E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëkundje tërmeti në Sarandë, epiqendra në Peloponez

Në orën 06.14 minuta të mëngjesit të djeshëm është ndjerë një lëkundje e fortë tërmeti në qytetin bregdetar të Sarandës. Intensiteti i lëkundjes mendohet të ketë qenë 3 deri 4 shkallë Rihter. Nga informacioni i marrë në bordin e emergjencave në prefekturë, nuk rezulton të ketë dëme. Më e fuqishme lëkundja është ndjerë në qytetin e Sarandës, në Ksamil dhe në territorin e fshatrave që përfshihen në Rivierën shqiptare, deri në Himarë e Vlorë. Nga mediat greke është mësuar se epiqendra e tërmetit që përfshiu edhe jugun shqiptar, ka qenë në qytetin e vogël bregdetar Leonidhi të Pelopenezit. Aparaturat sizmologjike e kanë regjistruar atë si një tërmet prej 6.5 ballësh. Me gjithë dridhjen e fuqishme të tokës në një orë të hershme të mëngjesit të së dielës, burimet mediatike greke nuk kanë bërë fjalë për dëme në njerëz, ndërkohë që nuk janë shënuar as dëme materiale. U tha se banorë të një radhë qytetesh rreth gadishullit të Peloponezit janë përfshirë në panik deri në kryeqytetin helen, Athinë. Specialistët e kanë shpjeguar mungesën e dëmeve me faktin që goditja sizmike ka ndodhur në thellësinë 51 km nën tokë. Sizmologët grekë kanë siguruar se nuk do të ketë përsëritje të lëkundjes, gjë që ka qetësuar banorët.

Jugu shqiptar ka qenë në mbarim të rrezes së tërmetit të Peloponezit dhe kjo ka bërë që intensiteti i tij të amortizohet dukshëm dhe të mbërrijë te ne me fuqi jo më shumë se 4 ballë.

Po kështu, lëkundje të tërmetit janë ndjerë edhe në zonën e Vlorës dhe të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›