk është diçka që mund të aplikohet mbi çdo gjë, por në skenën e filmit që ju përmendët është bërë një përpjekje e lavdërueshme për të përqendruar vëmendjen në disa elementë interesantë psikologjikë të teorisë.
A ia dolën mbanë të shpjegojnë teorinë e ekuilibrit të Nash?
Nuk mendoj se kishin për qëllim të ilustronin teorinë time.
Përse nuk provoni të na e shpjegoni ju me pak fjalë?
Mirë. Atëherë një lojë mund të përshkruhet përmes termave të strategjive të ndryshme që lojtarët duhet të aplikojnë në lëvizjet e tyre. Për sa i përket ekuilibrit ai ekziston kur lojtarët tentojnë individualisht për të ndryshuar sjelljen e tyre. Për të ndryshuar duhet veprimi i përbashkët e jo i veçuar.
Një shkrimtar i famshëm ka shkruar një frazë që e përdorin shpesh për të përshkruar në fjalë të thjeshta teorinë tuaj të ekuilibrit: Ndonjëherë në jetë nuk ia dalim të arrijmë më të mirën, por të paktën mund të shmangim më të keqen. A do ta konsideronit një përshkrim të vërtetë të nocionit tuaj?
Mendoj se po, sepse nëse veprojmë të vetëm do të mundeshim vetëm të shmangnim të keqen, por për të arritur më të mirën duhet të bashkëpunojnë.
A mund të flasim për çështjet tuaja personale?
E keni fjalën për sëmundjen time? Nëse po atëherë gjithçka nisi në vitin 1962. Në atë kohë isha 34 vjeç. Ndodhi diçka që më largoi nga matematika dhe nisa të vuaj. U diagnostikova me një lloj skizofrenie shumë të rrallë.
Kishin halucinacione dhe vizione si në film?
Vizione jo, të paktën jo në fillim. Shikoni kur je i sëmurë nuk ke gjithmonë iluzione vizive si në film. Për sa i përket halucinacioneve ato më shumë se për diçka që duket janë diçka që mendohet. Shqetësimet e mia ishin edhe dëgjimore, pasi dëgjoja shumë zëra. Dukeqenë se jemi në prag të zgjedhjeve do të bëja një krahasim të tillë. Imagjinoni një person që është demokrat, por që mendon si një republikan. Ose një tjetër që është republikan por mendon si demokrat.
Le të flasim për matematikën: çfarë lidhje ka mes saj dhe mendimit aluçinant?
Për mua nuk ka asnjë lloj lidhjeje. Në punën e tij një matematikan duhet të mendojë racionalist dhe në mënyrë logjike, edhe pse mund të kryejë gabime. Në fund të fundit është shumë e ngjashme me shahun.
Ka nga ata që mendojnë se teprimi me logjikën është i dëmshëm dhe të çmend.
Duket që ai që e thotë një gjë të tillë nuk ka përvojën e duhur me lëndën në fjalë. Megjithatë, ekziston një libër i matematikanit Giancarlo Rota, sipas të cilit ata që marren me logjikë janë pak a shumë të gjithë të çmendur.
Ku qëndron vija ndarëse mes çmendurisë dhe logjikës? Mos ndoshta tek fakti që mendimi logjik është abstrakt dhe tenton të jetë larg botës reale?
Do të thosha se mendimi logjik është introspektiv, ndërsa ai matematik, tenton të shohë nga realiteti.
Po përvoja juaj me logjikët e konfirmon teorinë tuaj?
Po, sigurisht. Për shembull kam takuar të famshmin Alonzo Church, i cili nuk ka qenë kurrë i çmendur, por gjithmonë në prag të marrisë dhe sillej gjithmonë shumë çuditshëm. Kishte sjellje tipike prej pacientësh të psikiatrisë pra fliste me vete, rrinte shumë kohë vetëm dhe ecte shumë shpejt.
