E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu në prokurori, 7 ore pyetje për Gërdecin

Ish- Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu sapo ka lënë Prokurorinë e Përgjithshme, ku është marrë në pyetje për plot 7 orë, lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Mbrojtësi i tij, Ardian Visha ka deklaruar pas mbylljes se seances se pyetje se Mediu eshte deklaruar i pafajshem per gjithe sa ndodhi ne Gerdec. Ende nuk behet e ditur nese do te kete seance tjeter pyetjesh, ne ngarkim te tij. 

“Ishte një veprim logjik i hetimit, jo vetëm i mirëpritur, por edhe i kërkuar nga ana jonë prej kohësh. Ne avokatat e çështjes deklaruam gjithçka që Ministri di për këtë çështje, pra për ccështjen e Gërdecit për interes të publikut dhe do vijojmë me procedurat në dispozicion të prokurorisë për gjithçka që ata do të kërkojnë. Klienti ynë u pyet me cilësinë e personit nën hetim”- tha Visha, fill pasi Mediu la Prokurorinw.

Ai ka shtuar se kërkesën për tu pyetur në prokurori, Mediu e ka bërë që para heqjes së imunitetit dhe ka vazhduar më pas. Zgjatja në kohë, është proceduriale, natyrisht ccështja është komplekse dhe pyetjet janë të shumta dhe për këtë vazhdoi gjatw.

Pretendimi i mbrojtjes dhe i Fatmir Mediut, është që nuk ka absolutisht shkelje në aktivitetin e tij si ministër, jo vetëm në këtë ngjarje po në asnjë tjetër.

Fillimisht u mendua që seanca të zgjaste katër orë, por pyetjet kane vijuar edhe per tre ore te tjera. Mediu është parë të zbresë nga makina, duke hyre nga dera e pasme. Kjo është hera e parë që ai paraqitet para prokurorëve. Ndërkohë herën e parë kur ai u thirr nga prokuroria dërgoi vetëm avokatin e tij, pasi vet ndodhej në Amerikë.

Sipas burimeve zyrtare pranë grupit hetimor të Prokurorisë së Përgjithshme që po punon dhe heton për zbardhjen dhe identifikimin e përgjegjësve të kësaj tragjedie, deputetit Mediu ka “refuzuar” paraqitjen në datën 26 gusht për arsye personale.

Herën e kaluar prokurori Zamir Shtylla është paraqitur i vetëm me mbrojtësin ligjor të deputetit Mediu, avokat Ardian Visha, i cili ka depozituar një kërkesë për shtyrjen e marrjes në pyetje të klientit të tij, për arsye se ish-ministri ndodhet jashtë shtetit për arsye personale të tij”,- thuhet nga burimet pranë akuzës.

Thirrja e Mediut  në prokurori nga hetuesit e tragjedisë së Gërdecit erdhi 11 javë pas heqjes së imunitetit me kërkesë të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama nga Kuvendi. Me heqjen e imunitetit parlamentar, organit të akuzës iu hap drita jeshile për marrjen në hetime dhe dërgimin e fletë-thirrjes në adresë të deputetit Mediu për pyetjen e tij në cilësinë e personit nën hetim.

Sipas kërkesës së kryeprokurores Ina Rama dërguar Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, numëroheshin rreth 20 shkelje ligjor të kryera nga ish-ministri me veprimet dhe mos veprimet e tij karshi tragjedisë së Gërdecit ka konsumuar elementë të veprës penale të“shpërdorimit të detyrës” dhe “favorizimit të kompanisë private” duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm shtetit, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 26 persona dhe mbi 300 janë plagosur.

Sipas akuzës, Mediu ka favorizuar firmën “Albademil” me pronar të arrestuarin Mihal Delijorgji para, gjatë dhe pas marrjes së tenderit për çmontimin e municioneve dhe predhave luftarake, e cila për mos respektimin dhe shkeljen e rregullave të sigurisë në punë solli shpërthimin e rreth 7 tonëve municion që ndodheshin në ish-repartin e tankeve të kthyer në fabrikë çmontimi. Ndërkohë, grupi hetimor i prokurorisë ka arrestuar tashmë për këtë tragjedi administratorin e kompanisë “Albademil”, Mihal Delijorgji, kunatin e tij Dritan Minxholli dhe ish-drejtorin e MEICO-së Ylli Pinari, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat e “vrasjes masive” në bashkëpunim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›