E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO dënon 18 persona për trafikim të paligjshëm emigrantësh, pesë të pandehur shpallen të pafajshëm

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dhënë sot vendimin për një çështje penale që lidhet me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal të akuzuar për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion.

Çështja u gjykua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj 23 të pandehurve.

Sipas vendimit të trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Atalanta Zeqiraj dhe Bib Ndreca, fajtorë për veprat penale që lidhen me ndihmën për kalim të paligjshëm të kufijve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal u shpallën shumica e të pandehurve.

Gjykata dënoi përfundimisht me nga 8 vjet burgim Endri Seitin dhe Luan Tafallën, të cilët konsiderohen ndër personat kryesorë të grupit. Me nga 6 vjet burgim u dënuan Endrit Ismailaj, Artur Mata, Luan Sulaj, Emmanuel Delphin Assako Ella, Shkëlzen Matmuja, Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Iglan Alliçi dhe Edmond Baklli.

Arnold Shpata dhe Tomë Preka u dënuan përfundimisht me nga 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Xhuljeta Çopa me 5 vjet e 4 muaj burgim. Xhuljo Krasniqi u dënua me 3 vjet e 4 muaj burgim.

Ndërkohë, Arba Hysenllari u dënua me 4 vjet burgim, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në provë për një periudhë 3-vjeçare.

Në lidhje me funksionarët publikë të përfshirë në procedim, Altin Hasani u shpall fajtor për veprën penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve duke shfrytëzuar funksionin shtetëror” dhe u dënua me 2 vjet e 6 muaj burgim. Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e paraburgimit rezultoi më e gjatë se dënimi i caktuar.

Po ashtu, Arjel Hoxha u shpall fajtor për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 1 vit e 2 muaj burgim, si dhe me ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.

Nga ana tjetër, Edmond Braha, Artan Sulaj, Orkid Pijaneci dhe Ermal Hoxha u shpallën të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre. Gjykata urdhëroi edhe shuarjen e masave të sigurisë dhe lirimin e menjëhershëm të të pandehurve që mbaheshin në paraburgim.

Vendimi parashikon gjithashtu konfiskimin në favor të shtetit të shumave të konsiderueshme monetare të sekuestruara gjatë hetimit, përfshirë rreth 696 mijë dollarë dhe mbi 361 mijë euro të sekuestruara nga Endri Seiti, si dhe armë, automjete dhe sende të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale.

Sipas vendimit, një pjesë e sendeve të sekuestruara do t’u kthehen të pandehurve ose subjekteve përkatëse, ndërsa të tjera do të mbeten pjesë e dosjes gjyqësore.

Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›