Serbët e Kosovës, kundërshtarët e Tadiçit
Dobrivoja Josipeviç, një burrë që sapo i ka kaluar të gjashtëdhjetat, është nga serbët e rrallë në Graçanicë, një komunë në qendër të Kosovës, që nuk i intereson fushata elektorale që po zhvillohet për zgjedhjen e Presidentit të Serbisë. Me shikimin nga Manastiri i vjetër, ku është ndalur për të pritur një mik, ai shprehet se gjithçka flasin politikanët e lartë serbë është një gënjeshtër e kulluar. E sidomos retorika e tyre për Kosovën. Dikur ka qenë anëtar i partisë së Titos dhe ka punuar në ndërmarrjen "Elektro-Kosova". Krahasimet me të kaluarën nuk i ka shumë qejf, pasi sipas tij gjithçka ka shkuar mbrapsht këto vitet e fundit. I mbetur në minorancë në komunitetin ku jeton, ai e thotë hapur. "Për mua, pavarësia e Kosovës është kryer me vitin 1999 dhe shpjegon më tej se pikërisht për këtë arsye nuk i intereson nëse në Serbi do të zhvillohen zgjedhje për Presidentin e ri apo jo. Serbët, prej pas luftës, edhe pse në mënyrë të paligjshme, kanë zhvilluar votime në Kosovë për të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Serbi. Por Dobrivoja nuk është nga ata që u është afruar kutive të votimit. Të paktën kështu thotë. Ai duket se e ka ndarë mendjen prej 1999 kur beson se Kosova është bërë e pavarur. Do të rrijë në Kosovë. "Unë do të rri këtu, sido që të bëhet, vetëm nëse vjen dikush e më largon fizikisht". Por realiteti në fshatin e serbëve ku jeton ai është paksa më i ndryshëm. Fotot e Tomislav Nikoliçit që në këtë fushatë ka dalë me sloganin "Nikoliç me gjithë zemër", janë vënë lart e poshtë nëpër kioska e mure të ndryshme. Mozaiku me fotot e Sheshelit, kriminelit të luftës, që po vuan dënimin në Hagë, i është shtuar edhe ajo e numrit dy të partisë së tij. Një poster gjigand i liderit të radikalëve qëndron mbi kokat e fshatarëve serbë që shesin ndonjë gjë nga kopshtet e tyre, këto ditë të acarta janari. Një peizazh i zymtë ku shpresat e tyre duket se janë varur pikërisht në këtë portret, për të cilin Branko Nikoliq, një tjetër pensionist nga fshati Graçanicë, mendon thjesht se "është burrë i mirë". Branko është ulur në një tavolinë dhe tymos pa ndërprerë cigare të një marke të lirë. Ndryshe nga çifti që është pronar i qebaptores, ai nuk ngurron të flasë për mediat dhe madje thotë se mund t‘i bëjmë pyetjet shqip.
Branko jeton me 4 mijë e 18 dinarët që i merr nga qeveria e Serbisë dhe është shumë i vendosur të marrë pjesë në zgjedhje. Për të nuk ka rëndësi fakti se nuk po zhvillohet ndonjë fushatë intensive, madje as që ka nevojë, pasi ai i beson Nikoliçit, kandidatit të Partisë Radikale të Serbisë për President. Tomislav Nikoliç ka një qëndrim shumë më radikal për sa i përket pavarësisë së Kosovës. Ai ka deklaruar se nuk do ta lëshojnë në asnjë mënyrë dhe se janë gati të luftojnë.
"Zgjedhja ime nuk ka të bëjë me Kosovën, pasi me sa e di unë Kosova ka qenë serbe dhe do të mbetet e tillë, thotë Branko. Unë jam banor i vjetër dhe më kanë thënë se paraardhësit e mi kanë jetuar këtu prej më shumë se 500 vjetësh". Branko, i cili ka punuar si veterinar, pavarësisht asaj që mendon për Kosovën, thotë se me shqiptarët ruan raporte të mira. "Herë pas here më thirrin kur kanë nevojë për ndonjë shërbim veterinar". Por puna më e vështirë është t‘iu marrë opinione të rinjve. Ata refuzojnë të flasin dhe në rastin më të mirë nuk të fyejnë. Një i ri që ka një kioskë të vogël ku këmbehet paraja, ndërsa i kthen një klienti një shuk parash, prerje dinari, thotë se zgjedhjet nuk i interesojnë, dhe se sheh punë e tij. "I kanë vënë pa lejen tonë, s‘kanë të bëjnë me ne", thotë për fotot e Nikoliçit që i kanë vënë në faqen e kioskës së tij, që sheh nga rruga. Graçanica është vetëm 5 kilometra larg Komunës së Prishtinës, dhe pavarësisht se banohet kryesisht nga serbë, elementët e bashkëjetesës me shqiptarët nuk mungojnë. Nuk mund ta thuash të njëjtën gjë në pjesën veriore të Mitrovicës për shembull. Mirko Aritnoviç është një burrë rreth të pesëdhjetave, që mbijetesën në Kosovë ua dedikon shqiptarëve që e kanë punësuar. Ai punon si furnizues i një furre buke që shërben edhe si një restorant i vogël. Dikur ka punuar si minator, në Kishnicë, një nga minierat e Trepcës. Por pas luftës kishte mbetur pa punë dhe fqinj i tij shqiptar i kish ofruar bashkëpunim. "Nuk di si do t‘ia kisha dalë pa këtë punë", thotë ai. Edhe Mirko është simpatizant i liderit radikal, Tomislav Nikoliç. Ai nuk ka frikë t‘i shprehë pikëpamjet e veta politike, edhe pse punon për shqiptarët. I ndjek të gjitha zhvillimet dhe fushatën që po bëhet atje dhe e ka ndarë mendjen se për kë do të votojë. "Unë i besoj Nikoliçit, pasi në Parlament ai i ka mbrojtur më shumë interesat tona, pra të serbëve të Kosovës. Këtë gjë e ka dëshmuar edhe në takime të ndryshme, por edhe Rykerin". Ka dhe një arsye tjetër që Mirko dhe familja e tij mbështesin Nikoliçin: është procesi i privatizimit në Serbi që po i hedh njerëzit në rrugë, po i lë pa punë. Sa për kandidatin tjetër serioz të zgjedhjeve presidenciale serbe, Boris Tadiç, ai mendon se është ustash. Me këtë emër njihen partizanët kroatë të cilët akuzohen se gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë kryer shumë krime kundër serbëve. Edhe Mirko duket se nuk ka shumë arsye të marrë rrugën për Serbi, pasi të shpallet pavarësia e Kosovës. "S‘dua të shkoj, dua të rri këtu edhe nëse na bën thirrje qeveria e Serbisë". Kjo e fundit i jep atij dhe së shoqes nga 120 euro në muaj ndihmë sociale, që në Serbi do të ishte e përgjysmuar. Dhe kjo për të duket se është një arsye e mirë për të mos e lëshuar Kosovën. Tani për tani po pret zgjedhjet e 19 janarit, që do të jetë raundi i parë. Raundi i dytë, nëse askush s‘merr 50% të votave, do të mbahet më 3 shkurt e pas kësaj date shpallja e pavarësisë së Kosovës është e pashmangshme. Por është e qartë se serbët e Kosovës jetojnë në realitetin e tyre të mbyllur dhe e kanë të vështirë të shohin të vërtetën.