E Diel, 1 Nëntor 2026

Frenohet kredia, interesat pësojnë rritje të lartë

Banka e Shqipërisë duket se ia ka arritur qëllimit për të frenuar sadopak ritmin rritës të kredidhënies. Ndryshimi tri herë brenda vitit 2007 të normës bazë të interesit, duke e çuar në 6,25%, ka ndikuar në shtrenjtimin e kredive, si për monedhën lek ashtu dhe për valutat USD dhe euro. Natyrshëm që rritje të interesave kanë pasur edhe depozitat, duke ulur disi diferencën me kredinë. Kështu, në deklaratën për "Politikën Monetare të 6-mujorit të dytë 2007", publikuar dje, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, evidenton faktin e uljes së ritmit të kreditimit falë ndërhyrjes që bëri banka me normën bazë të interesit. Kështu, me rritjen e kërkesës për kredi në lekë në fund të vitit, normat e interesit

kanë pësuar një rritje, 14.1% në tremujorin e katërt nga 13.1% në tremujorin e kaluar. Pesha e kredisë në lekë mbetet ende e ulët dhe interesat për këtë tregues janë të luhatshëm nga një periudhë në tjetrën. Pra, sipas BSH, rritje e interesave për monedhën lek nuk sjell ndikim të madh të konsumatori, për aq kohë sa preferencat vazhdojnë të jenë për dy monedhat kryesore, euro dhe USD. Megjithatë, edhe norma e interesit për kredinë në valutën euro gjatë vitit 2007 është rritur në përputhje me politikën që ka ndjekur Banka Qendrore Evropiane (BCE), por diferenca e tyre me depozitat në të njëjtën monedhë ka rënë në 5.25 pikë përqindjeje nga 5.50 pikë përqindjeje gjatë vitit 2006. E njëjta situatë duket me valutën lek, ku diferenca e interesave midis depozitave dhe kredisë, vlerësohen në 8.9% nga 9.4% e vitit 2006.

Pak më ndryshe se kreditë, edhe për depozitat është vërejtur një rritje e lehtë. Sipas BSH-së, interesi mesatar i depozitave 12-mujore arriti në 6.33% në muajin dhjetor, 0.63 pikë përqindjeje më lart se në muajin shtator dhe 0.87 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë, duke surprizuar Bankën Qendrore. "Në fund të vitit, reklamohen norma të larta depozitash dhe për efekt të tërheqjes së të ardhurave që hyjnë nga emigrantët. Diferenca me normat e interesit të depozitave në euro (të cilat zënë pjesën më të madhe të depozitave në valutë) është zgjeruar që prej gjysmës së dytë të vitit, gjë që mendohet të ketë mbështetur vlerësimin e

monedhës vendase", sqarohet në raportin e "Politikës Monetare".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›