GJERMANI – Klingbell: SHBA të tërhiqet nga kërcënimi për tarifa ndaj makinave evropiane

BRUKSEL, 4 maj /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të respektojnë marrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian dhe të shmangin rritjen e tarifave për automjetet evropiane.
Deklarata u bë në Bruksel, pas paralajmërimeve të fundit nga presidenti amerikan Donald Trump për masa të reja tregtare.
Klingbeil theksoi se Europa po i qëndron angazhimeve të saj dhe pret të njëjtën gjë nga pala amerikane. Ai u shpreh se BE-ja nuk dëshiron përshkallëzim të konfliktit tregtar, por kërkon një zgjidhje të përbashkët me Uashingtonin.
Presidenti Trump njoftoi se synon të rrisë tarifat për makinat dhe kamionët e importuar nga BE-ja në 25%, duke pretenduar se blloku evropian nuk po respekton marrëveshjen ekzistuese që kufizon tarifat amerikane për shumicën e produkteve të BE-së në 15%. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi shkeljet e pretenduara.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka paralajmëruar masa kundërpërgjigjeje nëse SHBA zbaton tarifat e reja. Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se janë të gatshëm të mbrojnë interesat e tyre ekonomike, përfshirë vendosjen e tarifave shtesë ndaj produkteve amerikane.
Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, pritet të zhvillojë një takim me përfaqësuesin tregtar të SHBA-së, Jamieson Greer, në kuadër të një mbledhjeje të ministrave të tregtisë të vendeve të G7. Takimi shihet si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje diplomatike.
Komisioni Evropian ka theksuar se do të mbajë të hapura të gjitha opsionet nëse Uashingtoni ndërmerr hapa që bien ndesh me marrëveshjen e korrikut, duke përfshirë masa si kufizime për kompanitë amerikane në tendera publikë ose tarifa shtesë për gjigantët teknologjikë si Apple, Microsoft, Google dhe Meta./ /Ad.Ab./ a.jor.