Hedhja e kryqit, bashkë myslimanë e ortodoksë
Dita e 6 janarit, që përkon me ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan e që njihet si dita e ujit të bekuar, është festuar në të gjitha qytetet e vendit. Të rinjtë në garë mes njëri-tjetrit janë përpjekur të gjejnë në ujë kryqin fatsjellës.
Ceremonia kishtare mes qindra besimtarëve ortodoksë të Elbasanit u zhvillua dje në mëngjes në një nga komplekset sportive të qytetit dhe jo në lumin e Shkumbinit, siç zhvillohej tradicionalisht këtu e dy vjet të shkuara. Tre djem të rinj, pasi kanë marrë bekimin e kishës së Shënkollës, janë hedhur në ujin e pishinës me shpejtësi, në kërkim të kryqit të bekuar. Mes tyre, si edhe vitin e kaluar, Julian Luli, 23 vjeç nga ky qytet është shpallur kështu për herë të dytë fituesi i gjetjes së kryqit në ujin e ftohtë. Për fituesin, nga ndihmat e dhënë prej besimtarëve ortodoksë janë dhënë 5 mijë lekë.
Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë është zhvilluar edhe në qytetin bregdetar të Durrësit me rastin e ditës së Ujit të Bekuar. Ndonëse një ditë e ftohtë dhe me reshje shiu, besimtarët e krishterë ortodoksë kanë respektuar ritin dhe ceremoninë e bekimit të ujërave. Dhe këtë vit ka qenë një djalë 15-vjeçar fatlumi që ka arritur të kapë para të rinjve të tjerë kryqin e hedhur në ujë. Dhimitër Xhimidaku është 15-vjeçari që kapi kryqin e hedhur në basenin ujor të Portit Detar të Durrësit në prani të dhjetëra besimtarëve.
Në Sarandë, besimtarë të shumtë i janë drejtuar kishës së Shën Harallmabit, e ngritur buzë shëtitores së qytetit, ku kanë asistuar në meshën e dhënë nga At Dhimitri, Mitropolit i Gjirokastrës, ashtu si edhe një vit më parë. Festimin e kësaj dite të shenjtë në kalendarin e besimit ortodoks nuk e ka zbehur as moti i keq e i pafavorshëm. Me gjithë shiun e rrëmbyeshëm që vazhdonte të binte pa pushim dhe temperaturave të ulura, nuk është hequr dorë nga hedhja e kryqit të shenjtë në ujërat e Jonit, nga një trampolinë e ngritur buzë detit. Mes djemve që u hodhën në ujin e ftohtë për ta kapur kryqin e shenjtë, fati i buzëqeshi 38-vjeçarit nga fshati i Mursisë, të cilit i ka takuar si shpërblim një shumë të hollash.
Pranë kishës së Shën Gjergjit të Fierit ka pasur edhe persona të besimeve të tjera që kanë shkuar për të siguruar ujin e bekuar. Ceremonia festive ka nisur me një meshë të mbajtur nga At Ilia Bita.
Hedhja e kryqit u bë në shatërvanin kryesor të qytetit dhe nxjerrja e tij, pas përpjekjes së tre personave, është kryer nga një 14-vjeçar prej Fierit i quajtur Egjen Çepele, i cili ka pranuar se i përket fesë myslimane, por që në vogëli prindërit e kanë çuar në kishë. Hedhja e kryqit të shenjtë është festuar edhe në qytetin e Beratit, ashtu si çdo vit tjetër me një ceremoni që është ndjekur nga qindra njerëz. Festa ka nisur që në orët e para të mëngjesit me ritet fetare në kishën e Shën Spirillonit në lagjen "Goricë". Peshkopi i Kaninës, Vlorës dhe gjithë jugut Ignatia, pasi ka bekuar kryqin e shenjtë të kësaj dite, që simbolizon pastrimin e shpirtit nga mëkatet, e ka hedhur atë nga ura e Goricës në ujërat e ftohta të lumit Osum. Tetë djem beratas kanë sfiduar temperaturat e ftohta dhe reshjet e shiut, duke u futur në ujërat e lumit, por fati këtë vit i ka buzëqeshur vëllezërve Edmond dhe Artan Gjerçi, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga ujërat e lumit kryqin e shenjtë. Në prani të një grupi besimtarësh të krishterë ortodoksë nga qyteti i Gjirokastrës morën pjesë dje në ceremoninë e hedhjes së kryqit të shenjtë, që për shkak të shiut që binte dje, ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk u hodh në lumin Drino, por në një kazan bakri, që shërben për pagëzimet në hyrje të Kishës Ortodokse të Kryeengjëjve në lagjen "Varrosh" të qytetit. Kryqin e Shenjtë të të krishterëve gjirokastritë të hedhur në enën e pagëzimeve kësaj herë e mori nga uji 7-vjeçari Vasil Noni. Ceremonia e bekimit të ujit ka mbledhur mijëra besimtarë në katedralen e Korçës. Rituali dhe ceremonia fetare në kishë është drejtuar në një meshë të shenjtë nga mitropoliti imzot Joani, bashkë me përfaqësuesit e klerit ortodoks. Besimtarët kanë marrë ujë pas bekimit nga ana e klerit ortodoks, ndërsa kryqi këtë herë ka shkuar në duart e një 25-vjeçari. Olger Lena ka qenë i pari që ka prekur në ujë kryqin, ndërsa pas bekimit, sipas ritualit, do të mbajë për 40 ditë kryqin e hedhur në ujin e bekuar për t‘ia kthyer më pas kishës ortodokse.