Statistikat e turizmit, Shqipëria renditet e 12-ta nga OBT
Vendi ynë ka përmirësuar rrjetin e të dhënave, për sa i përket sektorit të turizmit. Për këtë fakt, Shqipëria është një nga 12 vendet e zgjedhura nga Organizata e Turizmit Botëror të Kombeve të Bashkuara (OBT) për zhvillimin e një sistemi statistikor për turizmin (TSA) në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtare. Lajmin pozitiv, ministri i Turizmit, Ylli Pango, e ka mësuar nga prof. dr Eduardo Fayos-Sola, përfaqësues rajonal i OBT për Evropën nëpërmjet një letre të dërguar në fund të muajit shkurt. Për arritjen e këtij rezultati ka ndikuar Organizata Holandeze për Zhvillim "SNV", e cila luajti një rol të rëndësishëm që të bëhej e mundur që Shqipëria të zgjidhej për këtë program. Sistemi Tourism Satellite Account (TSA) është një proces statistikor për turizmin e standardeve të larta bashkëkohore, që u mundëson vendeve të zhvillojnë një bazë të dhënash që do t‘u lejojnë atyre që t‘i përcaktojnë dhe t‘i kuptojnë më mirë tregjet e tyre të turizmit. Kjo çon në një marketing më efikas e më efektiv, i cili bën të mundur që burimet promocionale të drejtohen drejt atyre tregjeve që i sjellin Shqipërisë përfitim më të madh ekonomik e social. Ky informacion do t‘u lejojë si sektorit privat edhe atij publik të fokusojnë më me efikasitet përpjekjet e tyre për planifikimin, zhvillimin dhe marketingun e turizmit mbi ato aktivitete që do të ushqejnë tregjet e synuara shqiptare që i kanë dhënë provat e tyre. David Milne, këshilltari i lartë për turizmin i SNV Ballkan thotë se, "Krijimi i sistemit TSA në Shqipëri është një hap i madh përpara në përpjekjet e vendit për t‘u fokusuar më mirë në zhvillimin dhe marketingun për sektorët e tij të turizmit në të gjitha nivelet.