Aleanca, në protestë kundër ndërtimit të TEC-it
Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës ka organizuar në ish- kampin e pionierëve një miting kundër veprave me bazë nafte si TEC e Petrolifera. Rreth orës 11.00, pavarësisht kohës së keqe e shiut që nisi që në orët e para të mëngjesit, njerëzit që vinin te vendi i protestës ishin të shumtë. Në dispozicion të qytetarëve të Vlorës aleanca ka vënë dhe 8 autobusë, të tërë të veshur me flamuj kombëtarë, si edhe me mbishkrimet: Rezistencë deri në referendum. Rreth 2000 veta janë mbledhur tek ish-kampi i pionierëve. Të ardhur të shumtë kishte edhe nga Tirana si: Sazan Guri, Lavdosh Feruni, Ardian Klosi etj., për të mbështetur AMGJ-në në këtë protestë. Laura Ferhati, një nga studentet më të flakta në këtë lëvizje, ka falënderuar qytetarët e shumtë që kishin ardhur për të mbështetur aleancën. Më pas, drejtuesi i AMGJ-së, Rezart Aliaj, ka kundërshtuar me forcë ndërtimin e Petroliferës në Vlorë, si edhe i ka bërë qeverisë thirrje për të shpallur në Vlorë referendumin popullor. Rreth 500 makina e 8 autobusë e me mijëra vetë kanë marshuar në drejtim të Petroliferës dhe TEC-it. Në mes të shiut ata fillimisht janë drejtuar te TEC-i, ku në të gjithë rrugën kanë qenë forca të shumta policore që i kanë shoqëruar për gjatë protestës, po ashtu dhe mjete të tjera të policisë speciale kanë qenë të fshehura nëpër pyllin e Sodës. Më pas, protesta është drejtuar drejt kantierit të Petroliferës, ku edhe aty po të njëjtat forca policore u kanë bërë pritë rreth 50 metra larg protestuesve. Turma ka përparuar përpara dhe ka shtyrë forcat policore, duke thyer traun e portës hyrëse e duke u futur në territorin e kantierit të Petroliferës, ndërkohë protesta është zhvilluar në territorin e këtij kantieri. Pasi protestuesit kanë dalë nga kantieri i Petroliferës, kanë grisur tabelën që shkruhej shoqëria italo-albanese dhe kanë vendosur dy flamuj shqiptarë.