Prodi: BE do të jetë e bashkuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës
Për BE-në besoj se ka trokitur ora e miratimit të vendimeve të mëdha e të rëndësishme për Kosovën, Serbinë e gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Fjala është për marrjen e përgjegjësive që nuk mund t‘u shmangemi, sepse Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës, rajon që ka perspektivë të qartë evropiane. Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni, janë rast historik për BE-në. Duke integruar gjithë Ballkanin në sistemin e vet, Evropa e kthen këtë pjesë të botës në familjen që i ka takuar gjithmonë. Prandaj duhet të përcaktojmë njëkohësisht statusin e Kosovës dhe të shpejtojmë procesin e integrimeve evropiane - tha në një intervistë për gazetën serbe "Veçernije Novosti", Romano Prodi, Kryeministër i Italisë.
A janë Kosova dhe BE dy procese të ndara, apo Serbisë i ofrohet Evropa si kompensim për Kosovën?
Statusi i Kosovës dhe integrimet evropiane të Serbisë, janë dy procese të paneglizhuara, mbi të cilat duhet të japim përgjigje, që ta paqtojmë përfundimisht rajonin dhe ta bëjmë atë të përparuar. Prandaj, vështrimi i perspektivës evropiane të Serbisë nëpër prizmin e kompensimit në procesin e vendimmarrjes për statusin e Kosovës, është mjaft e gabuar.
A është vendi juaj për dërgimin e Misionit të BE-së për Policinë e Drejtësinë, pa rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit? A besoni se një vendim i tillë do ta çonte në stabilitet, duke marrë parasysh se Rezoluta 1244, e cila është në fuqi, nuk e parashikon këtë përgjegjësi. Përveç kësaj, Serbia e Rusia e kundërshtojnë këtë radhë ngjarjesh, duke e menduar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare?
Të gjitha vendimet do t‘i marrim së bashku me partnerët tanë në BE. Në samitin e dhjetorit të BE-së në Bruksel, ka dalë një mesazh i fuqishëm kohezioni e bashkimi. BE, edhe në të ardhmen e afërt duhet të vazhdojë këtë rrugë e të marrë përgjegjësitë. Ne kemi qenë nxitësit kryesorë të kërkimit të zgjidhjes për statusin e Kosovës me bisedime mes dyja palëve. Tani ka ardhur koha të ecim përpara dhe ta drejtojmë procesin e mëtejshëm të përcaktimit të statusit të Kosovës të gjithë së bashku, në mënyrë të koordinuar. Miratimi i vendimit përfundimtar për dërgimin e Misionit të BE për Drejtësinë e Policinë në Kosovë, për të cilin kemi arritur pajtimin politik në Këshillin e Evropës, do të jetë sinjal i rëndësishëm për vendosmërinë e BE-së, që të vazhdojmë të bashkuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Si do të zgjidhet problemi i pjesës veriore të Kosovës, ku serbët janë në shumicë absolute? Nga vendi juaj vijnë propozime, se kjo çështje duhet të zgjidhet sipas shembullit të zbatimit të metodologjisë së pas Luftës së Dytë Botërore, për territorin e lirë të Triestes?
Me çdo çështje duhet të përfshihesh duke marrë parasysh specifikat e çështjes dhe duke e vendosur atë në momentin dhe kontekstin përkatës historik. Leksioni i madh i BE-së në pesëdhjetë vitet e fundit nuk mban formën e ndarjeve, por të bashkimit e paqëtimit. Në Mitrovicë kemi urën që është simbol i ndarjes së qytetit. Do të doja që të mos e heq nga mendja, se kjo urë dhe ura të tjera në rajon janë bërë që të bashkojnë e jo të ndajnë.