Folëm për lojën e shahut dhe duket sikur edhe aty mundë gjejmë lidhje me marrinë. Mjaft të kujtojmë të famshimin Boby Fisher, që u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë në rrethana të rënda dhe vetëm për faktin se nuk pranoi që të mjekohej dhe të shërohej.
Kur flisje me Fisherin ai ishte një njeri aspak racional, por loja e tij ishte shumë racionale.
Ju kur ishit i sëmurë a mundeshit njëherazi të bënit edhe matematikë?
Deliri im nuk ishte i vazhdueshëm, por i përkohshëm. Krizat iknin e vinin dhe kur ato vinin ndihesha sikur po i nënshtrohesha një torture të vërtetë. Ishin gjendje irracionaliteti të thellë që vetë unë, në momentet e kthjelltësisë sigurisht që nuk i pranoja. Kur kthehesha në normalitet isha i gatshëm dhe plot energji për të punuar, por gjatë momenteve të marrisë sigurisht që jo.
Kjo ju ndodhte gjatë viteve ‘60, po në vitet ‘70?
Në vitet ‘70 nuk kam punuar. Në dhjetëvjeçarin që pasoi merresha me hobitë e mia që nisnin nga matematika, informatika, programet statistikore. Kaloja kohën duke u marrë herë me njërën e herë me tjetrën.
A e konsideroni matematikën një ndihmë gjatë kohëve të sëmundjes?
Nëse dikush vuan nga problemet mendore është sikur të ishte i shkëputur nga realiteti dhe çdo lloj terapie psikologjike mund të ishte një ndihmë e mirë. Kur fillon të marrësh mjekime të rënda njëherazi futesh edhe në seancat e psikoterapisë. Mendoj që bashkëveprimi mes të dy gjërave ka qenë me shumë rezultat.
Më parë thatë se në njëfarë momenti të sëmundjes nisët të dëgjonit zëra. Po t‘i hedhim sytë në histori kemi edhe shembuj të tjerrë të ngjashëm me tuajin. Sokrati për shembull thoshte edhe ai se dëgjonte zëra...
Ato quhen djaj, ose demonë. Eshtë sigurt ë shohësh ëndrra që merr mesazhe nga Zoti.
Po por zërat dhe ëndrrat janë dy gjëra të ndryshme?
Një ëndërr nuk konsiderohet aluçinacion, por efekti mund të jetë i njëjtë si i ëndrrës, ashtu edhe i aluçinacionit.
A mund t‘i cilësojmë si skizofrenë të gjithë ata që gjatë historisë dëgjonin zëra?
Ndoshta kjo do të ishte e ekzagjeruar, por sigurisht po të dëgjosh zëra nuk mund të konsiderohet një fakt pozitiv.
Si arritët ta merrnit veten?
Ishte një ringritje progresive . Thjesht u ndërgjegjësova që disa gjëra e mendime të miat nuk kishin bazë.
Më në fund pas një pune të madhe dhe një jete të vshtirë, për shkak të sëmundjes erdhi edhe triumfi, marrja e çmimit "Nobel"
"Nobeli" thjesht më dha mundësinë që të çoj përpara punën time. Iu rifuta sërish punës për teorinë e lojrave dhe kozmologjinë dhe kam çuar përpara ide të reja.
Si ka ndryshuar jeta juaj pas çmimit?
Për shumëkënd "Nobeli" nuk sjell ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës, ose në një masë shumë të vogël. Shkencëtarët që arrijnë të marrin çmimin i kanë pasur më parë rezultatet e punës së tyre ndaj ai nuk përbën ndonjë sodisfaksion më të madh se ai që provohet kur ia del mbanë një pune. Për mua ishte ndryshe, sepse në vitin 1994 unë nuk kisha asnjë punë të mirfilltë. Sigurisht që pas "Nobelit" e pata një të tillë. Ky është ndryshimi.